Donika Kada me një lajm për shtesat e fëmijëve

Aktuale

Donika Kada me një lajm për shtesat e fëmijëve

Më: 20 janar 2019 Në ora: 00:26
Donika Kadaj-Bujupi

Fëmijët e Kosovës nuk do t’i marrin shtesat këtë vit, siç u premtua.

Rezoluta e votuar në Kuvendin e Kosovës ende nuk është hartuar në ligj nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe rrjedhimisht me këtë vonesë nuk do të mundë të përfshihet as në buxhetin e vitit 2019, kur të dalë në votim.

Iniciuesja e kësaj çështjeje, deputetja e AAK-së Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se presin që brenda këtij viti të fillojë zbatimi i rezolutës. Ajo theksoi se Qeveria e ka marrë me prioritet këtë çështje dhe se hartimi i saj në legjislacion është në punë e sipër.

“Ne kemi bërë punën tonë, si deputetë kemi nxjerrë rezolutën e cila e obligon Qeverinë brenda viti 2019 që të fillojë implementimin e pikave nga kjo rezolutë, që nënkupton zbatimin e votimit tonë për shtesat e fëmijëve. Kam informata nga niveli qeverisës se kryeministri e ka përcjellë me prioritet këtë çështje në Ministrinë e Punës dhe tani gupet punuese janë në punë e sipër që të hartojnë edhe pjesën e mbetur të legjislacionit, i cili do të mundësojë zbatimin e kësaj rezolute përmes aplikimit të shtesave për fëmijë”, ka thënë Bujupi.

Deputetja është shprehur se në këto shtesa do të ketë kategorizim të atyre që do t’i marrin, kështu duke krijuar mundësitë që fëmijët prej familjeve në nevojë të gëzojnë shtesa më të larta se ata që qëndrojnë më mirë financiarisht.

“Në njërën nga pikat e rezolutës kërkohet që të ketë edhe një kategorizim, meqë deputetët kanë konsideruar që ata që kanë të hyra më të vogla të kenë mundësi që të gëzojnë shtesa më të mëdha, kjo ka qenë arsyeja pse e kemi vënë pikën e kategorizimit dhe unë besoj fuqishëm që Qeveria do ta zbatojë në këtë frymë. Normalisht që kjo është vetëm një nismë e cila është vonuar dhe do të rritet varësisht prej rritjes së buxhetit”, ka thënë Bujupi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat