Haradinaj kërkon serish heqjen e vizave

Aktuale

Haradinaj kërkon serish heqjen e vizave

Më: 17 janar 2019 Në ora: 19:31
Ramush Haradinaj dhe Johanes Hahn

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim komisionarin evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike dhe ekonomike në vend, agjendën e reformave evropiane, forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit.

Haradinaj, e ka njoftuar komisionarin Hahn me proceset nëpër të cilat po kalon vendi, duke theksuar se Kosova mbetet plotësisht e vendosur për të qenë anëtare e Bashkimit Evropian.

Duke folur për çështjen e vizave, kryeministri Haradinaj shprehu edhe njëherë zhgënjimin ndaj BE-së në raport me Kosovën, dhe tha se përkundër përmbushjes së kritereve të përcaktuara, Kosova mbetet vendi i vetëm me regjim të vizave.

“Liberalizimi i vizave është domosdoshmëri për qytetarët dhe bizneset e Kosovës. Të rinjtë tanë, po ashtu, meritojnë të lëvizin lirshëm sikurse moshatarët e tyre nga e gjitha bota”, tha Haradinaj. 

Ai po ashtu theksoi përkushtimin e qeverisë për përmbushjen ERA2, për të cilin fakt qeveria e vendit është duke punuar intensivisht në avancimin e saj.

Në këtë takim është biseduar edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin kryeministri shprehu qëndrimin e Kosovës për një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme.

Po ashtu në këtë takim është folur edhe për zhvillimin ekonomik në vend dhe hapat që ka ndërmarrë qeveria në përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat