A do të dorëzohet SBASHK-u karshi kërkesave të kryetarëve të komunave - Bota Sot
A do të dorëzohet SBASHK-u karshi kërkesave të kryetarëve të komunave

Aktuale

A do të dorëzohet SBASHK-u karshi kërkesave të kryetarëve të komunave

Më: 21 janar 2019 Në ora: 00:12
Foto ilustrim

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), ka vendosur që të vazhdojë greva e mësimdhënësve.

Nëntë komuna të vendit kanë bërë thirrje që nesër të rifillojë mësimi pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritje të pagave.

Komuna e Prishtinës, Mitrovicës, Rahovecit, Junikut, Deçanit, Obiliqit, Hani i Elezit, Vitisë dhe e Mamushës kanë bërë thirrje që nesër të rifilojë mësimi.

Të gjithë kryetarët e këtyre komunave kanë bërë thirrje që pas vendimit të Qeverisë të rifillojë mësimi.

Sipas shumicës prej kryetarëve, pas këtij vendimi nuk ka më logjikë që të mos rifillojë mësimi pasi që siç thonë ata, janë nxënësit ata që po e pësojnë më së shumti mos mbajtjen e mësimit.

Mirëpo, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se pavarësisht këtyre deklaratave të kryetarëve të komunave, janë mësimdhënësit ata që vendosin për grevën.

“Kryetarët e komunave kanë dalë me këto deklarata, mirëpo për këtë vendosin mësimdhënësit e Kosovës dhe të punësuarit e tjerë në tërë sistemin arsimor. Komunikimin e kemi të vazhdueshëm, të gjithë do të jenë nesër në grevë”, ka thënë Jasharaj për kallxo.com.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pas takimit që sot ka pasur me kryetarin e SBASHK-ut Rrahman Jarashaj ka bërë të ditur se Qeveria ka vendosur që t’i ndajë 20 milionë euro në vit për mësimdhënëst.

Haradinaj ka bërë të ditur se ka propozuar që paga për mësimdhënësit në shkollat e mesme paga të jetë 597.80 euro nga 523 euro sa ka qenë deri më tani, pra 74 euro më shumë.

Për mësimdhënësit në shkollat fillore, Haradinaj ka propozuar që paga të jetë 525.80 euro nga 479 euro sa ka është momentalisht, pra të ketë ritje të pagës prej 46 euro.

Ndërsa për mësimdhënësit në arsimin parashkollor Haradinaj ka propozuar që paga të jetë 501.90 euro nga 447 euro sa është momentalisht, pra të ketë rritje për këtë kategori prej 54 eurove.

Mirëpo, ky vendim i Haradinajt është cilësuar si jo i drejtë nga SBASHK-u dhe në këtë mënyrë kjo Sindikatë ka vendosur që të vazhdohet greva në tërë Kosovën.

Se a do të fillojë mësimi nesër në këto nëntë komuna, kjo mbetet të shihet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...