Vetëvendosje mbështet Haradinajn për taksën: Bën gabim të madh nëse e heq

Aktuale

Vetëvendosje mbështet Haradinajn për taksën: Bën gabim të madh nëse e heq

Më: 29 janar 2019 Në ora: 23:54
Albulena Haxhiu

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka komentuar trysninë me të cilën po përballet kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, për heqjen e taksës prej 100 për qind që qeveria e tij ka vënë ndaj mallrave nga Serbia.

Haxhiu ka thënë në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7, se taksa duhet të mbetet në fuqi, pavarësisht thirrjeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, por edhe nga partia në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës, që ajo të shfuqizohet.

“Haradinaj bën gabim të madh nëse pas këtyre presioneve tërhiqet nga vendimi”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se nuk ka besim se Haradinaj nuk do të gjunjëzohet përballë trysnisë, dhe se shefi i ekzekutivit “ka lëshuar pe tashmë disa herë”, duke theksuar çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

“Do të jetë goditje e madhe për Republikën e Kosovës nëse Haradinaj e tërheq taksën”, ka vlerësuar Haxhiu në T7.

Deputetja e Vetëvendosjes ka vlerësuar se partia e saj nuk do të kërkojnë rrëzimin e Qeverisë Haradinaj për shkak të taksës.

“Vendi duhet të shkojë në zgjedhje, por taksa duhet të mbetet”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se “ka pasur një angazhim të Vetëvendosjes dhe LDK’së” për një mocion për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Megjithatë, sipas Haxhiut, këto dy parti aktualisht nuk i kanë votat e mjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat