Muzeu i Kristaleve dhe “xhevahiret” e Trepçës, që mahnisin vizitorët!

Aktuale

Muzeu i Kristaleve dhe “xhevahiret” e Trepçës, që mahnisin vizitorët!

Nga: F.B. Më: 18 janar 2019 Në ora: 10:48
“Xhevahiret” e Trepçës

I ndërtuar pak vite më parë, por i mirëmbajtur nën kujdesin e vazhdueshme të stafit, Muzeu i kristaleve përben një pasuri dhe vend ideal për të u njohur me pasurinë nëntokësore të Trepçës edhe të Kosovës.

Muzeu është i vendosur në Stan Tërg në hapësirën ku ndodhen edhe objektet e minierës Trepça rreth 10 km në veri-lindje nga Mitrovica, një nga minierat më të pasura jo vetëm në Ballkan por edhe Evropë me minerale të llojeve të ndryshme si plumb, zink, ari dhe argjend por edhe dhjetëra minerale tjera të vlefshme.

Pikërisht në oborrin e kësaj miniere që është krenaria e Kosovës dhe Shalës së Bajgorës, gjendet edhe një perlë tjetër pra, Muzeu i Kristaleve të Kosovës  “Trepça”, ndërsa inxhinieri i gjeologjisë Ibrahim Musa, njëherësh ciceron në këtë muze, nuk heziton të shpjegoj për grupet e mineraleve të ekspozuara, disa prej të cilave tha se janë shumë të çmueshme dhe të shtrenjta.

Image

“Në muze kemi të ekspozuara mbi 2 mijë eksponate kristalore, ku  mbi 90 përqind janë kristale që kanë ardhur nga miniera e Trepçës në Stan Tërg, ndërsa që të tjerët vijnë nga minierat tjera të Kosovës si dhe nga mbarë bota”, ka thënë Ibrahim Musa, ciceron i Muzeut.

 “Nga minierat e Trepçës kemi mbi 65 lloj të kristal-mineraleve, e që kryesisht përbëhen nga galeniti, sfaleriti, piriti, pirotina, kuarci, kalciti etj”, sqaron më tej ciceroni kur flet për përbërjen kimike të tyre.

Përveç këtyre, shton ai, ka dhe kristal-minerale shumë të çmuara dhe të rralla si janë vivianiti dhe lludllomiti.  Kemi një kristal të veçantë të galenitit që është në formë të pjatës e që për vizitorët është shumë interesant dhe quhet si kristali i Nju Jorkut, pasi që ka formë e qytetit të njohur amerikan përbrenda pjatës.

“Nuk mundem me i nda kristalet që janë të ekspozuar këtu për nga bukuria sepse çdo njëri ka atë bukurinë e tij të vetë hyjnore si i përket pamjes estetike, është shumë e vështirë që me fjalë të përshkruhet një bukuri e tillë e kristaleve që janë këtu”.

Image

Ibrahim Musa sqaron se që nga viti 2012, Muzeu i Kristaleve që deri atëherë ka qenë në pronësi të minierës Trepça,  me vendim të qeverisë së Kosovës ka kaluar nën menaxhimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, për arsye se nëse miniera vjen deri tek privatizimi, muzeu, pra eksponatet, munden të trajtohet jo mirë, pra të keqpërdoren apo shiten.

‘’Për Trepçën flitet shumë moti prej vitit 1303 ka dokumente që flitet për të, po dihet në atë kohë është punuar në mënyre primitive deri në vitin 1924 gjeologet anglezë kanë filluar hulumtimin për Trepçën. Më1930 kanë startuar me prodhim e kanë marrë Trepçën me koncesion prej 50 viteve dhe e kanë regjistruar ne bursën e Londrës duke e emërtuar dhe e kanë startuar prodhimin’’.

Image

Iniciativa për themelimin e Muzeut të Kristaleve ka ardhur nga një grup minatorësh entuziastë, aty nga viti 1960, të cilët në atë kohë kanë bërë grumbullimin  një numri të caktuar të kristaleve.

Më pas, në vitin 1964 u bë e mundur hapja e këtij muzeu.

Muzeu i Kristaleve më së shumti vizitohet nga persona të huaj dhe shumë pak nga vendasit me përjashtim të shkollave të cilat organizohen

“Kemi vizitorë të rangjeve të ndryshme, vizitorët më të shpeshtë janë qytetarë të huaj e sidomos ata që janë duke punuar dhe vepruar në Kosovë”, ka thënë Musa dhe ka shtuar se vizitorët vendas janë shumë të pakët me përjashtim të shkollave që vijnë të organizuar e sidomos të atyre të Mitrovicës.

Ajo që është brengosëse në lidhje me Muzeun është fakti se përkundër gjithë këtij potenciali edhe bukurie të mineraleve që posedon, numri i vizitorëve mezi kalon 5 mijë në vit, që është dukshëm i vogël krahasuar me muzetë tjera të llojit të njëjtë, të cilët nuk kanë as përafërsisht potencialin e llojeve të mineraleve që ka muzeu i kristaleve Trepça në Stan Tërg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat