Dallimet për taksën, a po rrezikohet koalicioni qeverisës?

Aktuale

Dallimet për taksën, a po rrezikohet koalicioni qeverisës?

Më: 27 janar 2019 Në ora: 13:11
Foto ilustrim

Dy qeveritë e kaluara nuk arritën ta përfundojnë afatin e rregullt 4 vjeçar. Pas vendosjes së taksës 100% nga Qeveria e Ramush Haradinajt për prodhimet që hyjnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ka zëra se edhe koalicioni PAN mund të ketë këtë fat.

SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht kanë kërkuar nga Qeveria largimin e taksës. Kurse, partnerët e koalicionit po shfaqen të bindur se taksa do të mbetet deri në njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Beogradi zyrtar.

Përderisa përfaqësues të koalicionit qeveritar shprehen të sigurt se nuk janë në rrezik për humbjen e pushtetit, nga opozita deklarojnë se koalicioni është i dobët.

E dallimi i qëndrimeve për taksën vërehen edhe te krerët e vendit. Derisa presidenti Hashim Thaçi është për heqjen e saj, kryeministri Ramush Haradinaj këmbëngul se kjo nuk do të ndodhë pa njohjen e shtetit nga ana e Serbisë.

I pari i ekzekutivit, vazhdon të ndjehet komod në pozitën e tij në krye të ekzekutivit, madje thotë se qeveria vetëm sa po forcohet.

Haradinaj: Koalicioni veç po forcohet

"Veç po forcohemi. Koalicioni rrezikohet mos me pas sukses kompania këtu, mos me ndodhë puna, mos me ndodhë zhvillimi. Përderisa fokusohemi në punë, edhe ajo që kemi deklaruar që ky vit është vit i ekonomisë është shumë me rëndësi", tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, shprehet i bindur se koalicioni qeveritar është mëse funksional dhe se nuk ka kurrfarë rreziku në stabilitetin e tij.

Krasniqi: Koalicioni është superfunksional, ua heqim dertin për këtë

“Koalicioni as nuk është rreziku më herët e as nuk është duke u rreziku tash, as nuk mendoj që ka me u rreziku në të ardhmen sepse e kemi një marrëveshje të koalicionit, të cilës po i përmbahemi dhe për aq kohë sa kjo është mënyra e funksionimit tonë, asnjë problem nuk ka. Unë asnjëherë nuk e përjashtoj mundësinë që ka njerëz që dëshirojnë që diçka e tillë të ndodhë, por ua heqim atë dert sepse koalicioni është superfunksional dhe pa asnjë vështirësi në funksionimin e tij”, tha ai.

Ndërsa ndryshe mendojnë deputetë të opozitës. Sipas tyre, koalicioni qeverisës qëndron falë interesave klanore.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, vë në pah qëndrimin e mëparshëm të LDK-së, sipas së cilës taksa që ka vënë në pikëpyetje raportet me BE-në duhet të hiqet.

Hoti: Koalicioni është i përçarë, po qëndron falë interesave klanore

“Koalicioni është i përçarë tash e sa kohë. Këta njerëz i mbajnë bashkë interesat e ndryshme klanore dhe interesat e ndryshme që kanë bashkë. Kjo është situata në të cilën këta e kanë sjellë vendin. Po merren vendime për këtë taksë në telefon, duke u shtyrë 10 përqind, 30 apo 100 përqind, pa asnjë analizë paraprake dhe pa asnjë konsultim me partnerët kryesorë ndërkombëtar”, tha ai.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tejkalon përçarjet brenda koalicionit, duke thënë se nuk duhet të ketë debat për heqjen e taksës apo jo.

Konjufca: Nuk duhet të ketë debat për heqjen e taksës

“Taksa nuk është një debat, i cili mund të reduktohet a po dëgjohet Amerika apo jo. Është një vendim qeveritar, i cili është dashur të studiohet mirë. Nëse studiohet mirë dhe e ke marrë vendimin dhe je i sigurt se veprimi i bënë mirë Kosovës, ai vendim duhet të mbahet”, u shpreh ai.

E ndikimin e masës ndaj Serbisë në skenën politike të brendshme e ka komentuar edhe njohësi i aktualitetit, Rasim Alija.

Ai ka thënë se ka të ngjarë që koalicioni t'i mbijetojë kësaj situate, duke theksuar se është PDK-ja, ajo që e ka në dorë këtë.

Alija: PDK vendosë nëse do të qëndrojë koalicioni apo jo

“Siç duket, javën e kaluar ka qenë problem edhe me qëndru taksa edhe me mbet koalicioni, mirëpo ujërat pak a shumë po fillojnë duke u qetësu dhe siç duket koalicioni do t’i mbijetojë edhe kësaj mosmarrëveshjeje për taksën. Mirëpo, asgjë nuk është përfundimtare, sërish mund të rikthehet çështja e vendosjes ose heqjes së taksës dhe a do të qëndrojë koalicioni tutje apo jo, këtë e vendosë vetëm PDK-ja”, u shpreh ai.

Ndërkaq, Ambasada amerikane në Kosovë ka bërë thirrje që të hiqet taksa 100 përqind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja. Në një deklaratë për media, Ambasada amerikane ka thënë se refuzimi i pezullimit të taksës është kundër interesave të saj dhe pasojat mund të ketë pasoja në marrëdhëniet bilaterale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat