Abdixhiku thotë se greva duhet të vazhdojë, kujton marrëveshjen e nënshkruar nga Haradinaj e Veseli

Aktuale

Abdixhiku thotë se greva duhet të vazhdojë, kujton marrëveshjen e nënshkruar nga Haradinaj e Veseli

Nga: D.RR Më: 22 janar 2019 Në ora: 11:05
Abdixhiku thotë se greva duhet të vazhdojë, kujton marrëveshjen e nënshkruar nga Haradinaj e Veseli

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka publikuar një foto që ishte bërë para zgjedhjeve elektorale të fundit në Kosovë, e që ishte takimi mes Haradinajt e Veselit, së bashku me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jashari.

Në atë takim sipas Abdixhikut, ka qenë marrëveshja që SBASHK-u ta votojë PAN-in në këmbim të rritjes prej 30%.

Ndër tjera, Abdixhiku shkruan në Facebook se, “mashtrim nga të tre këta në foto”.

Postimi i plotë:

Të dashur mësimdhënës,

Kjo foto është bërë gjatë fushatës së fundit nacionale. Asokohe sindikata e juaj kishte nënshkruar marrëveshje parazgjedhore me Koalicionin PAN. Ndonëse ulja juaj në këtë tavolinë politike s’ishte fer hiç, e animi partiak i sindikatës ishte i paprecedentë, juve iu ishte dhënë megjithatë një fjalë - një premtim elektoral. Në këmbim të votës suaj, Haradinaj e Veseli do t’ua rrisnin pagat për 30%. Qysh në vitin e parë e thanë.

Sapo erdhën në pushtet, njëri Kryeministër e tjetri Kryeparlamentar, rritjen e vetme që bënë ishte për pagën e vet. Për plot 100% madje. Thanë se s’kishin para për kravatë. Më pas punësuan zëvendësministra, këshilltarë e asistentë - u bënë plot 400 sosh. Falën borxhe 50 milionëshe, dhuruan po aq në autostradë, shtuan lista fallce, e kur ju erdh rradha juve, thanë tash më s’kemi më para.

Mund të mos pajtohemi me kërkesat tuaja shumë, me idenë që plot të rinj e të reja sot në sektorin privat s’marrin hiç e kur marrin, marrin tre herë më pak; e edhe më pak me idenë që për dënim po i mbani fëmijët e jo këta që u dhanë fjalë por, megjithatë, për argument tuajin, ju keni një marrëveshje me ta. Një marrëveshje të nënshkruar me laps e fletë të bardhë për plot 30%. Çdo dorëzim nën këtë është mashtrim. Mashtrim nga të tre këta në foto.

Prandaj insistoni që fjala publike të ketë peshë, që premtimi elektoral të ketë vlerë. Që politikanët të mendohen mirë para çdo premtimi e fjale që japin në publik, e që sindikata t’u jep çfarë ju shet. Fjala publike e marrëveshja me laps duhet të kenë pasoja. Në fushatë jeni instrumentalizuar; në fushatë jeni mbajtur lartë; tash mos pranoni asgjë më pak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat