Të gjithë shërbyesit civil nisin grevën

Aktuale

Të gjithë shërbyesit civil nisin grevën

Më: 29 janar 2019 Në ora: 12:25
Prishtinë

Në shenjë pakënaqësie me ligjin e pagave edhe shërbyesit civil të institucioneve qendrore dhe lokale sot kanë hyrë në grevë një orëshe.

Mbi 22 mijë nëpunës civil po kërkojnë nivelizim të pagave dhe njohjen e përvojës së punës të shërbyesve civil gjatë viteve 1990-99.

Përfaqësuesi i Këshillit Grevist, Ali Gashi duke folur për ecurinë e grevës tha se grevës u janë përgjigjur të gjithë shërbyesit civil dhe se ajo po ecë ashtu siç është planifikuar.

Ai ka deklaruar se kërkojnë që të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme dhe më të mos diskriminohen.

Gashi: Greva e paralajmëruar ka filluar

“Greva e paralajmëruar ka filluar dhe iu informojmë që kjo grevë ka shtrirje të gjerë dhe është duke u mbajtur në të gjitha institucionet të cilat janë në Republikën e Kosovës si në nivelin lokal, ashtu edhe në nivelin qendror. Ne jemi duke përcjell në vazhdimësi ecurinë e grevës dhe ajo po shkon sipas planifikimeve...03’37Duam që shërbyesit civil të trajtohen dinjiteteshëm dhe të kemi një nivelizim sikurse sektorët tjerë. Në draft ligjin që është duke u punuar kemi për synim që të jemi të përfshirë dinjiteteshëm që mos të kemi diskriminim”, ka theksuar Gashi.

Gashi u shpreh se nuk japin afate kohore, por kërkojnë reflektim sa më të shpejt nga Qeveria, në të kundërtën do të ndërmarrin masa tjera.

Këshilli Grevist gjatë vizitës që i bëri disa ministrie që ndodhen në mjediset e ish Rilindjes, rastësisht tek hyrja u takuan me ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar ku pati një komunikim me  kryetarin e Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, Mursel Zymberi i cili kërkoi që Qeveria të reagojë sa më parë.

Kurse, ministri i MAP-it u shpreh optimist se Qeveria do të reflektojë dhe se nuk do ketë nevojë për përshkallëzim të situatës.

Yagcilar: Besoj që do të reflektoj

“besoj që do të reflektohet, edhe është e reflektuar në ligj. Ne shumë kemi biseduar për këto çështje. Ju jeni nga Qeveria ne presim ofertën prej Qeverisë. Ju sot me patjetër duhet të dilni me ofertën tuaj. Ne mund ta shqyrtojmë dhe mandej të ulemi sikurse kemi biseduar deri tani prapë të bisedojmë dhe shpresojmë të gjejmë zgjidhjen e duhur. Patjetër do jetë mirë...Do të rregullohet sepse nuk ka nevojë”, ka shtuar ai.

Vehbi Spahiu anëtar i Këshillit Grevist të Inspektoratit të ministrisë së Mjedisit tha se kërkojnë që të trajtohen barabartë me të gjithë sektorët tjerë.

Spahiu: Kërkojmë trajtim të barabartë

“Kërkojmë që të gjithë me u trajtua të barabartë lidhur me ligjin për paga. Pozita dhe puna që e kryen secili punëtor i shërbyesve civil të paguhet për aq punë, barabartë me institucionet tjera qendrore, me inspektoratet e institucioneve qendrore të kenë trajtim të barabartë dhe mos të anashkalohet asnjë inspektorat”, ka shtuar Spahiu.

Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Administratës Publike, Ndue Kalaj projektligjin e pagave e ka konsideruar si ligj i “të fortit” prej të cilit kanë përfituar vetëm klasa politike.

Ai tutje ka kërkuar që ndaj shërbyesve civil të mos bëhet presion, pasi në të kundërtën do t’i ndjekin penalisht.

Kalaj: Ligji i pagave mund të konsiderohet si ligj i të fortit

“Prej ditës që ka fillua me u miratua ky ligj ka intervenime politike, ka barazi, për çdo ditë bëhen ndryshime, shërbyesit civil kanë mbetur me koeficientin më të ulët...Më e ulëta kategori që do të thotë se ne nuk jemi duke u paguar për punë të njëjtë dhe të ngjashme por ne jemi anashkaluar. Është një fatkeqësi e madhe se ky ligji mbi pagat ky mund të quhet edhe ligj i të fortit, pse sepse këtu kanë përfituar stafi politik, jo një kategori por i gjithë stafi politik, ndërsa është anashkaluar stafi profesional”, ka deklaruar ai.

Grevës i janë bashkuar edhe nëpunës e komunës së Prishtinës të cilit edhe dje kanë mbajtur grevë një- orëshe. E si pasojë e grevës shumë qytetarë  po prisnin pasi që nuk mund t’i merrnin shërbimet për të cilat kishin ardhur.

Kujtojmë që sektori i arsimit ka hyrë sot në javën e tretë të grevës, ku po kërkojnë rritje të koeficientit. Për arsye të njëjtë, grevë kanë mbajtur edhe mjekët, infermierët. Ndërkohë nga ana e Qeverisë është paralajmëruar që ligji për pagat do të votohet në të njëjtën ditë me buxhetin, që si datë kur mund të ndodhë ky votim është përmendur 31 janari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat