Vetëvendosje me kritika për Projektligjin e arsimit të lartë

Aktuale

Vetëvendosje me kritika për Projektligjin e arsimit të lartë

Më: 29 janar 2019 Në ora: 13:29
Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje sot ka mbajtur tryezë me njohës të arsimit për të debatuar mbi projektligjin për arsimin e lartë. Aty u theksua se projektligji ka mangësi të mëdha dhe duhet shqyrtuar me kujdes dhe të ndryshohet me anë të amendamenteve.

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se problemet në arsim  janë evidente. Sipas tij, cilësia e arsimit nuk është e mirë, ndikimet politike janë të larta dhe kushtet që mësojnë studentët janë të dobëta.

Konjufca theksoi se është e papranueshme mos diskutimi për ligjin e arsimit të lartë deri më tash.

Ndërsa, udhëheqësi  i komisionit parlamentar për arsim, Ismajl Kurteshi tha se ky komision e ka shqyrtuar ne parim këtë projektligj, ndërsa pas kalimit në lexim të parë do të  filloi puna e mirëfilltë për të.

Sipas tij atëherë komisioni mund të punojë rreth ndryshimeve në këtë projektligj me anë të amendamenteve rreth 40 për qind të ligjit.

 “A duhet të jetë shkollimi me pagesë, apo pa pagesë për arsimin e lartë. A duhet, apo nuk duhet që të financohen institucionet private të arsimit të lartë. A duhet të financohet përkohësisht institucionet që nuk janë akredituar. A duhet të përcaktohen me ligj përqindja e fondeve për hulumtime”, tha ai.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli  tha se edhe më herët  ka pasur ministra që kanë iniciuar proces ndryshimet për projektligjin për arsim të lartë, mirëpo siç thotë ai në shumicën e rasteve propozimet e tyre  janë deformuar  dhe nuk janë pasqyruar si duhet.

Ndërsa, kishte  një porosi për institucionet shtetërore që të fokusohen më shumë në  sektorin publik se sa në atë privat.

Për trupën e Agjencisë Kosovare për Akreditim tha se ministri nuk duhet të emëroj këta sepse po vendosen me direktiva politike.

“Ministri nuk duhet të emërojë trupin e AKA-së, sepse po emërohen me direktiva politike. Duhet të ndërpritet se është një organ qe duhet të veprojë në mënyrë profesionale”, tha Dugolli.

Nga grupi për studime politike dhe juridike, Rreze Hoxha u shpreh se vërejtjet e tyre janë më shumë  te kompetencat e rektorit në vendosjen e dekanëve dhe shkarkimit të dekanëve dhe mënyrën e të qenit profesor i rregullt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat