Si e humbi jetën nga shpërthimi i minave gjakovari në Jemen, familjarët flasin - Bota Sot
Si e humbi jetën nga shpërthimi i minave gjakovari në Jemen, familjarët flasin

Aktuale

Si e humbi jetën nga shpërthimi i minave gjakovari në Jemen, familjarët flasin

Më: 23 janar 2019 Në ora: 18:53
Agim Hoti

Të dielën në Jemen, si pasojë e një eksplodimi humbën jetën pesë ekspertë të deminimit, në mesin e tyre edhe një kosovar. Sipas mediave ndërkombëtare, ekipi pjesë e të cilit ishte edhe Agim Hoti nga Gjakova, vdiqën si pasojë e shpërthimit të një makine e cila mbante mina të shkatërruara. Express të mërkurën ka qëndruar në shtëpinë e të ndjerit, ku edhe kanë rrëfyer për vdekjen e 43-vjeçarit

Këtë javë, Agimi do të vinte në Kosovë për të qenë afër familjes së tij në përvjetorin e vdekjes së nënës, por kjo nuk do të jetë e mundur, pasi 43-vjeçari nga Gjakova vdiq të dielën në Jemen nga një shpërthim i minave.

Që nga gushti i këtij viti, Agimi kishte shkuar në Jemen, për të trajnuar ushtarët e atjeshëm për deminim, ku edhe kishte lidhur kontratë 1-vjeçare.  Nga ajo periudhë, ai ka qenë dy herë në Kosovë për të vizituar familjen e tij.

Kontakti i fundit i familjes me Agimin ka qenë të shtunën, ku ai ka biseduar me bashkëshorten e tij, të cilës i ka thënë se të dielën do të marrë pjesë në një trajnim të ushtarëve për deminim, e ky ishte edhe kontakti i fundit i familjes me të.

Motra e Agmit, Nailja, ka rrëfyer se si e kanë marrë lajmin për vdekjen e vëllait.

“Me datën 20 kemi marrë një telefonatë nga udhëheqësi i misionit atje, i cili na ka njoftuar se vëllai ynë ka ndërruar jetë, si shkak i një eksplodimi, ashtu na është raportuar fillimisht dhe më vonë e kemi lexuar edhe në mediat ndërkombëtare të njëjtën gjë. Ndërkohë kemi kontaktuar me përgjegjësin e misionit por gjithashtu edhe me drejtorin e misionit në Angli, me të cilin jemi në kontakt vazhdimisht”, është shprehur Nailja.

Ajo thotë se ende nuk kanë në duar një raport zyrtar se si vdiq vëllai i saj, por nga informatat e para u është thënë se ka ndodhur një eksplodim dhe aty ka humbur jetën Agimi bashkë me katër persona të tjerë.

“Në telefon na kanë thënë se ka ndodhur një eksplodim, e lexuam se kanë qenë tri vetura, por ne nuk e dimë ende, por këta nuk kanë qenë duke deminuar, sepse në bisedën e fundit na ka thënë se do të ketë trajnim, d.m.th. nuk kanë qenë duke bërë deminim, duket se një transport i tyre ka qenë por nuk jemi të sigurt sepse nuk kemi një raport të shkruar. Ne ende nuk e kemi pranuar një raport zyrtar, të cilin kompania është e obliguar ta përpilojë, që të kem i një informacion më të hollësishëm”, rrëfen Nailja.

Ajo thotë se sot janë bërë 48 orë që nga vdekja e vëllait, ndërkaq procedura për investigim të rastit kërkon 48 deri në 72 orë.

“48 deri në 72 orë duhet të bëhet investigimi i rastit dhe kjo nënkupton se trupi i pajetë nuk mund të lëshohet për t’u sjellë në Kosovë. Pastaj duhet të nënshkruhet një kontratë e konfirmimit të vdekjes dhe fillon procedura e dërgimit të arkivolit. Kemi bërë kërkesë gjithashtu në Ministrinë e Punëve të Jashtme, të cilët na kanë dhënë përkrahje të madhe morale. Vullneti i tyre është që të na ndihmojnë dhe ta sjellin trupin e pajetë sa më shpejtë në Kosovë”, thekson Nailja.

Ajo ka treguar se Ambasada e Kosovës në Riad të Emirateve të Bashkuara ka caktuar një takim me Ambasadën e Jemenit në Riad, janë takuar dhe sipas informacioneve do të ndikojnë që të shpejtohet procedura e kthimit të trupit të pajetë të Agimit në Kosovë.

Ndërkaq, që nga viti 1998, Agimi ka filluar me misionet për deminim që kanë qenë në Kosovë. Motra e tij thotë se  aty edhe është njoftuar me punëdhënësin i cili e ka ftuar që t’i bashkangjitet në Jemen.

Motra e tij thotë se Agimi asnjëherë nuk ka thënë se është i rrezikuar, sepse ai kishte rolin e trajnuesit.

Ministrina e Punëve të Jashtme, të cilët kanë konfirmuar vdekjen e Agimit dhe kanë thënë se janë duke punuar që ta kthejnë në Kosovë trupin e pajetë.

“Ministria e Punëve të Jashtme nëpërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Riad është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetit e shtetit pritës, ku ka ndodhur incidenti, kompaninë respektive, ku ka punuar tashmë i ndjeri dhe me familjarët e viktimës për të ndihmuar dhe përshpejtuar procedurat e kthimit të trupit të viktimës në Kosovë”, ka thënë Sami Kastrati, Drejtor i Komunikimit në MPJ.

Agimi ka lënë pas vetës gruan dhe dy fëmijë, një vajzë 16-vjeçare dhe një djalë 15-vjeçar.

Lajmin për vdekjen e Agimit dhe katër personave tjerë e ka dhënë të dielën ndihma humanitare dhe qendra e ndihmës së mbretit Salman (KSRelief), të cilët kanë raportuar se një makinë që mbante mina që duhej të shkatërroheshin shpërtheu në provincën qendrore Marib.

Jemeni i shkatërruar nga lufta është shembulli i asaj që OKB e quan krizën më të keqe humanitare në botë, me 24 milionë njerëz që kanë nevojë për ndihmë dhe miliona në prag të urisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se rreth 10,000 jemenas janë vrarë që nga viti 2015, kur një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Sudite ndërhyri në mbështetje të qeverisë në luftën kundër rebelëve të mbështetur nga Irani.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...