Haradinaj: Do të jemi çdoherë bashkë që të mos lejojmë të përsëriten tragjeditë si Holokausti

Aktuale

Haradinaj: Do të jemi çdoherë bashkë që të mos lejojmë të përsëriten tragjeditë si Holokausti

Më: 28 janar 2019 Në ora: 19:14
Ramush Haradinaj

“Si institucione të Kosovës, ne i bashkohemi sot botës së përparuar, të gjithëve, se çdo herë do të jemi bashkë që të mos lejojmë përsëritjen e historisë dhe tragjedive dhe që asnjëherë të pafajshmit të pësojnë”, tha kryeministri Ramush Haradinaj, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit, ditë kjo ku përçohen lutje e bëhen zotime se histori të ngjashme nuk do të lejohen të ndodhin.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj potencoi se sot janë të gjithë bashkë që të konfirmojnë atë që veç e veç secili e ka në zemër, e ka ndjenjë dhe bindje, se bota do të jetë çdo herë e bashkuar, duke mos lejuar kurrë të përsëriten tragjeditë si ajo e Holokaustit, një tragjedi që ka marrë me vete miliona njerëz të pafajshëm, të pambrojtur të asaj kohe.

“Për fat ajo kohë e vështirë, më e vështira e mundshme që njerëzimi e ka përjetuar ndonjëherë ishte se i sfidoi të gjithë, na sfidoi edhe neve në trevën tonë. Në atë kohë me aq pak rrethana vepruese e me aq pak mundësi vendimmarrjeje që kishim, megjithatë në trojet tona, në atdheun tonë fitoi një vlerë e madhe njerëzore që e kishim, që ata që janë në mesin tonë t’i ruajmë. Kësisoj shqiptari kudo që u ndodh u thirrë në këtë parim dhe u morën në mbrojtje të pambrojturit, u strehuan, u ruajtën dhe u ndihmuan që të kalojnë edhe në destinacionet tjera të dëshiruara, të sigurta”, shtoi kryeministri Haradinaj.

Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj, vlerësoi se kjo konfirmon edhe njëherë se nuk ka dështuar ajo vija e parë e frontit, vlera njerëzore, vlerat më sublime që njeriu i bart me vete, e që siç tha ai, është respekti për njeriun, kujdesi për jetën e njerëzve, dhe të qëndruarit me ta.

Në nderim dhe përkujtim të viktimave të Holokaustit, foli edhe kryetari i Bashkisë Hebreje Bet Israel Kosova, Ruzhdi Shkodra, i cili tha se sot qytetarët e Kosovës janë ballëhapur para popullit hebre duke shpëtuar shumë jetë gjatë Luftës së Dytë Botërore nga nazizmi vrasës gjerman.

Kjo ceremoni përkujtimore u organizua nga Bashkia Hebreje Bet Israel Kosova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat