Nitaj: Kanë dezertuar ata që merrnin merita për taksën - Bota Sot
Nitaj: Kanë dezertuar ata që merrnin merita për taksën

Aktuale

Nitaj: Kanë dezertuar ata që merrnin merita për taksën

Më: 20 janar 2019 Në ora: 18:37
Ramush Haradinaj dhe Muharrem Nitaj

Deputeti i AAK’së, Muharrem Nitaj i ka dalë në përkrahje Ramush Haradinajt për veprimet e tij lidhur me kërkesën e amerikanëve për të tërhequr taksën ndaj produkteve serbe.

Nitaj ka thënë se ata që merrnin merita se kush vendosi taksën ndaj Serbisë e Bosnjës kanë dezertuar dhe janë fshehur.

Nuk ka përmendur emra, por, merita për këtë taksë kanë marrë zyrtarët e PDK’së e NISMA’s.

Së fundmi, Jakup Krasniqi i NISMA’s kërkoi të mos hiqet taksa edhe nëse shkarkohet Haradinaj.

Muharrem Nitaj ka pyetur nëse Ramush Haradinaj duhet të jetë i vetëm në betejën për mbrojtjen e taksës.

“Ra ky mort e u pamë dhe edhe ata që ende nuk kanë guxim të shprehen kundër taksës, nuk thonë “Kryeministër jemi ne ty”, por i sugjerojnë atij që më mirë të japë dorëheqje se sa ta heqë taksën. Thua që kjo taksë është e Ramush Haradinjat dhe vetëm ai duhet të luftoj e ta mbrojë atë”, ka thënë Nitaj.

Ky zyrtar i AAK’së është treguar i ashpër me udhëheqësit e PDK’së që po kërkojnë heqjen e taksës. Ka thënë se të njëjtit po flasin sikur taksa ishte kundër SHBA’së e BE’së.

“Madje qe vlerësuar si vendimi më i rëndësishëm i kësaj Qeverie, meritat për të cilin u munduan t’i marrin nga i pari te i fundit. Por pak ditë më vonë, e pas reagimit amerikan, ata që e kishin mbështetur, filluan të dezertojnë e të distancohen nga taksa, dhe të flasin sikur ajo ishte taksë kundër ShBA dhe BE! Prandaj a duhet që Kryeministri Haradinaj të shndërrohet në luftetarin e fundit edhe për mbrojtjen e kësaj takse, kur të tjerët tashmë po bëjnë sehir!”, ka shtuar Nitaj.

Ramush Haradinaj kishte dhënë fjalë të mëdha kur e kishte marrë vendimin për taksë. Ishte zotuar se nuk do ta hiqte këtë masë derisa Serbia të njohë Kosovën.

Mirëpo, presioni amerikan, duket se Kryeministrin do ta detyrojë që taksën ta heqë javën e ardhshme.

Muharrem Nitaj nuk ka përgjigje nëse duhet bërë rezistencë edhe kërkesës amerikane. Por, zotohet se do t’i qëndrojë prapë Kryeministrit në çfarëdo vendimi që merr.

“Unë e di përgjigjen por nuk do t’ia them asnjëherë sepse disa njerëz nuk bëhën por lindin luftetar të vendit të vet! I tillë ka lindur Ramush Haradinaj! Unë krejt çka mund t’i them atij është se në këtë betejë jam me të sikurse, jam i bindur, edhe shumica e shqiptarëve kudo që janë!”, ka shtuar ai.

Qeveria Kosovës kishte marrë vendim për taksë ndaj produkteve serbe e boshnjake pasi Serbia kishte nisur një fushatë kundër njohjeve të Kosovës.Fillimisht ishte vendosur taksa 10 për qind për t’u vendosur në fund të vitit të kaluar në 100 për qind.

SHBA ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të taksës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar dje të dëgjohet këshilla e amerikanëve. Ka thënë se SHBA nuk e ka të pakushtëzuar përkrahjen për Kosovën. 

Madje, ka thënë se për teke të ndonjë lideri s’bën të rrezikohet partnertiti i Kosovës me SHBA’në.

Ndërkohë, sot, Jakup Krasniqi e ka këshilluar Ramush Haradinaj të shkojë vendi në zgjedhje e të mos hiqet taksa ndaj produkteve serbe e boshnjake pavarësisht kërkesave të Presidentit Hashim Thaçi, SHBA’së dhe BE.

“Në një situatë të tillë, për Kryeministrin e Kosovës, çdo variant i shkuarjes në zgjedhje është më i mirë, se sa heqja eventuale e taksës ndaj Serbisë. Kursi i ri duhet vazhduar!”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se gjithë ata që po kërkojnë heqjen e taksës – liderët e Kosovës – po e bëjnë këtë për interesa personale.

“...ata janë duke i mbrojtur interesat kryekreje personale e aspak shtetërore e kombëtare”, ka shtuar ai.

Krasniqi e ka krahasuar Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi me ish-funksionarët shqiptarë në Jugosllavi. Ka thënë se ish-kreu i PDK’së po bën presin Qeverisë për interes personal që të hiqet taksa.

“Ai apo ata që taksën ndaj Serbisë e Bosnjës, sidomos ndaj Serbisë e konsiderojnë si një veprim a teke personale të një lideri shtetëror e cilat “teke nuk guxojnë  të lëndojnë interesin tonë shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së”?! Diçka të tillë sikur të thoshin nostalgjikët e Beogradit, që nuk mungojnë në Kosovë, të cilët tani janë të heshtur, por që nxjerrin kokën kohë pas kohe, mbase edhe do të kuptoheshin disi”, ka shtuar ai.

Ish-Kryetari i Kuvendit ka thënë se Hashim Thaçi dhe zyrtarët e LDK’së janë mësuar të nënshtrohen derisa serbët të trimërohen.

“Kjo do të thotë që sa më shumë që të nënshtrohen të parët tanë si Thaçi e zyrtarë të LDK-së, aq më shumë do të trimërohen ata që nuk u distancuan as edhe një herë nga politika e gjenocidit serb”, ka shtuar Krasniqi.

Në anën tjetër, nënkryetari tjetër i AAK’së, Pal Lekaj, ka thënë dje se vendimi për mos heqjen e taksës me Serbinë nuk cenon raportet e Kosovës me Amerikën.

Në këtë mënyrë, Lekaj i është përgjigjur Presidentit Hashim Thaçi, i cili kërkoi nga Qeveria që të dëgjohet këshilla e SHBA’së për heqjen e takës.

“Të gjithë jemi krenarë për miqësinë që e kemi me Amerikën. Vendimet e institucioneve shtetërore, siç është ky për taksën, nuk e rrezikojnë miqësinë dhe koordinimin që e kemi që dhjetëra dekada me SHBA’në”, ka thënë Lekaj, për Express, të shtunën.
Lekaj ka thënë se askush s’mund t’i lëvizë raportet Kosovë-Serbi. Ka thënë se Ramush Haradinaj vetëm sa i ka thelluar këto raportet me amerikanët.

“Ashtu siç e kemi çliruar, e ndërtuar shtetin e Kosovës, bashkë me Amerikën do të vazhdojmë t’ua ruajmë sovranitetin nga jashtë dhe të zhvillojmë brenda. Miqësia jonë me Amerikën është e ndërtuar në themelet e dy popujve, të cilën vështirë se mund ta lëkund dikush. Kryeministri e ka dëshmuar në vazhdimësi bashkëpunimin me SHBA për të mirën e dy popujve”, ka shtuar ai.

Edhe Blerim Kuçi, ka thënë se taksa me Serbinë ka arritur efektet në aspektin politik dhe ekonomik.

Mirëpo, nuk ka dashur të komentojë nëse Qeveria e Kosovës duhet të pezullojë përkohësisht taksën siç kanë kërkuar amerikanët.

“Si deputet, taksa i ka arritur efektet. Ka qenë njëri prej potezave, jo vetëm në aspektin ekonomik, por i ka dhënë dinjitet Kosovës. Duhet të shfrytëzohet maksimalisht në raport me Serbinë”, ka thënë Kuçi.

Departamenti i Shtetit, në fund të vitit të kaluar i kishte shkruar Kryeministrit të Kosovës që të heq taksën. Është përsëritur e njëjta kërkesë drejtuar udhëheqësve të Kosovës edhe nga Ambasada në Prishtinë. Është thënë se Amerika kërkon pezullimin e menjëhershëm të taksës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...