Haradinaj: Arsimtarëve do t’ju rritim pagat për 20 milionë euro në vit, SBASHK-u nuk pranon ofertën - Bota Sot
Haradinaj: Arsimtarëve do t’ju rritim pagat për 20 milionë euro në vit, SBASHK-u nuk pranon ofertën

Aktuale

Haradinaj: Arsimtarëve do t’ju rritim pagat për 20 milionë euro në vit, SBASHK-u nuk pranon ofertën

Më: 20 janar 2019 Në ora: 19:45
Pamje nga takimi i sotëm

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një takimi që kishte sonte me përfaqësuesit e SBASHK-ut, ka bërë të ditur Qeveria ka vendosur të rrisë pagat për mësimdhënësit, ndërsa ka kërkuar nga SBASHK-u të ndërpresë grevën e filluar më 14 janar.

Ai tha se Qeveria ka ndarë 20 milionë euro rritje të pagave në arsim dhe se rritja substanciale e pagave është votuar nga të gjitha partitë, si dhe është përkrahur nga Ministria e Financave.

Haradinaj: Qeveria ka rënë dakord për rreth 20 milionë rritje për paga në arsim

“Tani ka ndodhur një rritje substanciale e pagave dhe kjo rritje është votuar në Komisionin për Buxhet nga të gjitha partitë, edhe atyre opozitare. Edhe e atyre në koalicionin qeverisës, njëkohësisht është e përkrahur edhe nga ministri i Financave dhe rritja është si vijon:  Për mësimdhënësit e shkollave të mesme paga është rritur nga 523 në 597.8 euro, që i bie 74 euro rritje nga paga aktuale. Numri i mësimdhënësve janë rreth pesë mijë për arsimin e mesëm. Për arsimin fillor rritja është nga 479 në 525.8 euro, rritja është 46 euro. Për mësimdhënësit në arsimin parashkollor ka rritje nga 447 në 501.9 euro, rritja 54 euro. Me këtë nëse flasim për 30 mijë mësimdhënës sa janë, atëherë i bie që Qeveria e Kosovës e ka pranuar  dhe respektuar kërkesën e grevistëve, dhe ka rënë dakord për rreth 20 milionë rritje për pagat për arsimin”, ka thënë ai.

Haradinaj tha se përmes një letre ka kërkuar nga kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj që nesër urgjent të takohet me këshillin grevist dhe që nesër të fillojë mësimi.

Haradinaj: S’ka oferta tjera

“Ekziston një rrezik- nëse këshilli grevist vlerëson të vazhdojë grevën me bindjen se kjo është një ofertë dhe vjen tjetra, në fakt nuk kemi oferta tjera, është e pamundshme të shkojmë në ofertë të re, sepse kur votohet ligji, nuk ka kush me e nxjerr prej greve, mbesin peng. Ata që japin këshilla se mund të ndodh edhe një ofertë, bëjnë kalkulime gabim. Ekziston një mundësi pas votimit të ligjit të vendoset në dialog për të biseduar për statusin e tyre të ardhshëm, por nuk diskutohet më për këtë ligj... Nëse fillojnë me mësim nesër këtë e fitojnë”, tha Haradinaj.

Derisa përfaqësuesit e SBASHK-ut nuk ishin pjesë e konferencës për media të kryeministrit Haradinaj, ky i fundit ka shtuar se nuk ka marrë ndonjë aprovim nga përfaqësuesit e SBASHK-ut rreth rritjes së pagave.

Haradinaj: S'kemi pajtimin e SBASHK-ut

“Nuk kemi marrë një konfirmim të pajtimit, por kam bërë përpjekje për t’i informuar se për çfarë është fjala që të mos e keqkuptojnë”, tha Haradinaj.

Greva e mësimdhënësve ka filluar më 14 janar dhe ata, ndër të tjera, kërkojnë rritjen e koeficientit për paga prej 30 për qind.

Greva në arsim vazhdon, SBASHK-u nuk pranon ofertën e Haradinajt

SBASHK-u nuk po pranon ofertën e kryeministrit Ramush Haradinajt për rritje të pagave në 20 milionë euro në vit.

Kryetari i SBASHK-ut për Prishtinë, Ahmet Pllana, tha se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre për të rritur koeficientin.

“SBASHK do të vashdojë grevën derisa Qeveria pranon të rrisë koeficientin nga 2 në 2.6 për shkolla fillore. Nëse nuk plotësohenn kërkesat tona do të mblidhet Këshilli dhe do të merren masa më të ashpra deri në protesta”, tha Pllana.

Ndërkaq, Haradinaj pas takimit me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharajt, ka dalë në një konferencë për media ku tha se bashkë me ministrin e Financave kanë marrë vendim për ngritje pagash.

***

Një takim mes kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, dhe përfaqësuesve të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), është zhvilluar në mbrëmjen e së dielës, në zyrën e shefit të ekzekutivit.

Temë e vetme e takimit ka qenë greva në arsim, e nisur javën e kaluar, teksa mësimdhënësit janë të vendosur të mos punojnë derisa në Projektligjin për paga koeficientet e punëtorëve të arsimit nuk ngrihen për 30 për qind.

Takimi Haradinaj-SBASHK është zhvilluar pasi raportet e Qeverisë së Kosovës dhe SBASHK’ut janë ashpërsuar edhe më shumë pas paralajmërimeve se greva do të vazhdojë edhe javën e ardhshme.

Pas takimit me përfaqësuesit e SBASHK’ut, kryeministri i vendit ka mbajtur një konferencë për media.

Para gazetarëve, ai ka thënë se Qeveria ka rritur pagat për arsimtarët për 20 milionë euro në vit.

Haradinaj ka thënë se u ka kërkuar SBASHK’ut që nesër (e hënë) të rinisë mësimi.

Kryeministri ka paralajmëruar SBASHK’un që ofertë tjetër, Qeveria s’mund t’ju bëjë.

I pyetur nëse SBASHK’u ka pranuar ofertën, Haradinaj është përgjigjur: “Nuk kemi marrë një konfirmim të pajtimit”.

Shkrimi i Haradinajt në Facebook:

Të dashur qytetarë të Republikës Kosovës. Sot kam pritur në takim kryetarin e Sindikatës së SBASHK Rrahman Jashari, të cilit ia prezantova ofertën e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Për mbi 20 mijë të punësuar në sektorin e arsimit, vlera e rritjes është rreth 20 milionë euro në vit. Kjo është oferta më e madhe që i bëhet sektorit të arsimit dhe u bëjë thirrje të gjithë edukatorëve, mësimdhënësve që t’i kthehen punës, t’i kthehen procesit mësimor.

Per 5.000 mësimdhënës në shkollat e mesme, nga 74.8 euro më shumë në muaj

Per 14.790 mësimdhënës në arsimin fillorë, nga 46.8 euro më shumë ne muaj

Per 912 mësimdhënës ne arsimin parashkollor, nga 49.8 euro më shumë ne muaj

Për 125 mësimdhënës në shkollat speciale, nga 49.8 euro më shumë në muaj

Do të ishte një mashtrim nëse grevistët mendojnë që do ta kenë një ofertë tjetër. Kjo është oferta e Qeverisë, 20 milionë euro më shumë për arsim.

Punë të mbarë të gjithë punëtorëve të arsimit. Do të jemi bashkë gjithmonë dhe duke vendos komunikim të vazhdueshëm, do të përpiqemi që edhe në të ardhmen të përmirësojmë pozitën e edukatorëve të fëmijëve tanë.

Image

***

Ka filluar takimi midis Kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Në këtë takim pritet të diskutohet rreth ndërprerjes së grevës së përgjithshme në tërë sistemin arsimorë të Kosovës

Ky takim është planifikuar të zhvillohet në ndërtesën e Qeverisë nga ora 19:00.

Kujtojmë se me kërkesën e SBAShK-ut, sistemi arsimor në Kosovë është në grevë që nga e hëna, kur do të duhej të fillonte gjysmëvjetori i dytë për nivelin parauniversitar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...