Sherifi thotë se Kosova u vetëmbrojt me vendosjen e taksës pas agresionit të Serbisë

Aktuale

Sherifi thotë se Kosova u vetëmbrojt me vendosjen e taksës pas agresionit të Serbisë

Më: 23 janar 2019 Në ora: 14:07
Bilall Sherifi

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi i shoqëruar nga deputetë të këtij subjekti kanë zhvilluar një takim me Shefen e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Sipas njoftimi të Grupit Parlamentar të Nismës në këtë takim është diskutuar për çështjet politike në vend.

Sherifi tha se Kosova ka përfunduar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave dhe pret nga BE që në pjesën e parë të këtij viti t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë.

Sa i përket dialogut, shefi i deputetëve të Nismës ka përsëritur qëndrimin e këtij subjekti së nuk pranohet temë diskutimi ndarja e territorit apo shkëmbimi i territoreve.

Sekretari i Nismës ka folur edhe për vendosjen e taksës, e cila thotë Sherifi së është një masë vetëmbrojtëse.

Njoftimi i plotë i GP të Nismës:

Sot, Kryetari i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate z. Bilall Sherifi së bashku me Kryetarin e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës z. Haxhi Shala, anëtaren e Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi znj. Albulena Balaj-Halimaj dhe anëtarin e Komisionit për Buxhet dhe Financa z. Enver Hoti, kanë pritur në takim Shefen e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Në këtë takim znj. Apostolova ka theksuar prioritetet e BE-së për Kosovën në vitin 2019. Gjitashtu, me theks të veçantë në këtë takim u fol për Dialogun Kosovë-Serbi, Liberalizimin e Vizave, Taksën 100% ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje-Hercekovina, Reforma në Administratën Publike, Reforma në Arsim, Reforma Zgjedhore, Ligjin për Paga dhe për Mjedisin.

kryetari i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate z. Bilall Sherifi theksoi se Kosova ka përfunduar gjitha detyrimet për Liberalizimin e Vizave dhe pret që vendet e BE-së në pjesën e parë të vitit 2019 t'i mundësojnë qytetarëve të Kosovës levizjen e lirë.

Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, z. Sherifi tha se qëndrimi i NISMA's në dialog është i ditur. Ne nuk pranojmë që temë diskutimi të jetë ndarja e territorit apo shkëmbimi i territoreve. Me formimin e Ekipit Shtetëror për dialog me Serbinë, bashkëdrejtues i të cilit është Kryetari i NISMA's z. Fatmir Limaj, besojmë që do të ketë progres në këtë çështje, tha ndër tjerash z. Sherifi.

Lidhur me Taksën e vendosur ndaj Serbisë dhe B&H-së, Kryetari i Grupit Parlamentar tha se është një vetëmbrojtje ndaj veprimeve që ka bërë ndër vite Serbia ndaj Kosovës. Taksa nuk duhet të largohet derisa pala Serbe të ndryshoj veprimet që ka bërë deri tani ndaj Kosovës. Çdo popull ka të drejt të mbrohet kur sulmohet, ne po mbrohemi nga sulmet agresive që po bën Serbia ndaj Kosovës, tha ndër tjerash z. Sherifi për Taksën ndaj Serbisë dhe B&H-së.

Ndër tjera, Kryetari i Grupit Parlamentar të NISMA's, Bilall Sherifi theksoi se NISMA Socialdemokrate është e përkushtuar që gjatë vitit 2019 të jep kontributin e saj në gjitha çështjet që janë prioritet për vendin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat