Lenjani: Për të moshuarin u kryen mbi 19 analiza, mund ta dëshmojmë

Aktuale

Lenjani: Për të moshuarin u kryen mbi 19 analiza, mund ta dëshmojmë

Më: 18 janar 2019 Në ora: 14:33
Basri Lenjani

Për pacientin e moshuar nga Mitrovica që dje u pa duke rënkuar në korridoret e QKUK-së, janë kryer rreth 19 analiza mjekësore e më pas është liruar për kujdes të mëtutjeshëm në shtëpi.

Kështu ka deklaruar në një konferencë për shtyp drejtori i Shërbimeve Spitalore dhe Klinike Universitare të Kosovës, Basri Lenjani. Ai ka paraqitur para mediave edhe dosjet që dëshmojnë për këto analiza, si dhe ka ofruar edhe qasje në kamerat e sigurisë.

Lenjani: Ka marrë trajtim në klinikë, mund ta dëshmojmë

“Është pranuar në Klinikën Emergjente, mund ta dëshmojmë, është pranuar në shërbimin e sëmundjeve internistike, ku janë marrë të dhënat, anamneza, analizat laboratorike, janë kryer të gjitha ekzaminimet përcjellëse, po ashtu janë kryer ekzaminimet e konsulencave mjekësore dhe pas trajtimit internistik është dërguar për në dhomën e kirurgjisë ku është kërkuar mendimi specialistit të kirurgjisë abdominale dhe pas konfirmimit dhe pas të gjitha këtyre konsulencave është liruar për trajtim të mëtutjeshëm për në shtëpi”, ka thënë Lenjani.

Ai ka pohuar se pas pranimit në klinikë, për rastin e të moshuarit janë kryer një sërë analizash mjekësore.  Lidhur me qëndrimin e të moshuarit jashtë në korridor, Lenjani ka sqaruar se nuk është detyrë e Klinikës Emergjentë ta transportojë të sëmurin në shtëpi pasi të jetë liruar nga klinika.

Lenjani: Për pacientin janë kryer mbi 19 analiza

“Kemi më tepër se 19 analiza laboratorike të cilat janë kryer për rastin në fjalë. Të gjitha rastet të cilat kanë kërkuar shërbime emergjente kanë marrë mbështetje laboratorike, radiologjike konsulenca mjekësore dhe në momentin kur pacienti del jashtë hapësirave punuese, është detyrim që stafi i Klinikës Emergjente ta protokollojë, dhe rastet e tilla, ne si klinikë Emergjente, jemi institucion terciar që nuk e kemi për detyrim të bëjmë transportin e të sëmurit për ta kthyer në shtëpi, meqënëse kjo komponentë i takon shërbimeve emergjente por edhe spitalore”, ka thënë Lenjani.

Ai ka thënë se pavarësisht numrit të madh të pacientëve që po pranon kjo klinikë, ata mbeten të përkushtuar në shërbim të qytetarëve.

Lenjani: Vetëm gjatë vitit 2018 kemi pranuar 57 mijë raste

“Vetëm për periudhën janar – dhjetor të vitit 2018 në Klinikën Emergjente kanë kërkuar (tretman) mbi 57 mijë raste në krahasim me vitet e kaluara ku ky numër kishte arritur në 40 mijë raste. Ky mbipopullim i shërbimit të klinikës emergjente është tejet ngarkesë prej rasteve të cilat dërgohen nga qendrat e mjekësisë familjare dhe nga spitalet regjionale. Përkundër kësaj ne kemi bërë shumë tolerime, të gjitha ato raste të cilat vinë me udhëzime të drejtuar nga mjeku familjar apo nga spitalet regjionale, e kanë qasjen në shërbimin emergjent mjekësor”, ka thënë Lenjani.

I pyetur nga gazetarët se a ka qenë në gjendje të mirë pacienti për t’u dërguar në shtëpi, Lenjani ka thënë se një gjë e tillë është vendosur pas ekzaminimeve të pacientit nga specialistët e shërbimeve kardiologjike, pulmologjike si dhe kirurgjisë abdominale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat