Prokuroria Speciale i vazhdon hetimet ndaj Kryeministrit bazuar në padinë e VV-së për rritje pagash

Aktuale

Prokuroria Speciale i vazhdon hetimet ndaj Kryeministrit bazuar në padinë e VV-së për rritje pagash

Më: 26 janar 2019 Në ora: 16:01
Ramush Haradinaj

Që nga dhjetori i vitit 2017 e deri sot, kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë rreth 20 mijë euro më shumë pagë sesa paraardhësi i tij në këtë post, Isa Mustafa [ për një periudhë kohore prej 13 muajsh]. Kjo pasi që kreu i AAK-së pas uljes në karrigen e pushtetit, kishte marrë një vendim që t’ia rriste pagën vetes 100 për qind.

Ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit që ankohej se i duheshin para për të blerë kravata më të shtrenjta, këtë vendim e kishte marrë me 20 dhjetor të vitit 2017, duke ia ngritur pagën vetes nga 1500 në 2950 euro.

E ky vendim i të parit të qeverisë u kontestua menjëherë. Agjencia Kundër Korrupsionit e kishte cilësuar si konflikt interesi, e Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka ngritur edhe një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës për këtë vendim të Haradinajt.

Megjithatë edhe pas gjithë këtyre muajve zyrtarët shtetërorë së bashku me të parin e Qeverisë vazhdojnë që t’i marrin pagat me rritje [përjashtuar disa ministra], pasi që institucioni i Prokurorit të Speciales nuk ka marrë kurrfarë vendimi për këtë rast.

Media lidhur më këtë çështje ka kontaktuar zëdhënësin e Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxhën, dhe sipas tij është duke u punuar në këtë rast, por nuk ka diçka konkrete.

“Rasti është në punë, ende nuk është marruar kurrfarë vendimi”, ka thënë ai.

Edhe shefi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, pohon të njëjtën gjë.

“Agjencia së bashku me Prokurorinë është duke punuar për këtë lëndë”, ka thënë Havolli.

Përderisa nuk ka ndonjë vendim konkret, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka treguar se janë interesuar rreth lëndës së tyre, dhe se janë njoftuar se është caktuar edhe prokurori i lëndës, por asnjë informacion më shumë.

Konkretisht që nga 29 qershori i vitit 2018 e deri më sot, e vetmja lëvizje konkrete për këtë padi kundër vendimit të Haradinajt për rritje pagash, është caktimi i një prokurori të rastit emrin e të cilit nuk e di askush.

Qeveria e Republikës së Kosovës miratimin e vendimit për rritje pagash të zyrtarëve shtetërorë për 4 për qind e kishte marrë me 12 janar të vitit 2018.

Pas këtij vendimi, kishte pasuar vendimi i Agjencisë Kundër Korrupsionit i datës 29 janar , e cila kishte konstatuar se ky vendim paraqet konflikt interesi.

“Zyrtarët e lartë publikë (kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat) që kanë votuar këtë vendim thuhet në një opinion të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, “kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, konkretisht me konfliktin e interesit ‘rast për rast’” thuhej në vendimin e AKK-së.

Gjykata Kushtetuese në muajin qershor të vitit 2018, kishte nxjerrë një vendim që veprimi i qeverisë Haradinaj nuk ishte kundër-kushtetues, por nuk ishte marrë me pjesën nëse një vendim i tillë shkel ligjin.

Kryeministri Haradinaj, ishte paguar  1,443.20 euro, ndërsa me vendimin e marrë kjo pagë ishte rritur në 2,950 euro, rritje kjo për 100 për qind. Për një vit paga e kryeministrit do i marrë buxhetit shtetëror 35400 euro (35 mijë e 400 euro).

Njësoj do të bëhet edhe me zëvendës kryeministrat, e që qeveria Haradinaj i ka pesë sosh. Ata deri para vendimit të qeverisë, kanë pasur pagë prej 1,356.30 euro, e që tashmë do ta kenë 2,500 euro. Për një vit të vetëm, 150000 (150 mijë) euro do të shpenzohen për pagat e zëvendës kryeministrave.

Nuk  qëndrojnë keq dhe ministrat. Ata tash do të paguhen 2,000 euro për muaj, nga 1,270.50 euro që ishin paguar më herët, me një rritje prej më shumë se 70 për qind.

20 ministra nga 21 ministri (për shkak se Dardan Gashi, nuk paguhet si ministër i Diasporës, për arsye se merr pagë si zëvendës kryeministër) si kompensim për këtë gjashtë mujorë, do e ‘rrjepin’ buxhetin e shtetit prej 87600 euro. 480000 (480 mijë) euro tash e tutje do i marrin buxhetit çdo vit ministrat e qeverisë së Kosovës. Ndërsa, zëvendësministrat do të jenë të vetmit që do t’u zbritet paga, nga 1,182.50  euro, ata do të paguhen për muaj me 1,150 euro. Kjo një ulje page prej 32.50 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat