Haradinaj: Nëse heqim taksën, heqim dorë nga e drejta jonë

Aktuale

Haradinaj: Nëse heqim taksën, heqim dorë nga e drejta jonë

Më: 29 janar 2019 Në ora: 20:05
Ramush Haradinaj

Nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj sot në Gjakovë është mbajtur akademi përkujtimore për dëshmorët dhe martirët e rënë në Bishtazhin dhe Rogovë të Hasit, 20 vite më parë.

Në këtë organizim u kujtuan dëshmorët e rënë. E i pari i ekzekutivit, as këtë ngjarje nuk e kurseu pa e përmendur taksën e vendosur ndaj mallrave serbe, duke e ndërlidhur kështu me vendosmërinë e dëshmorëve të rënë për Kosovë.

Kryeministri Haradinaj duke kujtuar rënien e dëshmorëve, tha se kjo është një nga ngjarjet më të dhimbshme të luftës së fundit. Ai kujtoi ditën kur këta dëshmorë, u nisën për të marrë armë.

Haradinaj: Është e dhimbshme pse u vranë

"Nuk është e dhimbshme pse ranë shumë djem, por është e dhimbshme pse u vranë. U vranë se këta nuk morën armë me vete. Ta keni parasysh me vetëdije, gjithë këta burra të zot, të gjithë këta njerëz me përvojë në luftë, gjithë këta njerëz që kishin bërë beteja e beteja, nuk i morën armët, ua lanë atyre ishin në zonë. Dhe këta shkuan gati duarthatë për me marr armë. Kjo është një mesazh që duhet ta kuptojmë se çfarë është kjo. Imagjinoni dikë që e din që do i bie rrugës së vdekjes dhe pranon me duar në xhepa me u nis për atë rrugë. Vetëm që mos t'i mungoj ndonjë armë UÇK-së. Këta i kanë pas dy tri armë krejt, dhe kjo është e vërtetë e kanë bërë me vetëdije. Edhe me i nal me ju thënë merrni, thoshin ‘jo se juve ju duhen më shumë, se jeni këtu’. Pra nëse dojmë me zbërthy edhe një herë këtë shohim se çfarë solidariteti, atdhedashurie, çfarë dashurie për lirinë dhe atdheun, vendin e pë r luftëtarin. Në atë kohë pra për të bërë një sakrificë të tillë, me marr rrugën e kufirit, pa armë dhe me uniformë të UÇK-së. Është dashur të vlerësosh në maksimum të vërtetën dhe mos ta largosh një armë prej lufte", tha Haradinaj.

Kjo gjendje sipas tij ishte krijuar, pas një viti luftë, ku ishte shumë vështirë të gjesh një armë diku, ku ishin shpenzuar pothuajse të gjitha teknikat luftarake. Tha se nuk ka pasur ditë më humbëse në rajonin e Dukagjinit, se sa kjo.

I pari i ekzekutivit nuk la pa përmendur taksën e vendosur ndaj mallrave serbe. Sipas tij, nëse hiqet taksa, “ne kemi hequr dorë nga e drejta jonë”.

Haradinaj: Nëse sot e ndalim këtë taksën, ne jemi pajtuar deri këtu

"Nëse një ditë përpara ne dorëzohemi, apo deklarohemi se kaq e kemi insistimin për të drejtën tonë, aty do të ndalemi. Nëse sot e ndalim këtë taksën, ne jemi pajtuar deri këtu, dhe kaq jemi për të drejtën tonë. Pastaj miku pas një kohe thotë, ‘por t’i vet je ndal këtu’. Vet do të thotë, nëse ndonjëherë mbi ne bëhet ndonjë presion, nuk është qëllimi me na ndal pambërri deri tek e drejta jonë. Ne nuk bënë me lexuar vetëm çfarë kemi qejf, sepse ma lehtë për këta ka qenë mos me u nis hiç. Sepse ma lehtë u kon mos me u nis atëherë me pranu autonominë, më lehtë ka qenë me u ndal në kohën e luftës Kosova, me ua dhënë një pjesë të veriut Serbisë. Edhe atëherë ka pas njerëz ky vend që e kanë ditur çfarë po duan, ka sot, do të ketë nesër. Ky vend duhet ta gëzojë të drejtën e vet, pavarësinë e vet. Serbia nëse është gati me na njoh, me qenë fqinj, por mos të harrojmë se nuk jemi më të dobët se kur jemi përballur me Millosheviqin", tha ai.     

Mes tjerash, Haradinaj tha se nëse hiqet dorë kaq shpejt, atëherë vendit do t’i kërkohen çmime tjera.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka kujtuar këta dëshmorë të rënë 20 vite më parë, duke thënë se nuk duhet të harrohet asnjë ditë e luftës për liri e pavarësi.

Gjini: 20 vjet kanë kaluar

"Neve që e kemi përjetuar luftën, një brez i gjeneratave, na duket si dje. 20 vjet kanë kaluar, janë gjatë, por ndjenja, kujtesa, thjesht na duket sikur dje. Por, për këto 20 vjet, janë rritur fëmijë, janë rritur mbesa, dhe kjo që na duket sikur ka ndodhur dje, nuk duhet të na lë që të harrojmë ndonjë ditë, se sa e mundimshme dhe e zorshme ka qenë rruga e popullit tonë", tha Gjini.

Në emër të bashkëluftëtarëve, ka folur eDervish Tahiri, i cili tha se e ka shumë të vështirë të flas në këtë përvjetor.

Tahiri: Momenti pse ishim nis atëherë

"Momenti pse ishim nis atëherë, ka krijuar nevoja, nevoja për armatim, ashtu siç e përmendi edhe Haradinaj dhe përpos asaj nevoje që për ata djem, që tashmë na kishte vëllazëruar koha, të gjithë ishim bashkë. Vetëm një kanal i asaj kohe ishte për armatim që të lëvizim në drejtim të Hasit e qe udhëhiqej nga Sokol Morina, Sahit Krasniqi dhe vëllezërit Gegë, Tomë e Memë Lleshi. Ky furnizim që vazhdimisht vinte nga ajo zonë. Rrugëtimi shkoi mirë deri në urën e Bistazhinit. Në urën e Bistazhinit ashtu siç kemi qenë duke kaluar, pothuajse shumica e turmës kishte kaluar urën dhe janë vërejtur tri katër hije tek ura e vjetër. Lind dyshimi se dikush me të vërtetë është në prit. Dhe fillojnë gjuajtjet... janë ndezë zjarr armët nga të dyja anët dhe në pamundësi se ishim duke shkuar pa armatim, jemi ballafaquar me një situatë shumë të keqe. Kështu qe aty na kanë mbetur dy bashkëluftëtarë të vrarë", tha Tahiri.

Në emër të familjarëve ka folur Gegë Lleshi, po ashtu luftëtar i asaj kohe. Ai tha se këta dëshmorë parë 20 viteve, e mundën acarin e janarit, lodhjen, e po ashtu edhe frikën.

Lleshi: Ne për dëshmorët mund të flasim shumë

"Ky rrugëtim i këtyre trimave është mesazhi më i mirë që tregon vendosmërinë e këtyre trimave dhe betimin e tyre për çlirimin e mëmëdheut. Ne për dëshmorët mund të flasim shumë, të shkruajmë libra, por ky nuk është amaneti i dëshmorëve. Amaneti i dëshmorëve ishte dhe është liria dhe zhvillimi i Kosovës. Që të jemi të bashkuar, të luftojmë të keqen dhe të kemi mirëqenie për rininë dhe familjet tona. Të kemi shtet të së drejtës ku respektohen vlerat patriotike, sakrificat që ishte bërë me dekada për këtë vend", përfundoi Lleshi.

Ai në emër të familjarëve të dëshmorëve, i ka bërë thirrje qeverisë, që të punohet çdo ditë që amaneti i dëshmorëve të jetësohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat