430 kandidatë nënshkruajnë kontratat për policë të Kosovës

Aktuale

430 kandidatë nënshkruajnë kontratat për policë të Kosovës

Më: 18 janar 2019 Në ora: 17:05
Policia

Katërqind e tridhjetë kandidatë janë përzgjedhur për vijimin e trajnimeve teorike dhe praktike për policë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Në mesin e tyre, 30 përqind janë femra, ndërsa, 26 minoritete. Në këtë konkurs kishin aplikuar 17 mijë e 620 kandidatë.

Fjolla Morina 28 vjeçare, që nga e hëna do të vijojë trajnimet teorike në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Morina është një nga 430 kandidatët potencialë për Polici të Kosovës.

Ajo për kp ka thënë se që nga prilli i vitit të kaluar, kur edhe kishte filluar procesi i aplikimit për Polici të Kosovës, kishte kaluar në vështirësi të shumta.

Morina: Dëshira për t’u bërë police ka qenë më e madhe se vështirësitë

“Para cilido testimi edhe përfundimi kur kanë dal listat, gjithmonë kam pas stres edhe më shumë frikë i kam qel uebsajtin me pa. Mirëpo gjithmonë me atë shpresën se dëshira dhe ëndrra ime me qenë police, u kon ma e madhe se sa vështirësitë që i kam kaluar. Edhe pavarësisht frikës që e kam përjetu gjatë procesit, prapë e kam ditë se kam me arrit”, ka thënë Morina.

Ajo tha se ky proces ishte mjaft stresues, mirëpo u shpreh se me zotësi do të mundohet të mbrojë vendin dhe uniformën e Kosovës.

Njëjtë thotë edhe Bujar Shala, i cili tregon se është mjaft i emocionuar për sfidën që do e kalojë.

Shala: Ka qenë proces mjaft i vështirë

“Ka qenë një proces mjaft i ngarkum, mjaft i vështirë. Ka pas sfida të mjaftueshme gjatë këtij procesi. Mirëpo, duke marrë parasysh përgatitjet tona, duke marrë parasysh kredibiletin si institucion i policisë, atëherë jemi përgatit mjaftueshëm që të arrijmë të tejkalojmë këto faza. Duke marrë parasysh testin me shkrim, përgatitjet fizike edhe deri te faza finale që ka qenë nënshkrimi i kontratës”, tha ai.

Zëdhënësi për media në Policinë e Kosovës, Daut Hoxha ka treguar sa është numri i përgjithshëm i kandidatëve potencial të zgjedhur për Polici të Kosovës.

Hoxha:  Janë 430 kandidatë në gjeneratën e re të Policisë së Kosovës

“Në konkursin për policë, ka qenë i shpallur në muajin prill të vitit të kaluar, i cili konkurs për aplikim deri më 9 maj të vitit 2018 për zyrtarë policorë kanë aplikuar gjithsej 17 mijë e 620 kandidatë dhe prej tyre kanë qenë 2000 e 366 femra, ndërsa meshkuj kanë qenë 15 mijë e 254. Në listën meritore, me 70 për qind të poenave e më lartë kanë kaluar 2297 kandidatë, ndërsa për nënshkrim të kontratës, për gjeneratën e re, do të thotë, do të jetë gjenerata e 54 e Policisë së Kosovës, janë ftuar gjithsej 430 kandidatë sipas listës meritore “, tha Hoxha.

Që nga 21 janari do të fillojnë trajnimet teorike për të gjithë këta kandidatë, të cilat do të zgjasin shtatë muaj, e më pastaj trajnimet praktike 2 vjeçare.

Hoxha ka folur po ashtu edhe për masat afirmative që janë marrë gjatë këtij procesi.

Hoxha: 30 për qind e kësaj gjenerate i përkasin gjinisë femërore

“Gjatë këtij procesi janë marrë në konsiderim edhe masat afirmative, dhe diku rreth 30 për qind të kësaj gjenerate i përkasin gjinisë femërore. Gjithashtu në kuadër të këtij numri, 430 kandidatë që kanë nënshkruar kontratat, kemi edhe të ri dhe të reja, grupe minoritare, respektivisht 26 janë të nacionalitetit serb, por ka edhe minoritete tjera, të cilat kanë shpreh vullnetin, për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës”, ka përfunduar Hoxha.

Bujar Shala e Fjolla Morina, ndjehen të emocionuar për këtë proces që do të fillojnë gjatë javës së ardhshme. Ata madje zotohen, se gjatë këtyre dy viteve do të mundohen, të arrijnë të marrin aftësitë e duhura, që në të ardhmen t’i shërbejnë Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat