Qeveria: Implementimi i TC “Kosova e Re” në fazë serioze

Aktuale

Qeveria: Implementimi i TC “Kosova e Re” në fazë serioze

Më: 22 janar 2019 Në ora: 17:28
Ramush Haradinaj

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është raportuar për procesin e realizmit të projektit të kontratës për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Bernhard Haider, përfaqësues i Contour Global për Kosovë ka informuar për punët e deritashme në këtë drejtim dhe ka theksuar se tashmë kanë përfunduar shumë nga proceset në përzgjedhjen e kompanisë projektuese dhe të financimit të projektit, që pritet të përfundojnë deri në mesin e muajit shkurt, ndërsa punët fillestare për ndërtimin e Termocentralit do të fillojnë në mars të këtij viti.

E kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga kjo kompani që të angazhojë sa më shumë kompani vendore në realizimin e ndërrimit të këtij termocentrali.

“Është lajm i mirë për Kosovën që projekti është në fazën më serioze tani dhe njoftimi që në muajin shkurt përcaktoheni për propozimet edhe teknike dhe financiare dhe në muajin mars edhe fillojnë punët e para. Kjo është dëshmia më e mirë. Ne kemi besim në ju si investitorë dhe jemi krenarë me kontratën që ka Kosova me ju. Falënderoj të gjitha institucionet e vendit, deputetët, partitë politike dhe Qeverinë para meje, Qeverinë “Mustafa”, sepse edhe ajo ka pasur kontribut në përgatitje të këtij projekti dhe sa i përket Kosovës, e mirëpresim faktin se po fillon me punë”, tha kryeministri Ramush Haradinaj.

Gjithashtu, në mbledhjen e sotme, me propozim të zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, është aprovuar vendimi për mbështetjen e Klubit të Prodhuesve Kosovarë me 35 mijë euro për implementimin e fushatës vetëdijësuese për prodhimet vendore dhe për konsumin e tyre.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar edhe projektligji për shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme është shqyrtuar dhe aprovuar edhe projektligji për pronën publike.

Me vendimin e aprovuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme është autorizuar Komisioni për Privatizimin e Ndërmarrjes Publike Qendrore “Telekomi i Kosovës.

Ndërsa, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale ka kërkuar nga kabineti qeveritar që sa më parë të procedojë me miratimin e Projektligjit për pushimin e lehonisë dhe pushimin prindëror që do t’i hapte rrugë funksionalizimit të Ligjit për punë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat