Komisioni kthen prapa projekt-statutin e Trepçës, kërkon plotësimin e tij

Aktuale

Komisioni kthen prapa projekt-statutin e Trepçës, kërkon plotësimin e tij

Më: 22 janar 2019 Në ora: 15:11
Pamje nga mbledhja e komisionit

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka kthyer prapa projekt-statutin e Trepçës, si rezultat i mos harmonizimit të amandamenteve nga qeveria, sindikata dhe bordi i Trepçës.

Pas vërejtjeve që dhanë deputetët e këtij komisioni, pati një dakordim që Bordi i Trepçës të sjellë para tyre një dokumentacion të plotë dhe, jo me orare të takimeve siç konsideruan të jetë draft-statuti i paraqitur.

Ata u treguan pothuajse të një mendjeje se Komisioni për Zhvillim Ekonomik nuk duhet të "fusë duart" në draft-statut, pasi që, sipas tyre, kjo është përgjegjësi e bordit.

Deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu vlerësoi se draft-statuti aktual është i njëjtë me atë që ka qenë më parë.

Sipas tij, mënyra më e mirë është që bordi të jap vërejtjet e veta, pasi propozuesi i statutit me ligj është bordi dhe sipas tij, nuk duhet që Komisioni të ndërhyjë në draft-statut.

Aliu: Kuvendi nuk ka pse të shtijë në dorë statutin e Trepçës

“Mendojmë që rruga edhe më e shpejtë, edhe më efikase, është që Bordi bashkë me Qeverinë t’i inkorporojnë këto vërejtje në statut dhe mos t’ia lënë këtë punë komisionit dhe Kuvendit. Nëse ne si Kuvend e marrim përsipër me e ripërpilu statutin, ne bimë në kundërshtim së pari me ligjin dhe e dyta mund të bëjmë gabime... 6:45 Pse këtë punë na e leni neve, këtë nuk po mundem me e kuptu. Pse duhet na tash me e marr me i shti duart në statut e me e ndryshu me bë amendamente. Është rrugë e gabueshme dhe e gjatë”, tha ai.

Të njëjtin mendim ndau edhe deputetja Hykmete Bajrami, e cila u shpreh kundër “futjes së duarve” në draft-statut, pasi tha se nuk kanë të drejtë ligjore ta bëjnë një gjë të tillë.

Sipas saj, kjo bëhet përmes amendamenteve, derisa theksoi se përgjegjësia është e aksionarëve.

Bajrami: Të kompletohet draft-statuti, përmbanë minutat e takimeve

 “Ne sot e kemi një propozim, nuk kemi një dokument që thirret ‘Marrëveshje në mes të Qeverisë dhe Sindikatës’. Jo, nuk thirret marrëveshje, kryetare. Janë minutat e takimeve dhe janë listat të cilat janë të nënshkrime... Ne e kontestojmë që në draft-statut munden me dhënë propozime stafi i komisionit, do të thotë nuk mundet me dhënë”, u shpreh ajo.

Ndërsa deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu tha se Trepça ka edhe probleme tjera, ku sot e kësaj dite nuk dihet nëse ndërmarrja aksionare Trepça është ndërmarrje publike.

Sejdiu: Të mos përsëritet gabimi që kemi bërë me ligjin për Trepçën

“As ndërmarrje publike nuk po i thonë. Nuk po kemi guximin me i thënë as çka është: ndërmarrje publike. Sa i përket statutit, mendoj se nuk duhet me e përsërit gabimin që e kemi bërë me ligj. Pra, nuk kemi nevojë të ngutemi, nëse mundemi me e bë këtë punë me hapat që po i propozon deputeti Aliu. Pra, ne jemi plotësisht dakord me këtë qasje. Pra, Bordi le të na e sjellë dokumentin final, dhe sipas nenit 6 të ligjit për Trepçën ne e procedojmë”, u shpreh ai.

Ndërsa deputeti Muharrem Nitaj tha se këtu ka një ngatërresë.  Sipas tij, në mungesë të një draft-statuti final, shihet se ka pasur telashe me metodologjinë e punës dhe kornizën e përpilimit të draftit.

E Memli Krasniqi nga PDK u shpreh se përtej përmbajtjes, duhet të realizohet edhe procedura për përpilimin e draft-statutit. Ai kërkoi nga Bordi që të sjellë para komisionit një tekst të integruar.

Ai luti anëtarin e bordit, Naser Pecin që të sjellë një dokument të kompletuar para komisionit, në mënyrë që të sjellin një dokument të integruar para komisionit.

Ky i fundit tha se fillimisht kishin menduar që të mos e ngarkojnë me shumë gjëra statutin. Peci theksoi se miratimi i statutit i hap rrugë Trepçës.

Pas kësaj, anëtari i bordit, Naser Peci tha se është e vështirë me u përfshi të gjitha në statut, teksa u shpreh se do të futin edhe asetet tjera aty, sipas rekomandimeve të grupit punues.

Peci: Ëshët vështirë me i përfshi të gjitha në statut, asetet tjera futen me kohë

“Si dokument themelues [statuti], sigurisht se vështirë është me u përfshi të gjitha, e dimë sa është komplekse Trepça në çdo aspekt, edhe në çështjet sociale. Mirëpo kjo që ka qenë ideja, që edhe kjo kolona e tretë që po e quaj tash, është shumë e përafërt me ato që u arritë marrëveshja. Edhe asetet tjera me kohë futen”, tha ai.

Kurse, Shyqyri Sadiku, kryetar i sindikatës së Trepçës, ka akuzuar Bordin e Trepçës si shkaktar të zvarritjes së procesit për draft-statutin.

Sipas tij, ky bord nuk i ka futur në draft-statut vërejtjet e dhëna nga sindikata.

Sadiku: Bordi i Trepçës është fajtor për gjithë këtë zvarritje

“Fatkeqësisht një bord i tillë që ka ardhur në Trepçë, krejt këto prolongime dhe zvarritje dihet se fajtor është Bordi i Trepçës. Bordi i Trepçës nuk ka dashur me bashkëpunu me Sindikatën”, u shpreh Sadiku.

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal vendosi që raporti i Panelit për zgjedhjen e Bordit të KOSTT t'i kalojë Kuvendit që të zgjedhë 6 anëtarë, nga 12 sa janë në listën e ngushtë.

Ndryshe, KosovaPress ka siguruar edhe listën me emrat e 12 kandidatëve që janë përzgejdhur për listën e ngushtë. Në vijim gjeni emrat e tyre të renditur sipas pikëve: Hekuran Murati,  Muzafer Shala, Enis Berisha, Nagip Krasniqi, Migjen Kukaj, Nagip Skenderi, Shkëlzen Nuza, Sejdi Rexhepi, Nebih Zaqiri, Naim Sahiti, Neron Berisha, Habib Basholli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat