Bajrami: Grevistët nuk kanë faj, qeveria u dha shembull kur ia ngriti vetes pagën

Aktuale

Bajrami: Grevistët nuk kanë faj, qeveria u dha shembull kur ia ngriti vetes pagën

Më: 26 janar 2019 Në ora: 00:51
Hykmete Bajrami, Ramush Haradinaj

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se kur po shkon java e tretë e grevës në arsim dhe shëndetësi, në një shtet të mirëfilltë qeveria është dashur të japë dorëheqje.

Duke mos fajësuar grevistët për gjendjen e krijuar, deputetja e LDK-së ka thënë se shembullin më të mirë që ata të kërkojnë ngritje page ua dha kryeministri Ramush Haradinaj kur vendosi t’ia rriste pagën vetes për 100 për qind.

“Ligji për pagat nuk është aspak i mirë, pavarësisht se po punohet në këtë ligj, por është e pamundshme që të adresohen kërkesat e atyre që sot po kërkojnë ngritje të pagës. Nuk është faji i tyre, sepse qeveria ua dha shembullin më të keq të mundshëm. Kjo qeveri që kishte nënshkruar memorandumin, kishte premtuar ngritje të pagave dhe vendimin e parë që mori ishte ngritja e pagës për vete dhe atë jo 10 apo 30 për qind, por qind për qind, prandaj kjo qeveri nuk ka fytyrë të kundërshtojë kërkesat e tyre”, ka thënë Bajrami.

Ajo i ka bërë thirrje Qeverisë që të revokojë vendimin për rritjen e pagave, të kthehen pagat e mëparshme dhe draftligji të rishkruhet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat