Haradinaj pyetet për koalicionin, thotë se veç po forcohet

Aktuale

Haradinaj pyetet për koalicionin, thotë se veç po forcohet

Më: 24 janar 2019 Në ora: 14:32
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj vazhdon të ndjehet komod në pozitën e tij në krye të ekzekutivit. Thotë se zhvillimet e fundit për taksën nuk po e rrezikojnë koalicionin qeverisës.

Gjatë vizitës që Haradinaj i bëri ndërmarrjes "Fox Marble” në Puturoc të Lipjanit, tha se Qeveria vetëm sa po forcohet, me përkushtimin e saj për zhvillimin ekonomik të vendit.

I pyetur nëse zhvillimet e fundit për taksën, karshi presionit të BE-së dhe kërkesë së ShBA-së për heqjen e saj, ai u shpreh i bindur se koalicioni është stabil.

Haradinaj: Koalicioni veç po forcohet

"Veç po forcohemi. Koalicioni rrezikohet mos me pas sukses kompania këtu, mos me ndodh puna, mos me ndodh zhvillimi. Përderisa fokusohemi në punë, edhe ajo që kemi deklaruar që ky vit është vit i ekonomisë është shumë me rëndësi", tha ai.

Ai përsëriti se Qeveria ka kryer punën e vet me rritjen e pagave për mësimdhënësit, duke potencuar se të gjitha orët e humbura do të kompensohen.

Ndërkohë, Haradinaj foli edhe për të arriturat e ndërmarrjes të cilën e vizitoi, ku premtoi se do të gjendet gjithmonë pranë bizneseve, sa herë që u nevojitet roli i Qeverisë.

Sa i përket eksportit që kjo kompani po bënë në vendet e largëta, Haradinaj tha se po ndihmon në njohjen e Kosovës edhe në vendet që ende nuk e kanë njohur.

Haradinaj: Kjo veprimtari mund t'i bëjë emër Kosovës edhe në vendet që nuk na njohin

"Ky është një operatorë ekonomik shumë i rëndësishëm. Rëndësia e këtij operatori është se lënda e parë është prej Kosovës dhe produkti final është prej Kosovës. Njëkohësisht është një veprimtari që mundet me i bë edhe emër Kosovës. Ne mujmë.me bë emër edhe në ato ekonomi dhe në ato vende që nuk na kanë njoftë... Si Qeveri do t'i përkrahim me të gjitha ato veprime që janë detyrë e jona. Na nuk mundemi me i kry detyrat e kompanisë por detyrat tona po", u shpreh Haradinaj.

Naim Rrustemi, menaxher i kompanisë "Fox Marble", kompani e cila bënë nxjerrjen dhe përpunimin e gurëve dekorativ, u shpreh i kënaqur me vizitën që i pari i Qeverisë i bëri kësaj ndërmarrjeje.

Ai u shpreh falënderues për investimet që janë bërë, teksa foli për rëndësinë e investimeve të huaja për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai bëri të ditur se deri në tani, Kosova ka bërë vetëm import të gurëve dekorativ, ndërsa kompania që ai e menaxhon tashmë po eksporton në gjithë botën, përfshirë edhe Kinën dhe Indinë.

Rrustemi: Është më mirë të eksportojmë produkte sesa njerëz

"Investimet e huaja luajnë një rol të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Nga koncepti ynë mund të themi se më lehtë e kemi me eksportu gurë se të eksportojmë njerëz. I dëshirojmë mirëseardhje kryeministrit, për neve është një përkrahje e madhe prezenca e Qeverisë tek ne, na bën të ndjehemi më rehat dhe që të jemi prezent në mendjen e politi bërësve për krijimin e një ambienti më të përshtatshëm për bërjen e biznesit në Kosovë", u shpreh ai.

Ndryshe, kompania "Fox Marble", është kompania e parë e regjistruar në bursën në Londër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat