Lëkundje të forta në koalicionin qeverisës, PAN drejt fundit

Aktuale

Lëkundje të forta në koalicionin qeverisës, PAN drejt fundit

Më: 29 janar 2019 Në ora: 00:07
Krerët e vendit

Vetëm një ditë pas paralajmërimit të presidentit Hashim Thaçi, se zhvillime të rëndësishme do të ndodhin këtë javë, kreu i PDK-së dhe i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është vënë në lëvizje për të dalë me një ide që bie ndesh me atë të kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj.

Ka të bëjë me taksën, për të cilën, kur u vu, të gjithë partnerët e koalicionit luftonin për të marrë meritat. Kur SHBA-ja e tha qartë se taksa duhet të hiqet dhe se në të kundërtën do të ketë pasoja në raportin mes dy vendeve, duket se gjërat kanë ndryshuar.

Në një postim të tij – pas atij për borën dhe skllotën, që u interpretua si ironi ndaj deklarimeve të fundit të Haradinajt – Thaçi paralajmëroi se “në ditët dhe javët në vazhdim, institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin veprime dhe vendime në interes shtetëror dhe të forcimit të partneritetit me aleatët tanë ndërkombëtarë”.

Nuk ka dhënë më shumë detaje se për çfarë vendimesh është fjala. Ajo që dihet është se kreu i shtetit dhe kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, ka kohë që janë përfshirë në mospajtime rreth disa çështjeve. Haradinaj ka kundërshtuar hapur dhe fuqishëm idenë e Thaçit për korrigjim kufijsh, si marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Në anën tjetër, taksa prej 100 për qind e vënë nga Qeveria e Kosovës, e për të cilën kanë ardhur sinjale të forta nga BE-ja dhe SHBA-ja se janë kundër saj, është kundërshtuar së fundi po ashtu nga presidenti Thaçi.

“Të gjitha institucionet shtetërore janë në shërbim të mbrojtjes, avancimit dhe arritjes së qëllimeve tona strategjike shtetërore. Dialogu dhe marrëveshja eventuale paqësore vetëm sa e përshpejtojnë realizimin e synimeve tona për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB”, ka thënë Thaçi. “Këto synime janë të arritshme, për aq kohë sa jemi të bashkuar, pozitë, opozitë dhe shoqëri civile, flasim fuqishëm njëzëri dhe kemi mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë, respektivisht mbështetjen e SHBA-së”, ka shtuar më tej ai.

E sot, Veseli doli me një propozim të ri. Tha se do që taksa të pezullohet për 120 ditë. Kjo në shenjë mirëbesimi ndaj SHBA-së dhe BE-së. Ai ka thënë se propozimin e ka bërë në takimin e javës së shkuar me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Para Veselit, Haradinaj doli me një tjetër letër, që shpërfaq moslëkundjen e tij ndaj vendimit për taksën. Haradinaj u shkroi një letër të gjatë vendeve të Quintit, ku i renditi kushtet që do ta bënin atë që të heqë taksën prej 100 për qind për mallrat që hyjnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Haradinaj kërkon nga SHBA-ja dhe BE-ja që të nisin dhe mbështesin një konferencë ndërkombëtare me qëllim të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. I pari i ekzekutivit poashtu kërkon garanci ndërkombëtare se konferenca nuk do të ketë çfarëdo rivendosje të kufijve ekzistues të Kosovës, ose ndarje, ose shkëmbime territoriale të çfarëdo natyre. BE-së i kërkon që të lëvizë drejt liberalzimit të vizave, e kërkon garanci që krerët e shtetit në Serbi të dalin publikisht me deklaratën se nuk e pengojnë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve në organizata ndërkombëtare.

Krejt kjo ka nisur të interpretohet si lëkundje që mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i çoi porosi ish-shefit të tij në ekzekutiv, se kjo nënkupton prishjen e koalicionit. I tha se Shefi i PAN-it, duke aluduar në Kadri Veselin, shumë shpejt ka për ta lënë në lloç Haradinajn.

“Edhe atë, natën, siç di ai”, tha Haziri.

Vet Haradinaj, në një bisedë për Syri.net, nuk e përjashtoi mundësinë që PDK-ja të dalë nga qeveria këtë javë.

Kur kësaj i shtohen edhe problemet me grevat në shumë sektorë dhe pakënaqësitë sociale, duket se Qeveria Haradinaj po numëron ditët e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat