Kosova kërkon që Beogradi t’i japë fund trysnisë ndaj pjesëtarëve të FSK-së

Aktuale

Kosova kërkon që Beogradi t’i japë fund trysnisë ndaj pjesëtarëve të FSK-së

Më: 19 janar 2019 Në ora: 23:26
Autoritetet në Kosovë reaguan të shtunën pas njoftimit për ndalimin e dy pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë

Autoritetet në Kosovë reaguan të shtunën pas njoftimit për ndalimin e dy pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë nga autoritetet serbe, në vendkalimin kufitar Jarinjë, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas zyrtarëve të Forcës së Sigurisë, dy pjesëtarë të komunitetit jo shumicë të kësaj forcë, janë ndaluar në kufirin ndërmjet dy vendeve dhe janë marrë në pyetje nga zyrtarët serb. Të dy pjesëtarët e Forcës së Sigurisë janë liruar, por ngjarja nxiti reagime të shumta të autoriteteve në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nëpërmjet një postimi në rrjetin Facebook tha se në “vazhdën e trysnive dhe persekutimeve çnjerëzore ndaj pjesëtarëve të FSK-së të komuniteteve jo-shumicë, sot në vendkalimin kufitar shtetëror në Jarinjë, nga autoritetet serbe janë ndaluar Alen dhe Anel Ujkanovic. Ndalimi i tyre është tërësisht i papranueshëm dhe kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tyre. Rastet si ky, popullit të Kosovës i kujtojnë kohën dhe regjimin e Milloshevicit, i cili si duket ende jeton tek fqinji ynë Verior”,thuhet në reagimin e kryeministrit Haradinaj.

Edhe ministri i punëve të jashtme, Behgjet Pacolli dënoi siç tha në “mënyrën më të fuqishme frikësimin e serbëve të Kosovës nga autoritetet e Beogradit, kërcënime këto ndaj tyre për t’i bojkotuar Institucionet e Kosovës. Ftoj Bashkimin Evropian që të reagojë menjëherë”.

Gjatë vitit të kaluar një grup pjesëtarësh të komunitetit serb në Forcën e Sigurisë së Kosovës, kërkuan lirimin nga detyra për shkak të trysnisë së Beogradit. Përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës, thonë se kërkesat e tilla të pjesëtarëve të kësaj force nga radhët e komunitetit serb, janë përpjekje për të dëmtuar imazhin e kësaj force nga Beogradi.

Më 14 dhjetor me shumicë votash, parlamenti i Kosovës miratoi ligjet që i hapën rrugën themelimit të ushtrisë së saj, gjë që nxiti zemërimin e Beogradit zyrtar.

Forca e Sigurisë së Kosovës, pritet të ketë 5 mijë trupa aktiv dhe 3 mijë rezervë, të armatosur lehtë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat