Kosova refuzon propozimin e Bosnjës për heqjen e përkohshme të taksës

Aktuale

Kosova refuzon propozimin e Bosnjës për heqjen e përkohshme të taksës

Më: 24 janar 2019 Në ora: 18:34
Pamje nga takimi

Ndihmësministri i Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnjë dhe Hercegovinës, Mithat Saliq, ka deklaruar se pasi kanë parë se nuk mund të arrihet deri te heqja e pakusht e taksë për Bosnjën, kanë propozuar që Kosova të suspendojë për gjashtë muaj taksën 100 përqind për mallrat nga BeH dhe ndërkohë që institucionet përgjegjëse të bisedojnë për çështje kontestuese, por pala kosovare nuk pranoi.

Saliq i bëri këto komente pas takimit ndërmjet delegacionit të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Kosovës, të organizuar nga Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike e BeH.

Ai tregoi për kërkesat e delegacionit të Kosovës, duke thënë se Ministria e Tregtisë së Jashtme, merret me çështje ekonomike dhe jo me politikë.

Saliq: Nuk kemi pritur këtë rezultat

“Është bërë hapi i parë i madh në zgjidhjen e problemit të madh, edhe pse kjo nuk mund të zgjidhet vetëm me një takim. Kemi sqaruar shumë gjëra deri në detaje dhe tash e dimë se çfarë kërkon dhe presin të dyja palët. Qëndrimet para takimit ishin radikalisht të kundërta. Qëndrimi ynë ishte që pala kosovare të heqë taksën prej 100 për qind ndaj mallrave të BeH dhe pala kosovare siç e dini pret që Bosnja ta njohë Kosovën. Natyrisht, kjo nuk është fusha jonë dhe këtë nuk mund ta diskutojmë dhe mund të them se kemi sqaruar pse njëra palë kërkon këtë dhe pse pala tjetër e kërkon këtë. Ne kemi diskutuar për çështje të ekonomisë dhe në plan të parë zbatimin e marrëveshjes së CEFTA-s, e cila duhet respektuar. Megjithatë, pala kosovare thirret në atë që Bosnja pengon lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve dhe kapitalit, e kjo do të thotë regjimin e vizave, njohjen e dokumenteve, pasaportave dhe tabelave të veturave.......Pasi kemi parë se nuk mund të arrijmë deri te rezultatet fillestare që kemi pritur - heqja e pakusht e taksë, ne kemi propozuar që Kosova të suspendojë për gjashtë muaj taksën 100 për qind për mallrat nga BeH dhe ndërkohë që institucionet përgjegjëse të bisedojnë për çështje kontestuese, të cilat pala kosovare i ka vendosur në plan të parë por, pala tjetër këtë nuk e pranoi. Ka pasur një propozim tjetër - që të zgjidhet kjo çështje dhe pastaj të hiqet taksa. Kjo ishte tepër për ne, kemi dhënë maksimumin dhe nuk kemi pritur këtë rezultat. Por, rezultati është se jemi sqaruar dhe kemi bërë hapin e parë dhe secila palë do të njoftojë qeveritë e veta për propozimet dhe të shohim se cilat do të jenë hapat tjerë”, tha Saliq.

I pyetur nëse njohja e dokumenteve të Kosovës dhe tabelave të veturave do të thotë edhe njohje të Kosovës, Saliq tha se kjo nuk është në kompetencë të kësaj ministrie.

Saliq: Njohja e Kosovës nuk është kompetencë e kësaj ministrie

“Njohja e Kosovës nuk është kompetencë e kësaj ministrie. Natyrisht, ata këtë e kanë përmendur dhe ne nuk kemi dashur të flasim, ata janë të vetëdijshëm për këtë”, tha Saliq.

Përndryshe, sipas medias serbe N1, përveç zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, morën pjesë edhe përfaqësues të CEFTA-s.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave të Shqipërisë, e cila aktualisht  kryeson CEFTA-n, Majlinda Hafizit, theksoi rëndësinë e respektimit të marrëveshjes CEFTA-s në kuadër të proceseve të mëtejshme të integrimit, dhe shprehu besimin se në këtë rast, sa më shpejt që të jetë e mundur, për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme në interes të dyja palëve, është bërë e ditur pas takimit nga ana e CEFTA-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat