Veseli: Amerika s’ka kërkuar heqjen e taksës, kërkoi që Kosovës t’i jepet fuqi në dialog

Aktuale

Veseli: Amerika s’ka kërkuar heqjen e taksës, kërkoi që Kosovës t’i jepet fuqi në dialog

Më: 18 janar 2019 Në ora: 10:42
Kadri Veseli

(E plotësuar) - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se nuk ka kërkesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të largohet taksa 100 përqind ndaj produkteve që vijnë nga Serbia.

Veseli ka thënë se nga ShBA-të ka një kërkesë që t’i jepet perspektivë dhe fuqi Kosovës në procesin e dialogut dhe jo kërkesë për largim të taksës.

Madje, i pari i Kuvendit ka thënë se taksa 100 përqind i ka bërë mirë Serbisë, raporton KosovaPress.

Këto komente Veseli i ka bërë pas mbledhjes së kryesisë, ku është vendosur që të mbahen seanca më 30 dhe 31 janar. Në seancën e dytë në rend të ditës do të jetë votimi për buxhetin si dhe ligji për pagat.

Veseli: Ka një kërkesë që t’i jepet perspektivë Kosovës në procesin e dialogut, nuk ka kërkesë për t’u hequr

“Taksa 100 përqind i ka bërë mirë Serbisë dhe ka qenë reaksion pikërisht i një agresiviteti të cilin e ka sjell Serbia, për vetë faktin se Serbia një kohë të gjatë ka qenë tepër agresive dhe nuk e ka respektuar Kosovën, kemi me e bë që çdo ditë Serbia me ni dhe me e respektua këtë shtet tonë të pavarur dhe sovran. Për vet faktin se çdo vendim dhe veprim i yni nuk është i drejtuar kundër asnjë qytetari, asnjë komuniteti etnik. Në të njëjtën kohë të jenë të sigurt se gjithë jetën time politike ka veç një partner, e ky është ShBA-të, nuk do ta dëmtojmë edhe këtë partneritet as nuk do të lejojmë që të na e dëmtojnë. Letra e presidentit Trump, qëndrimet e këtij ambasadori të ShBA-ve i cili i bartë qëndrimet e shtetit janë mesazhe të cilat i marrim shumë seriozisht dhe janë mesazhe të miqësisë, partneriteti do të jetë i përjetshëm. Ka një kërkesë që t’i jepet perspektivë dhe fuqi Kosovës në proc esin e dialogut, nuk ka kërkesë për t’u hequr. Ka kërkesë që t’i jepet mundësi procesit të dialogut në të cilin do të veprojmë bashkërisht”, tha Veseli.

Derisa ka folur për taksën, Veseli ka thënë se Serbia duhet të dijë se Kosova është shtet sovran dhe i ka porositur që të mos i maltretojë qytetarët e Kosovës, ku ka përmendur orët e gjata që mërgimtarët kanë pritur në kufi për të hyrë dhe dal nga Kosova.

Veseli: Me 31 janar votimi i buxhetit

“Do ta kemi një seancë parlamentare me datën 30, i kam paralajmëruar po ashtu se me datën 31 do të kemi edhe një seancë parlamentare e cila do të jetë me disa pika të rendit të ditës shumë të rëndësishme, është ligji i buxhetit, po ashtu do të jetë statuti i Trepçës shumë shpejt do ta kalojë Kuvendi i Kosovës, ligji për paga dhe një mori ligjesh të tjera të cilat do t’i aprovojë ky Kuvend në shërbim të interesave të qytetarëve. Po ecim mirë, për aq sa jemi të vetëdijshëm për sfidat të cilat i kemi, por viti 2019 do të jetë viti i suksesit të Kosovës, viti i shpërthimit edhe politik edhe diplomatik, edhe ekonomik, vit i Kosovës në organizatën e Kombeve të Bashkuara”, tha ai.

Veseli edhe një herë u ka bërë thirrje partive opozitare që t’i bashkëngjiten obligimeve institucionale, e nëse nuk do të bashkëngjiten, Veseli tha se sovrani do të vendosë.

Shefi i grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se është i frikësuar se do të fillojë avazi i vitit të kaluar me seanca, pasi shumë seanca kanë mbetur të hapura.

Hoti: Kam frikë që gati më qëllim po krijohet një tendencë që zhagiten çështjet që janë për interes

“Kam frikë se do të fillojë avazi i vitit të kaluar sikurse me seancat në sesioni vjeshtor, nga shtatori deri dhjetor ku të gjitha seancat e hapura 11 seanca, nga 13 shtatori deri në fund të dhjetorit kanë mbetura të hapura. 64 pika të renditura tash për seancat e radhës, kam frikë që gati më qëllim po krijohet një tendencë që zhagiten çështjet që janë për interes për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës. Ajo që unë sot dëshiroj të them para juve këtu është mbledhja e parë e kryesisë për të organizuar sesionin pranveror të Kuvendit dhe në këtë mbledhje kryetari i Kuvendit, si kryetar i PDK-së dhe kryesues i koalicionit PAN as nuk e shqyrtoj fare çështjen e krizës totale që ka përfshi vendin në arsim e në shëndetësi, me grevat e minatorëve dhe me paralajmërimet që mund të kemi greva edhe të shërbyesve civil. Kërkesat e këtyre grupeve duhet të shqyrtohen me kujdes, këta njerëz nuk marrin përgjegjësi për situatën të cilën e kanë krijuar duke lënë në shtëpi rreth 360 mijë nxënës”, tha ai.

I pyetur rreth mundësisë që të thërrasin ndonjë seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për këto çështje, Hoti tha se do ta thërras grupin parlamentar por do të diskutojnë edhe me pjesën tjetër të opozitën dhe do të vendosin se si do të veprojnë.

Hoti edhe një herë ka shprehur qëndrimin e LDK-së se nuk do të bëhen pjesë e ekipit negociator. Por, ai është shprehur se janë duke e dhënë kontributin e tyre duke e mbikëqyrur dhe do ta japin fjalën e tyre kur të vijë marrëveshja në Kuvend.

Hoti: Si pret me u bë liberalizimi i vizave kur ke 1/3 e ministrave me aktakuzë

“Unë besoj që këtë pyetje ndoshta e keni shtruar por duhet t’ia shtroni kryeministrit të vendit që e ka bllokuar procesin e liberalizimit të vizave në vitin 2016 dhe me i thënë se çka po ndodh, si pret me u bë liberalizimi i vizave kur ke 1/3 e ministrave me aktakuzë”, u shpreh ai.

Për këtë deklaratë të Hotit, ka reaguar kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, duke thënë se ai duhet të flas diçka.

Veseli: Avdullahu duhet me fol diçka është opozitë

“Avdullahu duhet me fol diçka është opozitë dhe është bërë yll i opozitës”, tha ai.

Kurse, shefi i grupit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, ka thënë se për ta është e rëndësishme interpelanca që do të mbahet me ministrin e Zhvillimit ekonomik për marrëveshjen me Contour Global.

Sejdiu: Për ne kjo marrëveshje komerciale me Contour Global është e dëmshme

“Për neve si parti Socialdemokrate janë të rëndësishme dy çështje, e para ka të bëjë me interpelancën në të cilën ne e kemi ftuar Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Z.Valdrin Lluka në lidhje me themelimin e ndërmarrjes së re që do të bëjë blerjen e energjisë elektrike nga Contour Global, për ne kjo marrëveshje komerciale është e dëmshme. Ndërsa, ndërmarrja e themeluar është një të themi kështu monstrum ekonomik, i cili do të jetë vetëm një transfer i parasë së qytetarëve në gjepat e Contour Global. Pra, kjo është një temë ekonomike e cila nëse vazhdon në këtë formë dhe në këtë model do të jetë një rëndesë për nja 20 vjet në sektorin energjetik. Jemi tepër të interesuar që secilën komponentë të kësaj marrëveshje ta shpërfaqim në Kuvendin e Republikës në mënyrë që secili qytetar, deputet ta ketë parasysh llojin e marrëveshjes komerciale në të cilën po futet kjo Qeveri në këtë kohë në të ci lën kemi nevojë për një shtet zhvillimor e jo një shtet i cili zhvatet nga korporatat e huaja”, tha Sejdiu. 

Veseli: SHBA-të nuk kanë kërkuar heqjen e taksës

Kryetari i Kuvendit i pyetur nëse SHBA-të kanë kërkuar nga Qeveria heqjen e taksës 100 përqind ndaj mallrave serbe, tha se nuk ekziston një kërkesë e tillë, por se kanë kërkuar që t’i jepet një mundësi dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Letra e presidentit Trump, qëndrimet e këtij ambasadori të SHBA-ve që i bart qëndrimet janë mesazhe që i marrin shumë seriozisht. Ka një kërkesë që t’i jepet fuqi Kosovës në procesin e dialogut, nuk ka kërkesë për t’u hequr”, tha Veseli.

Veseli ka folur edhe për vizitën e djeshme të presidentit të Rusisë në Serbi dhe akuzat e opozitës se ata janë përgjegjës për mos liberalizimin e vizave.

 "Avdullahu duhet me fol diçka se është në opozitë, është bërë ylli i opozitës. Ne jemi me Amerikën, fqinji jonë po pretendon me qenë mirë me partnerët tanë por po i hapë dyert Rusisë. Rusia është duke shkuar drejt njohjes së Kosovës. Kosova do të jetë në organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe po punojmë shumë. Opozita duhet t'iu bashkangjitet proceseve", tha Veseli.

Ndërsa, Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, nuk ka komentuar vizitën e Putinit në Serbi.

“Unë jam deputet, për mua të rëndësishme janë deklaratat tona. Çfarë deklaron Vuqiqi e njohim moti. Sa i përket deklaratave, dhuratave nuk merrem me to, për ne është e rëndësishme që të jemi bashkë. Nuk do të ketë marrëveshje pa njohje”, tha Sejdiu.

E shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, kritikoi mbarëvajtjen e mbledhjes së kryesisë, duke thënë se nuk janë diskutuar fare grevat e mësimdhënësve dhe të mjekëve.

"Në këtë mbledhje as nuk e shqyrtoj fare çështjen e krizës totale që e ka kapluar shtetin, me greva në arsim, shëndetësi. Nuk marrin përgjegjësi për situatën e krijuar. Me grevën e minatorëve e njëjta gjë", tha ai. Hoti shtoi se për LDK-në, ekipi negociator nuk përfaqëson askënd.

"Ju e dini qëndrimin e LDK ky ekip nuk përfaqëson askënd. Ne jemi duke e dhënë kontributin tonë, jemi duke e mbikëqyrur dhe do ta japim mendimin tonë kur të vije marrëveshja", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat