Të akuzuarit për terrorizëm i mohojnë akuzat e Prokurorisë - Bota Sot
Të akuzuarit për terrorizëm i mohojnë akuzat e Prokurorisë

Aktuale

Të akuzuarit për terrorizëm i mohojnë akuzat e Prokurorisë

Më: 17 janar 2019 Në ora: 16:46
Pamje nga gjykata

Në gjykimin e të akuzuarve për veprat që lidhen me terrorizëm Ardian Mehmeti, Valon Shala, Genc Selimi, Musli Hyseni dhe Nuredin Sylejmani, u dha fjala përfundimtare.

Mbrojtësi i Ardian Mehmetit, avokati Murat Demolli, në fjalën përfundimtare, deklaroi se në seancat e kaluara, ku prokurori ka bërë precizimin e aktakuzës as në fjalën përfundimtare nuk solli diçka të re.

Ndërsa sa i përket armëve ai tha  se edhe në video inçizimet shihet se i akuzuari Ardian Mehmeti ato armë nuk i ka marrë për vepër penale, por për tregti.

“Prokuroria nuk ka vërtetuar me asnjë dokument asnjë provë të vetme me të cilën sipas prokurorit ka pasur për qëllim të sulmohen institucionet shtetërore”, tha avokati Demolli, raporton kallxo.com.

Ndërsa vet i akuzuari Ardian Mehmeti në fjalën përfundimtare tha se nuk ekziston asnjë provë që do të vërtetonte qëllimin për të sulmuar ndonjë institucion publik.

Për mjetet shpërthyese, Mehmeti deklaroi se ka pasur qëllim t`i shiste.

“Sa u përket mjeteve shpërthyese, se për çfarë qëllim kanë pasur me u shit, unë kam treguar më herët, dhe unë mendoj që dikush i ka paraprirë kësaj fushe veç me na bërë dëm”, tha Mehmeti.

Mehmeti shtoi se nuk ka pasur besim se në rastin e tij do të ketë drejtësi.

“Deri me datën 5 tetor të vitit te kaluar e kam pas frikën që nuk do këtë drejtësi në rastin tim, pasi sa kam qenë në paraburgim asnjëherë nuk m`u ka dhëne mundësia të shprehem ashtu qysh e përcakton ligji”, tha i akuzuari.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Genc Selimi, avokati Bekim Kafexholli tha se Prokuroria ka dështuar në tërësi të sjellë argumente për këtë çështje penale.

I akuzuari Nuredin Sylejmani në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se nuk ka asnjë provë që vërteton se ai ka folur me dikë për t`i sulmuar institucionet.

“Për sulmet që i ka përmendur prokuroria si stacionet policore, burgjet, në gjitha shkresat e lëndës nuk ka pasur asnjë provë, asnjë fjalë të vetme që unë kam folur me dikë për t`i sulmuar  institucionet dhe nëse gjendet vetëm një fjalë e vetme në shkresat e lëndës, që unë kam pasur me sulmu, apo me i bërë dëm dikujt, kërkoj nga gjykata të më jepet dënimi maksimal”, tha i akuzuari Nuredin Sylejmani.

I akuzuari Musli Hynesi deklaroj në gjykatë që e mbështet faljen e mbrojtësit të tij të dorëzuar me shkrim,

Trupi gjykues në përbërje prej gjyqtarëve Naser Foniqi, Hamdi Ibrahimi dhe Agim Kuqi bëri me dije se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 22 janar.

Valon Shala, Ardian Mehmeti, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Musli Hyseni akuzohen për organizimin dhe drejtimin e një grupi terrorist, pjesëmarrjen në grup terrorist, përgatitjen e veprave penale terroriste, prodhimin e paligjshëm të materialeve shpërthyese, posedimin e paligjshëm të armëve dhe të eksplozivëve, nxitjen e urrejtjes fetare, sulmin e rëndë në territorin e Kosovës, si dhe kryerjen e terrorizmit brenda territorit të Sirisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...