Besarta Jashari rrëfen momentet kur serbët kishin marrë armët e Adem Jasharit, pas rënies së tij

Aktuale

Besarta Jashari rrëfen momentet kur serbët kishin marrë armët e Adem Jasharit, pas rënies së tij

Më: 27 janar 2019 Në ora: 08:05
Besarta Jashari

Vajza e heroit të kombit Hamëz Jashari, Besarta, në emisionin “Personale” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini ka rrëfyer detaje nga lufta mes Familjes Jashari dhe ushtrisë serbe.

Besarta tregon se luftimet që kishin filluar me 5 mars të vitin 1998 kishin lënë të vdekur gruan e Adem Jasharit, ndërsa të tjerët kishin qenë të gjallë deri më 7 mars.

Pjesëtarja e Familjes Jashari tregon se i pari që kishte rënë duke luftuar me ushtrinë serbe me 7 mars kishte qenë Adem Jashari, e më pas, sipas saj, babai Hamza dhe gjyshi i saj, pasi ata tre ishin në një dhomë, ndaras nga pjesa tjetër e familjes.

“Pas vrasjes së tyre, tanket kanë filluar të afrohen edhe më shumë te shtëpia jonë. Ato kanë filluar të gjuajnë në drejtim të dhomës sonë, pasi nga kjo dhomë djemtë tonë ishin vazhdimisht duke gjuajtur me armë në drejtim tyre. Ata filluan më pas të bombardojnë dhomën tonë”, rrëfen ajo, përcjell Telegrafi.

Pas bombardimit të dhomës, Besarta rrëfen edhe ecurinë e ngjarjes ku tregon edhe për personat e familjes së saj që kishin mbetur gjallë deri në ato momente.

“Momentin e fundit kemi mbetur gjallë unë, motra Blerina, Kushtrimi dhe Hidajetja – vajza e Rifatit. Unë kam dalë nga dhoma për të parë mos janë larguar serbët. Sapo kam dalë nga dhoma serbët kanë filluar të gjuajnë në drejtim timin dhe jam kthyer në dhomë. Kam pyetur Hidajetin se ku është Kushtrimi, por mu përgjigj se ai ka dalë pas meje dhe nuk u kthye. Më vonë nëpër foto kam parë se Kushtrimi është vrarë në oborr”.

Bija e heroit Hamëz Jashari tregon më tej se serbët nuk ishin ndalur  duke gjuajtur bomba në dhomën ku kishin mbetur vetëm tri veta.

“Pasi kanë hyrë në shtëpi serbët janë afruar dhomës sonë dhe kanë gjuajtur granata dhe bomba. Në atë moment ka mbetur e vrarë Hidajeti dhe është plagosur në gjithë trupin Blerina. Unë kam shkuar në dhomën ku ka qenë baci Adem dhe jam shtrirë sikurse të isha e vdekur”.

Ajo rrëfen më tej se serbët e kanë zbuluar se ajo ishte e gjallë duke marrë dhe nxjerrë nga shtëpia.

“Kanë hyrë forcat serbe dhe kanë prekur secilin familjar duke shikuar a janë të vdekur. Ata kanë marrë armët e bacit Adem dhe kanë lozur me to. Kur kanë ardhur tek unë kanë parë që jam e gjallë dhe më kanë marrë e më kanë nxjerrë jashtë. Aty kishte qenë e shtrirë e vdekur motra ime Blerina”, rrëfen ndër të tjera Besarta Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat