Vazhdon greva në arsim, Haradinaj kërkon të rifillojë mësimi: Orët do kompensohen

Aktuale

Vazhdon greva në arsim, Haradinaj kërkon të rifillojë mësimi: Orët do kompensohen

Më: 22 janar 2019 Në ora: 17:05
Ramush Haradinaj

Edhe sot, në shkollat e Republikës së Kosovës ka vazhduar greva e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. SBAShK u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave dhe drejtorive arsimore që mos të bëjnë presion për thyerje të grevës. Ndërkohë që kryeministri i vendit. Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje që mësimi të rifillojë qysh nesër, duke bërë të ditur që kërkesa të tilla po merr edhe nga prindërit dhe nxënësit.

Në Kosovë sot është shënuar dita e shtatë e grevës në arsim që po mbahet në të gjitha komunat, përjashtuar shkollën “Heronjët e Dukagjinit “ në Gllogjan.

Gjatë ditës së sotme  kryetari i SBASHK-ut,  Rrahman Jasharaj me bashkëpunëtor vizitoi grevistët në komunën e Pejës,  dhe Këshillin Grevist në Deçan për të biseduar nga afër me ta për gjendjen në këtë komunë.

Vizita grevistëve iu bënë edhe në Prishtinë nga anëtarët tjerë të Këshillit Qendror Grevist në çerdhen “Xixëllonjat” në Prishtinë, ku biseduan për ofertën e ofruar nga qeveria si dhe vendimin që ka marrë Këshilli Drejtues i SBASHK-ut në takimin e djeshëm.

“Apelojmë të kryetarët e komunave,  si dhe të drejtoritë  arsimore,  që mos të bëjnë  presion për thyerje të grevës në komunat e tyre  dhe mos të përfshihen  në “konflikt”  derisa ata s’kanë mundësi të zgjedhjes së kërkesa ve të shtruara nga SBASHK-u,  kërkesa te cilat vlejnë për tërë territorin e Republikës së Kosovës . Njëherit  kërkojmë nga ata,  që para se ti ftojnë Këshillin Grevist   në biseda “informative” ti lexojnë ligjet mbi organizimin sindikal, ligjin e grevës dhe statutin e SBASHK-ut dhe nga  ato mund të marrin informata   të  sakta,  se greva është e shpallur në nivel vendi dhe këtë të drejt të shpalljes së grevës e ka pas Këshilli Drejtues i SBASHK-ut,  i  cili është i vetmi organ legjitim që mund ta përfundon grevën ne rast se janë plotësuar kërkesat”, thotë S BAShK.

“Të nderuar kryetarë të komunave, anëtarët e këshillave greviste nëpër komunat tuaja  janë punonjës tuaj,  por janë edhe përfaqësues të punëtorëve të cilët i kanë zgjedh në mënyrë  legjitime,  ata kanë një udhëheqës sindikal  ne nivel vendi,  i cili iu jep udhëzime si të veprohet gjatë grevës, sikurse edhe ju që po merrni udhëzime nga ”shefat” e juaj për ta thyer grevën dhe po kërkoni nga këshillat greviste që të bëhen të padëgjueshme ndaj zërit të udhëheqësit të tyre dhe zërit të anëtarësisë së tyre,  vetëm e vetëm që ju të përmbushni detyrën që ju ka dhënë “shefi “ i juaj|, thuhet tutje.

Ndërkohë, kryeministri i vendit, para gazetarëve sot tha se me vendimin që kanë marrë, kanë bërë një rritje substanciale e pagës.

Ai ftoi mësimdhënësit që të rifillojnë mësimin.

Haradinaj: Orët e humbura duhet të kompensohen, nuk është në interes të punonjësve të arsimit të humbin verën duke kompensuar orë

“Kërkesa e ime është, si kryetar qeverie, si prind, si qytetar që bashkndjejë me fëmijët që kanë mbet në shtëpi, marrim plot porosi nga prindërit, nxënësit, që të rikthehet procesi mësimor, që mos të u humbet kohë fëmijëve. Nuk e di sa mund të ndryshojë gjendja nëse ata rrinë kështu. Nuk po dua të bëhem as lajmëtar i mirë as i keq, le të dëgjojnë kënd vlerësojnë, sepse po u japin këshilla plot të tjerë, po e shoh prej adresave të tjera. Ajo që u kam thënë unë është e sinqertë, rritje serioze, e respektueshme , e konfirmuar e kanë votuar të gjitha partitë, edhe ato opozitare do të ishte racionale kthimi në mësim që nesër. Ju e dini duhet të kompensohen këto orë, nuk besoj që është në interesin e punonjësve të arsimit që të humbin verën duke i kompensuar orët, është më mirë t’i kthehen mësimit sa më shpejtë”, tha ai.

Nga data 14 janar SBAShK ka hyrë në grevë të përgjithshme me kërkesën e vetme; rritja e koeficientit të pagave të mësimdhënësve të arsimit prej 30 për qind.

Dy ditë më parë, qeveria ka ofruar 20 milionë euro në vit më shumë për pagat në këtë fushë. Megjithatë, SBAShK po vazhdon me grevën, që siç janë deklaruar ata, do të zgjasë deri në realizimin e kërkesës për rritje të koeficientit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat