Haradinaj-mësimdhënësve: Nuk është kohë pazaresh, mos i dënoni fëmijët tanë

Aktuale

Haradinaj-mësimdhënësve: Nuk është kohë pazaresh, mos i dënoni fëmijët tanë

Më: 21 janar 2019 Në ora: 11:36
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas vendimit për rritjen e pagave të mësimdhënësve dhe mos pajtimit nga SBAShK, ka thënë se nuk është kohë pazaresh, por është koha që të fokusohemi në ngritje të cilësisë në arsim, pasi rritja e pagës është dinjitoze dhe pritjet racionale janë që edhe reflektimi të jetë dinjitoz.

Haradinaj ka sqaruar se vendimi i Qeverisë për ngritje të pagave për punëtorët e arsimit erdhi pas një procesi serioz të shqyrtimit buxhetor nga Qeveria e vendit dhe u finalizua me pajtimin e plotë të të gjitha partive politike në komisionin parlamentar për administratë publike, qeverisje lokale dhe media.

Sipas tij, ky është vendim, që sfidon seriozisht kapacitet buxhetore, por duke marrë parasyshë rëndësinë që ka arsimi për të gjithë, mori përkrahje të gjërë.

“Është e padrejtë dhe jo etike që pas këtij vendimi të mohohet e drejta e fëmijëve tanë për shkollim e aq më pak të ankohet ndonjë punëtor arsimi për pagë të ultë. Nuk është kohë pazaresh, por është koha që të fokusohemi në ngritje të cilësisë në arsim. Rritja e pagës është dinjitoze dhe pritjet racionale janë që edhe reflektimi të jetë dinjitoz. Mos i dënoni fëmijët tanë. Të nderuar punëtorë të arsimit - keni pagë të respektuar”, ka thënë ai.

Haradinaj mbrëmë ka thënë se Qeveria ka ndarë 20 milionë euro rritje të pagave në arsim dhe se rritja substanciale e pagave është votuar nga të gjitha partitë, si dhe është përkrahur nga Ministria e Financave.

SBASHK-u ka hedhur poshtë ofertën e kryeministrit Ramush Haradinaj për ngritjen e koeficientit prej 0.2 për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar, duke paralajmëruar vazhdimin e grevës në ditët e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat