Klinaku: Gjykimet ndaj pjesëtarëve të UÇK-së bëhen vetëm për qëllime politike

Aktuale

Klinaku: Gjykimet ndaj pjesëtarëve të UÇK-së bëhen vetëm për qëllime politike

Më: 25 janar 2019 Në ora: 18:59
Faton Klinaku

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, është liruar me kusht gjatë ditës së sotme.

Sekretari i OVL [Organizata e Veteranëve të Luftës] të UÇK-së, Faton Klinaku, është shprehur i lumtur për lirimin e Sylejman Selimit por ka kërkuar që lirimi i tij të mos jetë me kusht.

“Ne si organizatë e Veteranëve të UÇK-së e përshëndesim lirimin e Sylejman Selimit. Kjo është mirë fillimisht për familjen e tij duke pasë parasysh që ai ka qëndruar një kohë të gjatë në burgje me akuza të fabrikuara dhe të padëshmuara”.

“Sylejman Selimi ka qëndruar po ashtu kundërligjshëm në burg. Natyrisht se lirimi me kusht nuk na gëzon por ne kemi kërkuar që të lirohen jo me kusht por të lirohen përfundimisht. E dimë që të gjitha akuzat ndaj pjesëtarëve të UÇK-së që i ka marrë për bazë Prokuroria, edhe në kohën e UNMIK-ut dhe EULEX-it, janë akuza që i ka bërë vet pushtuesi serb”.

“Këta i kanë marrë për bazë shpifjet që i ka bërë pushtuesi serb dhe më pas i kanë ngritur akuzat”.

Klinaku në Info Magazine ka thënë se gjykatat e të gjitha shkallëve, edhe ato ndërkombëtare, i kanë gjetur të pafajshëm ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në shumë gjyqe, apo në të gjitha gjyqet, pjesëtarët e UÇK-së janë shpallur të pafajshëm mirëpo kanë qëndruar për shumë vite në burgje”.

“Gjykatat e shkallëve më të larta e kanë rikthyer procesin dhe i kanë anuluar aktgjykimet prandaj kanë pasë për obligim, ashtu si i kanë liruar të tjerët, ta lirojnë edhe Sylejman Selimin”.

“Ne edhe atëherë, edhe vazhdimisht, jo vetëm në rastet “Drenica 1” dhe “Drenica 2” por të gjitha proceset i kemi konsideruar dhe i konsiderojmë që kanë qenë dhe janë raste të montuara politike. Gjykimet ndaj pjesëtarëve të UÇK-së bëhen vetëm për qëllime politike të Bashkësisë Ndërkombëtare”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat