Ekipi i Kosovës nesër në Sarajevë për taksën, Endrit Shala tregon detaje

Aktuale

Ekipi i Kosovës nesër në Sarajevë për taksën, Endrit Shala tregon detaje

Më: 23 janar 2019 Në ora: 15:42
Endrit Shala

Me gjithë kërkesat e miqve aleatë për suspendim të taksës, Qeveria e Kosovës është e vendosur të mbajë në fuqi taksën 100% te vendosur ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala thotë se taksa duhet të mbetët në fuqi derisa këto dy shtete të ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës, dhe sipas tij, miqtë e Republikës së Kosovës duhet ta dinë këtë.

Disa ekspertë, të deleguar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, do të jenë nesër në Bosnje Hercegovinë, ku do të marrin pjesë në një takim të thirrur nga Bosnja, ku kjo e fundit ka kërkuar konsultime me zyrtarët e MTI-së.

Takimi do të mbahet në kuadër të CEFTA-s dhe MTI do të theksojë edhe njëherë arsyet e vendosjes së taksës ndaj këtij shteti dhe Serbisë.

Ditë më parë, ministri për Ekonomi dhe Tregti të Jashtme të Bosnje Hercegovinës, Mirko Sharoviq ka diskutuar mundësinë që Kosova të pezullojë taksën 100% ndaj produkteve të importuara nga ky vend.

Ai ka thënë që beson se në takimin e nesërm do të flitet për taksën.

Ministri Endrit Shala ka përsëritur që taksa do të mbetët në fuqi, derisa nuk eliminohen të gjitha arsyet për vendosjen e saj.

Shala: Taksa duhet të mbetët në fuqi

“Delegacioni i MTI-së këtë qëndrim do ta paraqet edhe në Bosnje Hercegovinë ashtu si e parasheh marrëveshja e CEFTA-s. Ju e dini që kjo masë është e paraparë edhe me marrëveshje te CEFTA-s në rastet kur një shteti të caktuar i rrezikohet siguria nacionale e kombëtare, dhe njëra nga arsye pse e kemi marrë një vendim të tillë ka qenë e bazuar edhe në vet marrëveshjen e CEFTA-s, rrezikimi i sigurisë nacionale, këto dy shtete çdo ditë e kanë rrezikuar, dhe vazhdojnë ta rrezikojnë sigurinë nacionale të shtetit tonë. Këto dy shtete me çdo veprim të tyre tentojnë ta zhbëjnë edhe vet qenien e Republikës së Kosovës, dhe përderisa këto dy shtete kanë një qëndrim të tillë në raport me Republikën e Kosovës, atëherë institucionet e Kosovës do të vazhdojnë ta mbajnë në fuqi një masë të tillë, do të duhej ta mbajnë në fuqi një masë të tillë”, thotë ai.

Kujtojmë se në dhjetor të vitit që shkoi, në Kosovë kishte dështuar takimi i Komitetit të CEFTA-s, pasi përfaqësuesi nga Serbia i është referuar Kosovës si “institucione të përkohshme dhe UNMIK”.

Shala thotë që as takimi i nesër, dhe asnjë tjetër, nuk do të mbahen nëse dikush nga pjesëmarrësit i referohet Kosovës me emër jo-kushtetues.

Shala: Nuk qëndrojmë në asnjë takim që i referohet Kosovës me emra jo-kushtetues

“Edhe në takimin nesër, nëse çdo kush i pranishëm në atë takim, në këtë rast nesër janë përfaqësuesit e CEFTA-s dhe të Republikës së Bosnjës, dhe të Kosovës, i referohet Kosovës me një emër tjetër që është jo kushtetues, delegacioni e di këtë çështje, e ka autorizimin tim që nuk e ka të lejuar të jetë i pranishëm, të vazhdojë praninë e tij në asnjë takim ku Kosova nuk trajtohet ashtu siç është, si shtet, kjo është pikë, ne kemi Kushtetutë, kushdo që bënë tjetër veprim e shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thotë ai.

Ndërkohë, Mirko Sharoviq kishte deklaruar edhe për mundësinë që të kërkojnë përjashtimin e Kosovës nga CEFTA, pas vendimit për taksë prej 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Bosnja e Hercegovina.

I pyetur për këtë, Shala thotë se Bosnja duhet të fillojë të krijojë raporte të mira me Kosovën , dhe ta trajtojë shtet.

Shala: Bosnja duhet të fillojë krijimin e raporteve të mira me Kosovën 

“Kush është Bosnja të kërkojë atë punë? Bosnja duhet të fillojë të mendojë që me Kosovën të krijojë raporte të mira, ashtu siç jemi të interesuar ne si shtet, me secilin fqinj tonin të krijojmë raporte të mira, tregtare, politike, shoqërore, të gjitha raportet të jenë në nivelin e duhur. Por edhe Bosnja edhe Serbia duhet të fillojnë të trajtojnë Kosovën  siç është, shtet”, thotë ai.

Kohët e fundit duket se janë rritë presionet ndaj Qeverisë së Kosovës për suspendimin e taksës 100%.

Madje dje, ambasadori amerikan Philip Kosnett ka takuar kryeministrin Ramush Haradinaj, dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli, me ftesë të këtij të fundit.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë pranon se tani ka kërkesa nga miqtë e Kosovës për suspendim të masës së vendosur, por sipas tij, të gjithë duhet ta dinë që Kosova është shtet.

Ai thekson se vendimi është marrë nga Kosova dhe vetëm Kosova do ta heq atë.

Shala: Kemi kërkesa për heqjen e taksës por miqtë tanë duhet ta dinë  që nuk heqet derisa të eliminohen arsyet pse është vendosë

“Unë po, ne kemi kërkesa nga miqtë e Kosovës, nga aleatët tonë, që të suspendohet një masë e tillë, por arsyet të cilat neve si qeveri na kanë shty të marrim një masë  të tillë vazhdojnë të jenë të pranishme, përderisa nuk eliminohen arsyet që neve si shtet na kanë shty të marrim një veprim të tillë me Bosnjën dhe Serbinë, atëherë kjo masa duhet të vazhdojë të jetë në fuqi. Këtë duhet ta dinë edhe miqtë tanë, Kosova është shtet, vendimet i marrim ne, këtë vendim e kemi marrë ne dhe Kosova vet e heq, por duhet ta heq kur të eliminohen këto arsye, kur Serbia dhe Bosnja të ndalojnë qasjen që e kanë me Republikën e Kosovës deri tash”, thotë ai.

Kujtojmë se në nëntor të 2018’ës, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për vendosjen e masës mbrojtëse për importin e të gjitha produkteve të prodhuara në Republikën e Serbisë dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, me 10% të masës.

Disa ditë më vonë, Qeveria vendosi për masën 100% ndaj produkteve të këtyre dy shteteve. E më vonë u mor vendim që taksa 100% të vendoset edhe për produktet ndërkombëtare por që vijnë nga Serbia.

Gjithashtu, ministri i Tregtisë dhe Industrisë nënshkroi urdhëresën që asnjë produkt mos të hyjë në Kosovë nëse nuk i referohet Kosovës shtet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat