Përmes programit “Europa kreative” synohet integrimi kulturor i Kosovës në Europë

Aktuale

Përmes programit “Europa kreative” synohet integrimi kulturor i Kosovës në Europë

Më: 17 janar 2019 Në ora: 12:56
Ilustrim

Në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare janë përuruar zyrat e programit “Europa Kreative”, përmes së cilit synohet integrimi i Kosovës në hartën kulturore të Europës.

Kosova iu bashkua këtij programi në qershor të vitit 2018, e tashmë me krijimin e zyrave, artistët dhe organizatat kulturore do ta kenë një vendtakim për të paraqitur idetë kreative e kulturore.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi ka thënë se përmes këtij programi Kosova pos që do të shtrihet edhe në hartën kulturore të Europës, do ta promovojë dhe ruajë diversitetin kulturor e gjuhësor.

Gashi: Ky program kontribuon edhe në ruajtjen e diversitetit kulturor

“Në këtë kuadër organizatat kosovare do të kenë mundësi të aplikojnë për grante dhe projekte shumë vjeçare bashkëpunimi për përkthim librash, për ngritje rrjetesh kulturore e për krijim të platformave kulturore shumëkombëshe. Duke u mbështetur në faktin se programi i Europës Kreative kontribuon ndër të tjerash për ruajtjen e diversitetit kulturor dhe gjuhësor, rritjen ekonomike të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse si dhe të ndihmojmë sektorët kulturorë dhe krijuesit të përshtaten me epokën digjitale të globalizmit”, ka thënë Gashi.

E pranishme në përurim ishte edhe ministrja e Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha, e cila tha se përmes këtij programi Kosova do ta zhvillojë diplomacinë kulturore e do të rrisë bashkëpunimin me vendet tjera europiane.

Hoxha: Përmes këtij programi, Kosova do të jetë më afër BE-së

“Diversiteti kulturor përbën bazën e Bashkimit Europian dhe në këtë drejtim, edhe Kosova, përmes këtij programi synon të kontribuojë duke u bërë pjesë e pandashme e të gjitha zhvillimeve ndërkulturore, sepse duke vepruar kështu, Kosova do të jetë sa më afër BE-së. Më vjen shumë mirë që programi ‘Europa kreative’ do t’i mundësojë komunitetit të kulturës që të ecim përpara duke krijuar vepra artistike, me ndikim, jo vetëm në Kosovë, por edhe anembanë botës”, ka thënë Hoxha.

Anëtarësimi i Kosovës në këtë program ka kushtuar rreth 35 mijë euro, kurse 80 përqind e kësaj shume do t’i kthehet buxhetit në formë të granteve.

Artistët dhe organizatat kulturore në Kosovë do të mund të aplikojnë për grante në këtë program duke propozuar projekte për ngritjen e rrjeteve kulturore, përkthime librash apo edhe formimin e platformave kulturore shumëkombëshe.

“Europa kreative” është program i Bashkimit Europian, përmes së cilit mëtohet mbështetja e sektorit audiovizual, kulturor dhe krijues për individët dhe organizatat anembanë Europës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat