Selmanaj: Duhet të bie taksa ose Qeveria - Bota Sot
Selmanaj: Duhet të bie taksa ose Qeveria

Aktuale

Selmanaj: Duhet të bie taksa ose Qeveria

Më: 18 janar 2019 Në ora: 07:47
Qeveria "Haradinaj"

Deputeti i LDK- së, Driton Selmanaj thotë se nëse vazhdon presioni i SHBA-së atëherë duhet të bie ose taksa ose kryeministri, Ramush Haradinaj.

Ai thotë se Serbia e meriton këtë qasje të Kosovës pasi gjithmonë ka pasur qasje armiqësore.

“A jemi ne në gjendje të jemi përballë Serbisë në mënyrë të unifikuar, mendoj se jo. Mendoj se secili shtet e ka. Ne jemi të papërgatitur për këtë proces, pa e menduar mirë se çfarë po bëjmë me këtë taksë”, ka thënë Selmanaj në Interaktiv.

Me këto sjellje tani edhe kryeministri thotë se ka probleme për të marrë vizë amerikane.

“Kemi sjellë situatën ku SHBA-ja të sjellë ultimatum në Kosovë dhe edhe më keq, viza i është refuzuar kryeministrit të Kosovës. Kjo s’ka të bëjë me Haradinajn por me kryeministrin. Edhe kur nuk kishim shtet nuk kemi pasur probleme për viza, Rugova me disa intelektualë në atë kohë kishte viza. Kjo situatë është rrezik. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në raport me SHBA-në, duhet të hiqet nëse ajo vjen nga një shtet mik, që është më tepër se aq. Nëse vazhdon presioni i SHBA-së ndaj kryeministrit, këtu njëra duhet të bie, ose taksa ose kryeministri”, është shprehur Selmanaj.

Ai ka shtuar se, “nuk guxojmë që të vuajmë pasojat e një kryeneçësie shpeshherë primitive të një lideri institucional”.

Më tutje ai ka folur edhe për Gjykatën Speciale, derisa akuzon PDK-në për shkatërrimin e gjyqësorit në vend.

“Mirë do të kishte qenë që krimet e pretenduara të kryheshin në Kosovë, por kemi parë që investimi më i madh i PDK-së ka qenë të shkatërrojë gjykatat në vend. Dimë raste kur gardianët janë rrahur, e pikërisht ata janë suspenduar. Thaçi e ka themeluar duke menduar se do të shpëtojë vet”, ka thënë ai.

Më tutje ai ka përmendur edhe zbardhjen e vrasjeve të intelektualëve të LDK-së pas luftës së fundit.

“Ne kemi edhe një përkushtim më të madh që të zbardhen edhe vrasjet e intelektualëve të LDK-së, që janë ekzekutuar vetëm e vetëm se kanë menduar ndryshe. Ka aq shumë intelektualë që janë vrarë, e ne ende nuk e dimë se prej kujt. Kushdo që ka bërë përpjekje që të vrasë njerëz vetëm pse mendojnë ndryshe nuk meritojnë të jenë të lirë, e nuk i bëjnë nderë as LDK-së”, ka thënë Selmanaj.

Sipas tij duhet të zbardhen vetëm një ose dy vrasje pasi është vetëm një adresë vendimarrëse për të gjitha këto krime.

“Vetëm nëse një ose dy vrasje zbardhen, është vetëm një adresë vendimmarrëse. Problem nuk është ekzekutuesi por urdhërdhënësi. Kosova nuk po mundet të ecë përpara me këtë barrë. Kjo duhet të jetë kërkesë e shoqërisë që njerëzit që kanë bërë vrasje të tilla s’duhet të jenë të lirë”, është shprehur Selmanaj.

Selmanaj ka shtuar se tashmë LDK-ja nuk mendon se PSD-ja është pjesë e opozitës, megjithatë është i bindur se është duke shkatërruar tani përfundimisht vetveten kjo parti.

“Kuvendi ka dal prej binarëve, dhe kjo si rezultat i një keqmenaxhimi që e ka bërë Kadri Veseli. PSD-ja nuk është më pjesë e opozitës, tashmë dihet se është në pozitë, kanë interesat e tyre por më së paku ka të bëjë me opozitën. Njerëzit që po e udhëheqin veten kanë shkatërruar FER-in, Vetëvendosjen dhe tani duket se përfundimisht do të shkatërrojë veten”, është shprehur ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...