ATK për 19-vjet inkason 5.8 miliardë euro

Aktuale

ATK për 19-vjet inkason 5.8 miliardë euro

Më: 17 janar 2019 Në ora: 13:18
ATK

(E plotësuar) - Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) sot shënoi 19-vjetorin e themelimit, me ç’rast kryeministri Ramush Haradinaj duke përgëzuar ATK-në për punën dhe arritjet në të hyra buxhetore, ka kërkuar që të krijohen parametra të ri për luftimin e informalitetit.

Kreu i Ekzekutivit shpreson se me punë dhe përkushtim Kosova do të bëhet sa më shpejt pjesë e familjes evropiane.

Haradinaj: Parametra të ri për luftimin e informalitetit

“Ne po bëhemi gati me hy në dekadën e tretë të një sistemi tatimor siç është ATK, atëherë duhet të kemi parametra të ri në luftim të informalitetit. E nëse ne në këtë dhjetë vjeteshin e tretë ku jemi optimist që do t’i takojmë edhe familjes evropiane, atëherë duhet ta kemi një tren në rritje të luftimit të informalitetit, nuk ndodhë kjo për ndëshkim, kjo bëhet për aftësim të vetvetes”, tha ai.

Ndërsa, ministri i Financave Bedri Hazma ka thënë se derisa ATK-ja para 19 vjetësh fillimin e vet e ka nisur me 30 zyrtarë, vitin e parë i ka mbledhur 5 milionë euro, ndërsa sot ky institucion numëron 812 të punësuar dhe vitin e kaluar ka inkasuar 457 milionë euro.

Hamza: Kosova shembull i stabilitetit makrofiskal

“Falë kësaj pune, falë këtyre rezultateve, sot Kosova është shembull sa i përket stabilitetit makrofiskal dhe kjo është e mundur si rezultat i punës dhe angazhimit shumë të madh të shumë grave dhe burrave që janë pjesë e ATK-së dhe të gjitha sukseset ua atribuoj atyre”, ka thënë Hamza.

Drejtori i ATK-së Sakip Imeri ka thënë se gjatë vitit 2018 janë realizuar 102 për qind e të hyrave me mbi 10 milionë euro më shumë se plani. Ndërsa, sipas tij, për 19 vjet janë inkasuar 5.8 miliardë euro.

Imeri: Gjatë vitit 2018 ATK-ja ka inkasuar 457 milionë euro tatime

“Gjatë vitit 2018 ATK ka realizuar 102 për qind të të hyrave të planifikuara nga 446 milionë, janë mbledhur 457 milionë euro tatime, mbi 10 milionë më shumë se plani, ndërsa në raport me vitin 2017 janë inkasuar 42.5 milionë euro më shumë. Gjithashtu janë arkëtuar mbi 163 milionë të hyra nga kontributet pensionale. Janë shënuar rezultate në të gjitha fushat e përgjegjësisë së ATK-së në mbledhjen e të hyrave, ka ngritje të vazhdueshme. Për 19 vjet janë mbledhur 5.8 miliardë euro nga të cilat 4.2 miliardë janë tatime dhe 1.6 miliard janë kontribute pensionale”, tha Imeri.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka theksoi se ATK është një storie suksesi në këto 19 vjet.

Zeka: ATK është një storie suksesi

“Në këtë Kosovën tonë të re, me shumë sfida besoj që nuk dyshim edhe mund të konkludojmë shumë lehtë se Administrata Tatimore e Kosovës është një storie suksesi”, ka thënë Zeka.

Ndryshe, të pranishëm në këtë evenimet ishin përfaqësues të bizneseve dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë.

Haradinaj: Serbisë si ka mbetur tjetër pos edhe anëtarësimi në BRSS

Kryeministri Ramush Haradinaj ka komentuar vizitën e sotme të presidentit rus Vladimir Putin në Serbi, duke thënë se po i duket se Serbia po orientohet drejt BRSS-së. Kurse ka shtuar se Kosova është e orientuar drejt integrimeve euro-atlantike.

Haradinaj: Vizita e Putinit në Serbi mu duk se si ka mbetur tjetër pos edhe anëtarësimi në BRSS

“E kam një ndjenjë shumë të mirë në Kosovë sot, për faktin se shoh në Serbi ardhjen e presidentit rus, Vladimir Putin dhe i shoh marrëveshjet ekonomike në mes të Serbisë dhe Rusisë, mu duk se si ka mbetur tjetër pos edhe anëtarësimi në BRSS. Pra, krejt e kishte drejtuar ekonominë dhe paratë, buxhetin  e vet në Rusi, ishin miliarda. Ndërsa, ne në Kosovë operojmë me euro dhe drejtimin tonë ekonomik, politik dhe të sigurisë e kemi orientuar kah integrimet euro-atlantike. Ju lus që të krahasoni konsolidimin tonë të brendshëm, ta kemi parasysh dobinë e madhe që kemi në orientimin tonë euro -atlantik që është edhe ekonomik”, theksoi Haradinaj.    

Këto komente kryeministri Haradinaj i bëri në ceremoninë e shënimit të 19-vjetorit të themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat