Shefi i Grupit Parlamenar të LDK-së, Avdulla Hoti së bashku me deputetët Lirije Kajtazi, Vjosa Osmani, Armend Zemaj dhe Driton Selmanaj kanë pritur në takim Përfaqësuesen dhe Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Gjatë këtij takimi është diskutuar lidhur me shumë çështje të rëndësishme për vendin si: procesi i Dialogut, Reformat në Administratën Publike, Edukimi, Ndotja e ajrit, Reformat zgjedhore, etj.
Siç thuhet në njoftim, Hoti e njoftoi Apostolovan për qëndrimet e Grupit Parlamentar të LDK-së, lidhur me proceset nëpër të cilat po kalon vendi.
Ai gjithashtu, duke falënderuar BE-në për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin shtetit të Kosovës, e siguroi shefen e BE-së, se Grupi Parlamentar i LDK-së, sikurse në të kaluarën, do të mbështetë ligjet që rrjedhin nga agjenda evropiane, njofton komunikata e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ndërsa, znj. Apostolova falënderoi kryetarin Hoti dhe deputetët e Grupit Parlamentar të LDK-së për rolin konstruktiv në zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës.