Mungesa e kuorumit e pamundëson votimin e dy projektligjeve

Aktuale

Mungesa e kuorumit e pamundëson votimin e dy projektligjeve

Më: 30 janar 2019 Në ora: 07:33

(E plotësuar) -  Mungesa e kuorumit në Kuvendin e Kosovës ka bërë që mos të kalojë Projektligji për arsimin e lartë, dhe ai për tatimin mbi vlerën e shtuar.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi për Projektligjin e arsimit të lartë ka deklaruar se përmes tij do të krijohet bazë për rregullimin, funksionalizimin e arsimit  të lartë në Kosovë.

Arbërie Nagavci, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka konsideruar se ky ligj ka mangësi dhe synon vendosjen e kontrollit politik dhe jo mbikëqyrje publike të arsimit të lartë.

Në pjesën e dytë të seancës të sotme plenare me kërkesë të sponsorizusve është  vendosur që nga rendi i ditës të largohen dy kërkesat e deputetit Faton Topalli. Këto dy pika u shtyn për  seancën e radhës.

**

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku duke folur për grevën në arsim tha se fajtori kryesor për këtë gjendje në vend është qeveria aktuale dhe vendimi i kryeministrit për rritjen e pagës së tij dhe të kabinetit të tij.

Bunjaku: Adresa e fajësisë për këto greva është qeveria aktuale

“Është vetëm një adresë e fajësisë dhe e përgjegjësie direkte për këto pasoja dhe  për këto greva, është  qeveria aktuale e cila ia rriti pagën vetës dhe irritoi të gjithë mësimdhënësit dhe shumë shtresa të shoqërisë sonë. Kjo rritje e dyshimtë e pagesës për vetën e tij dhe kabinetin e tij pezmatoi, irritoi dhe zemëroi të gjithë kategoritë tjera të shoqërisë, për të shtuar kërkesat me të drejtë për rritje të pagave. Vendimi i qeverisë ka krijuar reaksion zinxhiror të pakënaqësisë qytetare, por edhe të mësimdhënësve, shërbyesve civil, mjekëve”, ka thënë ajo.

Pas kësaj ka reaguar deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj i cili i tha se e tërheqë fjalën e tij pas fjalimit siç e quajti ai historik të deputetët së LDK-së.

Haradinaj: Fjalimi historik i Valentinës, nuk dike me lexua

“Po e tërheku fjalën nuk po ia prishi fjalimit të Valentinës se e patë një fjalim historik, nuk dike me lexua nuk di kush ia ka shkruar”, u shpreh me buzëqeshje Haradinaj.

Për këtij deklarimi të deputetit të AAK-së, Valentina Bunjaku ka reaguar në profilin e saj në Facebook duke shkruar se ngritja e “madhe” e juaj akademike, treguesi më i mirë është fakti se ju nuk të dini të qeverisni.

“Daut Haradinaj, vëllai i Kryeministrit Ramush Haradinaj nga frika e humbjes së pushtetit dhe në mungesë edukate, sulmon dhe fyen deputetët opozitar, sidomos ata të LDK-së. Unë i them atij: zgjidhe katastrofën në politikën e jashtme ku e keni futur vendin, zgjidhni problemet në arsim dhe shëndetësi, ndalo krimin dhe korrupsionin qeveritar dhe mos u fshihni pas Hashim Thaçit sikurse për Çakorr . Nga ngritja e “madhe” e juaj akademike, treguesi më i mirë është fakti se ju nuk të dini të qeverisni”, ka shkruar ajo në profilin e saj.

***

Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi në seancës plenare, derisa po diskutohet për zgjatjen e buxhetit, tha se në këtë formë nuk po bllokohet qeveria por qytetarët e Kosovës.

Ai tha se kështu po bllokohen njerëzit që kanë nevojë për pensionin që e marrin 75 euro, apo ndihmën sociale prej 60 euro.

Sherifi: Nuk po e bllokoni qeverinë, por qytetarët e Kosovës

“Nuk mund të paguhet asnjë pagesë, nuk mund të bëhet asnjë pagesë, pra bëhet fjalë për pensionistë, bëhet fjalë për ndihma sociale, bëhet fjalë për pagat dhe njerëzit të cilët kanë nevoja të ndryshme shëndetësore. Pra, nuk po e bllokoni qeverinë, po i bllokoni njerëzit të cilët kanë nevojë me i marr këto pak mjete për muajin shkurt. Tash, vendosni ju nëse dëshironi të bllokoni edhe ato 75 euro të pensionistëve, apo ato 60 euro ndihma sociale”, tha ai.

Kuvendi miraton disa marrëveshje ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës ka miratoi ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për kredi ndërmjet të Republikës se Kosovës dhe Unicredit Bank Austria Ag, për projektin e sistemit për largimin e ujërave të zeza për komunën e Podujevës.

Gjithashtu, në këtë seancë, u miratua projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave në nivel të studimeve master ndërmjet Ambasadës së Francës në Prishtinë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Në seancën e sotme u miratua edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë në mes Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG si huadhënës lidhur me financimin e Projektit ndërtimi i sistemit të furnizimit me ujë për Komunën e Graçanicës.

Ndërsa nuk mori votat e mjaftueshme projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Protokollin Shtesë 5 të Marrëveshjes për Amendimin dhe Aderimin në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendror.

Përplaset me Haxhiun, Hamza: Ti je juriste e dobët, të gjitha lëndët gjykata t’i ka hedhur poshtë

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë para deputetëve se ligji e lejon që muajin e parë të shfrytëzohet buxheti, por për muajt vijues duhet të merret vendim prej Kuvendit.

Ai përsëriti se qeveria e ka proceduar në Kuvend, dhe është aprovuar në komisionin për Buxhet dhe Financa, dhe tani mbetët të votohet nga deputetët.

Ai përmendi edhe zgjedhjet, ku tha se pa miratim të buxhetit nuk ka mundësi të bëhet as organizimi i zgjedhjeve.

Hamza: Nuk ka pare as për zgjedhje

“Nëse vjen situata me shku në zgjedhje, pa buxhet të aprovuar, sot po e them që as për organizimin e zgjedhjeve nuk ka pare. Mundësh me pas bilanc bankar sa dush, por me i nda paret për organizimin e zgjedhjeve, pa vendim ose pa ligj, nuk mundesh, andaj po ju lus që të votohet dhe të ketë mundësi që vendi të vazhdojë me pagesa”, tha ai.

****

Gjatë seancës së sotme deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla ka thënë se në treg ka produkte me origjinë nga Serbia dhe Bosnja, të cilat janë prodhuar pas datës kur taksa 100% u vendos nga Qeveria e Kosovës.

Sveçla: Produkte të Serbisë ende ka në tregun e Kosovës

“Edhe pse prej 21 nëntorit në fuqi është taksa ndaj Serbisë ende në tregun e Kosovës ka tepër shumë produkte me këtë origjinë, nga doganat raportohet për ulje drastike të importit të Serbisë por nuk ka rritje të ndjeshme të importeve nga ndonjë vend tjetër. Pyetja ime është çfarë masash konkrete janë marrë kundër kontrabandës së produkteve të Serbisë, sa raste i keni raportuar për kontrabandë gjatë dhjetorit 2018”, ka thënë Sveçla.

Ministri i Financave, Bedri Hamza u përgjigj se Dogana ka ndërmarrë të gjitha masat për zbatimin e vendimit për taksën.

Hamza: Dogana me kapacitetet e saj ka ndërmarrë masa të parandalojë kontrabandën

“Dogana e Kosovës me të gjitha kapacitetet dhe njësit e veta përveç kontrolleve në pikëkalimet kufitare ka ndërmarr veprime që të parandaloj kontrabandën e produkteve serbe dhe Bosnjës, me brendi të kontrollit dhe më gjerë. Është rritur bashkëpunimi dhe koordinimi me Policinë e Kosovës, inspektoratin e ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Administratës Tatimore, Agjencioni të Ushqimit dhe Veterinës me qëllim të luftimit të kontrabandës. Që nga hyrja në fuqi e vendimit ekipet e antikontrabandës kanë operuar 24 orë me aktivitete të shtuara në pjesë dhe zona dhe rrugët potenciale për kontrabandë janë kryer 204 patrollime, 4080 kontrolle dhe ndalesa rrugore”, ka theksuar Hamza.

Image

Hamza  po ashtu tha se nuk mund të deklarohet se kontrabanda është ndërprerë 100 për qind për shkak të gjendjen në veri.

Sveçla pyeti tutje a do të ishte dështim katastrofal që duhet të paguajë politika, nëse kjo masë nuk sjell përfitime ekonomike.

Sveçla: Në treg ka prodhime serbe të prodhuara pas datës 21 nëntor

“Faktet e ndryshme dëshmojnë se në treg ka prodhime serbe me datë të prodhimit pas 21 nëntorit, domethënë pas vendosjes së taksës me çmime të njëjta nëse jo edhe më të ulëta si pjesë e aksioneve promocione, nëse për taksë 10 për qind do të mund të mendohej për subvencionim nga shteti serb, për taksën 100 për qind nuk është aspak e besueshme. Nëse kryeministri dhe të tjerët lavdërohen për këtë masë, kurse ne jemi në thumb të kritikës nga shtetet mike a nuk do të ishte dështim katastrofal që ne të paguajmë çmim politik, kurse ekonomikisht të mos kemi kurrfarë përfitimi”, ka thënë deputeti i VV-së.

Kujtojmë se ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që taksa të hiqet, por një gjë të tillë po e kundërshton kryeministri Ramush Haradinaj i cili ka përsëritur disa herë se taksa mund të pezullohet kur ndodh njohja e shtetësisë së Kosovës nga Serbia.

Haxhiu dhe Hamza përplasen në Kuvend: Ti je juriste e dobët, të gjitha lëndët gjykata t’i ka hedhur poshtë

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu dhe ministri i Financave nga radhët e PDK-së Bedri Hamza janë përplasur sot gjatë seancës së Kuvendit lidhur me çështjen e shpenzimit të buxhetit për vitin 2019.

Haxhiu deklaroi se ministri Hamza ka bërë vepër penale duke shkelur ligjin për financat publike. Ajo kërkoi llogari nga Hamza për vlerat e shpenzuara, që ajo i quajti në mënyrë jo ligjore.

Deputetja e VV-se pyeti ministrin e Financave se sipas cilës bazë ligjore po i vijon shpenzimet e buxhetit të shtetit në vitin 2019, meqë Kuvendi ende nuk e ka miratuar buxhetin për këtë vit.

Hamza duke u thirrur në legjislacionin në fuqi, tha se për muajin janar 2019 buxheti është dhënë në dispozicion, në bazë të ndarjeve buxhetore të ligjit numër 06L-020 për buxhetin e Kosovës për vitin 2018.

Ndërsa Haxhiu tha se vetëm Kuvendi me anë të një vendimi mund të autorizojë zgjatjen e buxhetit për tre muaj.

Haxhiu: Ju keni bërë vepër penale

“Unë do të doja që të lexoja nenin 24, paragrafi 2 i ligjit për menaxhimin e financave publike, që thotë ‘vetëm Kuvendi me anë të një vendimi mund ta autorizojë zgjatjen e ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal’. Ligji për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal në asnjë rast nuk mund të zgjatet për më shumë se 3 muaj të vitit të ardhshëm fiskal, që nënkupton deri në mars. Por, të drejtën për ta zgjatur e ka vetëm Kuvendi i Republikës së Kosovës, zoti ministër a e ka bërë këtë Kuvendi i Republikës së Kosovës? Pra ju jeni duke e shkelur ligjin për menaxhimin e financave publike, ju po bëni vepër penale, dhe na njoftoni sa është vlera që keni shpenzuar në mënyrë jo ligjore deri tani”, tha ajo.

Si përgjigje Hamza e quajti Haxhiun juriste të dobët, duke i thënë që mos ta bllokojë komisionin me qëllim të pamundësimit të aprovimit të buxhetit.

Hamza: Ti je juriste e dobët, të gjitha lëndët gjykata t’i ka hedhur poshtë

“Zonja Haxhiu me sa e di unë je juriste dhe me folë diçka çka të niva tash, sinqerisht është çudi, seriozisht u befasova, lexo ti sa dush ligjin, edhe unë e lexova ligjin, e nuk je ti më e mirë se shumë juristë që e kanë interpretuar e nuk është hera e parë që ndodh në Kosovë. Por unë e kam një lutje tjetër për ty zonja Haxhiu mos e blloko komisionin që me pamundësuar aprovimin e buxhetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, mos i dëmto qindra mijëra pensionistë që me i marrë pensionet me rritje, mos u bë destruktive dhe mos shkakto pengesa sepse ke obligim me kry punën tënde si deputete, kryeje punën. Ti je aq juriste e dobët sa të gjitha rastet që ti i ke paraqit dhe prezantuar gjykata t’i ka hedh poshtë dhe ka me t’i hedh poshtë sepse nuk ke lidhje me profesionin që ti konsideron që je një juriste”, tha ai.

***

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Andin Hoti ka propozuar që të zvogëlohet koeficienti i deputetëve në 7, nga 8 sa është tani.

Përmes një shembulli e lavdëroi PDK-në, dhe u shpreh se Qeveria do të gjejë shumë shpejt zgjidhje për grevistët.

Hoti: Propozoj ulje të koeficientit të deputetëve

“Propozoj uljen e koeficientit të deputeti në 8 në 7 edhe 5 sado që të jetë ajo nëse doni zgjidhje kjo është zgjidhja dhe e dyta për ata që kanë dyshim në Qeverinë aktuale që do të gjejë zgjidhje për grevistët dhe pagat e tyre veç po ua rikujtoj një shembull konkret, një shembull timin familjar nëna ime në 2006 është hy në punë e ka pasur pagën 125 euro, sot e ka 500 euro , 470 e diçka, kjo është falë Partisë Demokratike të Kosovës, falë udhëheqjes së saj këto 10 vitet e fundit kështu që të jeni të sigurt nuk keni nevojë me u bë merak, të jeni të sigurt se edhe kësaj here, Qeveria aktuale, Partia Demokratike e Kosovës bashkë me koalicionin e saj do gjejë zgjidhje”, ka shtuar Hoti.

Zyba kërkon shpjegim për ndërtimet në Brezovicë, Matoshi përgjigjet

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba në sesionin e ri të punës së Kuvendit, ka pyetur ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi për ndërtimet e shumta në zonën turistike të Brezovicës.

Matoshi u përgjigj se kjo është kompetencë e komunës së Shtërpcës, dhe që ndaj kësaj komune ka urdhëruar që të ndërmerren masa konform ligjit.

Matoshi: Dhënia e lejeve në Brezovicë është kompetencë e Shtërpcës

“Në zonën turistike Brezovica kompetentë për dhënieve e lejeve është komuna e Shtërpcës ngase konsiderohet vendbanim sipas evidencave që kemi ne në ministri gjatë vitit 2018 nga komuna e Shtërpcës janë lëshuar 29 leje ndërtimi, përgjegjësinë për zbatimin e këtyre lejeve të ndërtimit e ka inspektorati komunal, inspektorati i ministrisë së Mjedisit gjatë kontrolleve në zonat inspektuese Brezovica për të gjitha shkeljet ligjore në terren në procesverbal ka urdhëruar drejtorinë e inspektoratit komunal të Shtërpcës që të ndërmarrë masa konfrom dispozitave ligjore për të gjitha tejkalimet e bëra” , ka thënë ai.

Teuta Rugova shihet në Kuvend

Image

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën në të cilën do të shqyrtohen një sërë pikash.

Deputetët e Kuvendit, tashmë kanë nisur debatin ku kanë ngritur shqetësime të ndryshme, përfshirë dialogun me Serbinë, grevën në arsim, pagat etj.

Ndërkohë, ajo që vërehet sot në Kuvend është prania e deputetes së LDK’së, Teuta Rugova, e cila jo shumë shpesh është prezente në seancat e Kuvendit.

Zeka: Greva politike, rrogat i keni në rritje

Deputeti nga Nisma Socialdemokrate, Milaim Zeka, sot nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ka folur për grevën e mësimdhënësve, ai ju ka bërë thirrje të kthehen në mësim.

“Në kohën kur Kosova nuk ka qenë në krizën më të madhe që si deputet nuk kemi aprovuar ligje, nuk e kemi përmbushur detyrën tonë, u bëra thirrje të gjithë mësimdhënësve të kthehen në vendet e tyre dhe të mos dëgjojnë deputet demagog që rrejnë. Në të gjitha partitë jemi marr vesh të zbritet paga e presidentit, kryeministrit, krtetarit, deputetëve. Janë rritur rrogat e shërbyesve civil. Mua nuk më intereson sa rrin qeveria Haradinaj, mua më intereson që të mos rrejn. Sot në situatën aktuale asnjë parti nuk do ta merrte pushtetin. Mësimdhënës jeni duke bërë greva politike, rrogat i keni me rritje”, është shprehur Zeka.

Kurti e paralajmëron Thaçin: Nëse nuk ndalesh, do të ketë protesta masive

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në seancën e sotme ka kërkuar edhe njëherë që taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe të Bosnjës të mos largohet, por të largohet qeveria Haradinaj.

Kurti u shpreh se nuk ka kuptim dialogu i ri kur çdo ditë ka ftesa të reja nga Gjykata Speciale.

Kurti: Duhet të largohet kjo Qeveri, por të mbetet taksa

“Ne kemi qëndrim të kundërt si Lëvizjes Vetëvendosje, me presidentin dhe kryeparlamentarin ata duan që të hiqet tarifa 100 për qind me Serbinë dhe të mbetet Haradinaj kryeministër, ne kërkojmë të kundërtën të largohet kjo Qeveri dhe Haradinaj e të mbetet kjo tarifë. Skandalet e pa numërta të keq qeverisjes dhe korrupsionit nuk mbulohen me një tarifë. Mbi të gjitha nuk ka kuptim dialogu i ri me Serbinë përderisa për çdo ditë kemi ftesa të reja për Gjykata Speciale për luftëtarët e UÇK-së, nuk ka kuptim dialogu i ri përderisa ky Kuvendi i yni ndodhet në Gjykatën Kushtetuese tek e cila presidenti ka pyetur se a mund të na anashkaloj neve deputetëve”, ka thënë Kurti.

Kreu i VV-së ka deklaruar se tani nuk kemi dialog me Serbinë, por siq e quan ai, ‘pazar me Serbinë’.

Kurti: Presidenti Thaçi është i delegjitimuar

“Një rrezik tjetër po na dominon, ndarja e Kosovë që emërohet herë si shkëmbim territorial e herë si korrigjim i kufirit në vitin e kaluar presidenti i Kosovës paralajmëroi kompromis të dhimshëm ndërsa në këtë vit e filloi duke shprehur gaditshmëri dhe vullnet për kompromiset  e nevojshme me Serbinë në marrëveshjen e cila na qenka afër. Presidenti Thaçi ose bënë bllof me idenë e zgjidhjes finale dhe pajtimin historik me Serbinë, ose tashmë ka marrëveshje të fshehtë me Serbinë, shpjegim tjetër nuk ka, por edhe dilema nuk ka sepse në secilin rast ky president është delegjitimuar dhe diskredituar. Ajo çfarë kemi sot nuk është dialog por Pazar sepse nuk është dialog me Serbinë ku Kosova do të ishte subjekt, por veç se Pazar me Serbinë, ku Kosova është bërë objekt”, ka shtuar ai.

Ai ka paralajmëruar protesta të tjera nëse nuk ndalet presidenti Hashim Thaçi.

Ndryshe, në seancën plenare të sotme në rend të ditës janë gjithsej 30 pika, ndër të cilat: votimi i Propozim-rezolutës nga debati lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e "shkëmbimit të territoreve" apo "korrigjim të kufijve" në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me dështimet e koalicionit qeverisës të cilat kulmuan me mos liberalizim të vizave.

Zeka-mësimdhënësve: Ndaloni grevën, mos i dëgjoni deputetët që po rrejnë

Deputeti i NISMA-s, Milaim Zeka në fjalimin e tij në seancën e Kuvendit i ka bërë thirrje punëtorëve të arsimit t’i rikthehen punës.

Zeka ka thënë se deputetët po e shpalosin interesin e tyre personal, dhe se Kosova nuk ka qenë asnjëherë në krizë më të madhe se tani.

“Disa deputetë në mënyrë lakuriq po e demonstrojnë interesin e tyre personal. Në kohën kur Kosova kurr nuk ka qenë në krizë më të madhe për shkakun e të gjithë neve sepse nuk kemi aprovuar ligje dhe nuk kemi përmush arsyetimin se pse jemi deputetë”, ka thënë ai.

“E mora fjalën për t’iu bërë thirrje të gjithë punëtorëve të arsimit të kthehen në vendin e tyrë të punës dhe mos të dëgjojnë deputetë të cilët i hudhin benzinë zjarrit dhe rrejnë publikisht për disa vota të mjera”, shtoi ai.

Duke e quajtur grevë politike, Zeka tha se pagat e mësimdhënësve janë rritur me Ligjin e Ri.

“Në situatën aktuale, secila parti do të refuzonte ta merrte pushtetin. Në emrin e nënave u bëj thirrje punëtorëve të arsimit, po bëni grevë politike dhe pa arsye sepse rrogat i keni të rritur me ligjin e pagave”, përfundoi Zeka.

Kujtojmë se greva në arsim tashmë ka hyrë në javën e tretë, teksa SBASHK-u ka refuzuar ofertat e mëhershme të Qeverisë. 

Kurti e paralajmëron Thaçin: Nëse nuk ndalesh, do të ketë protesta masive

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e parë për sesionin pranveror.

Lideri i VV-së, Albin Kurti, në fjalimin e tij tha se Qeveria Haradinaj do të njihet vetëm për dështimet e saj.

Ai përmendi grevat e punëtorëve dhe korrupsionin në vend.

“Në vitin që shkoi papunësia te gratë ka mbetur njësoj. Sot lajm po bëjnë punëtorët që nuk janë në grevë se ata që janë në grevë. Sot është rritur korrupsioni tek sa rendi tek ambasadat po rriten”, tha ai.

Kurti foli edhe për deklratat e presidentit Thaçi për marrëveshjen me Serbinë, duke thënë se aktualisht nuk mund të flasim për dialog, por për një Pazar mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në vitin e kaluar presidenti paralajmëroi kompromis të dhimbshëm. Thaçi ose bën blof me idenë e pajtimit final me Serbinë ose tash ka marrveshje të fshehtë me Serbinë. Ajo çfarë kemi sot nuk është dialog por pazar”, tha ai.

Duke shpalosur qëndrimin e Vetëvendosjes, Kurti tha se subjekti që ai udhëheq është kundër heqjes së taksës ndaj Serbisë.

“Thaçi po do ta sjellë Rusinë në lojë sepse ajo është në OKB. Se çka don Serbia e dijmë mirë. Ne kemi qëndrim të kundërt me presidentin dhe kryeparlamentarit. Ne kërkojmë largimin e qeverisë Haradinaj dhe mbetjen  e tarifës. Nuk ka kuptim dialogu përderisa kemi çdo ditë ftesa nga Gjykata Speciale”, tha Kurti.

“Protesta e 29 shtatorit ishte madhështore, por ajo do të jetë e vogël krahasura me protestat tjera nëse nuk nalet ky president”, përfundoi Kurti.

Time Kadriaj kritikon Vetëvendosjen

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj konsideron se partia e Albin Kurtit po luan lojëra të dyfishta në politikën kosovare.

Ajo ka përmendur çështjen e taksës, qeverisë dhe pavarësisë së Republikës.

“Vetëvendosje e mbështet Qeverinë Haradinaj për taksen, por kjo qeveri duhet te bjere, thonë ata! Këta gjithmonë kanë mbështetur duke kundërshtuar. Këta edhe pavarësinë e kanë mbështetur duke e luftuar atë”, ka shkruar ajo.

Flora Brovina, deputetëve: Ndaloni fyerjet dhe akuzat e pabazuara mes vete

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, në hapje të sesionit të ri të Kuvendit u ka bërë thirrje deputetëve, politikanëve por edhe medieve e qytetarëve që të kenë kujdes në linçime dhe deklarime fyese pa argumente e bazë ligjore.

“Jo vetëm nga ata që flasin e shkruajnë në media, por edhe nga vetë deputet të këtij Parlamenti, është bërë shprehi të përdoren fjali të rënda kundër njëri tjetrit. Me një lehtësi të padurueshme akuzohen dhe etiketohen si tradhtar e kriminelë vetëm e vetëm se kanë një mendim ndryshe. Kanë shkuar deri atje sa kanë marrë guxim të bëjnë edhe gjenetikën e tradhtisë. Ky nuk është shembulli i vetëm. Ka me dhjetëra shembuj të kësaj natyre”, tha Brovina.

 

***

Ka nisur me një orë vonesë seanca e Kuvendit të Kosovës. Kjo është seanca e parë për këtë vit.

***

Kuvendi i Kosovës sot me fillim nga ora 10:00 mban seanca plenare.

Në rend të ditës janë gjithsej 30 pika, ndër të cilat: votimi i Propozim-rezolutës nga debati lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e "shkëmbimit të territoreve" apo "korrigjim të kufijve" në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me dështimet e koalicionit qeverisës të cilat kulmuan me mos liberalizim të vizave.

Rendi i ditës:

1.       Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,

2.       Koha për pyetje parlamentare,

3.       Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

4.       Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës ("MASHT") dhe Stitching Spark të Holandës ("SPARK") mbi mbështetjen e Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë,

5.       Shqyrtimi i Projektligjit nr.06/L-136 për ratifikimin e Marrëveshjes për Kredi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria Ag për Projektin e sistemit për largimin e ujërave të zeza për Komunën e Podujevës,

6.       Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Protokollin Shtesë 5 të Marrëveshjes për Amendimin dhe Aderimin në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore,

7.       Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave në nivel të studimeve master ndërmjet Ambasadës së Francës në Prishtinë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë,

8.       Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Raiffeisen Bank International AG për Projektitn e ndërtimit të sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm për Komunën e Ferizajt,

9.       Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG në lidhje me financimin e Projektit për ndërtimin e sistemit të kanalizimit për Komunën e Shtimes,

10.     Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG si huadhënës lidhur me financimin e Projektit ndërtimi i sistemit të furnizimit me ujë për Komunën e Graçanicës,

11.     Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG në lidhje me financimin e Projektit për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit për Komunën e Istogut,

12.     Votimi i Propozim-rezolutës nga debati lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës.

13.     Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e "shkëmbimit të territoreve" apo "korrigjim të kufijve" në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë,

14.     Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me dështimet e koalicionit qeverisës të cilat kulmuan me mos liberalizim të vizave.

15.     Votimi në parim i Projektligjit për transmetuesin publik të Kosovës,

16.     Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore,

17.     Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës,

18.     Votimi në parim i Projektligjit për peticione,

19.     Votimi në parim i Projektligjit për mbrojtjen nga zhurma,

20.     Votimi në parim i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,

21.     Shqyrtimi i parë i Projektligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar,

22.     Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës,

23.     Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058 dhe Ligjin nr. 04/L-122 si dhe Ligjin nr. 03/L-073 për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-256,

24.     Shqyrtimi i parë i Projektligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë në institucionet publike dhe të të zgjedhurve,

25.     Interpelanca e Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Skender Reçica, sipas kërkesës së deputetit Faton Topalli, mbështetur edhe nga 11 deputetë nga GP i PSD-së, në lidhje me vdekjet dhe lëndimet e punëtorëve në vendin e punës,

26.     Interpelanca e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, z. Valdrin Lluka, sipas kërkesës së kryetarit të GP-Partia Socialdemokrate, z. Dardan Sejdiu, i mbështetur edhe nga 11 deputetë, në lidhje me themelimin e Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës Sh. A/NKEC,

27.     Debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Teuta Haxhiu, mbështetur edhe nga 9 (nëntë) deputetë nënshkrues, në lidhje me të drejtat e pensionistëve kontributëdhënës,

28.     Debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetit Faton Topalli, në lidhje me mosekzekutimin e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. KI 08/09, dt. 17 dhjetor 2010, Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nr. 04-V-799, dt. 19 mars 2014, Vendimit të Qeveris së Republikës së Kosovës, nr. 08/186, dt. 29 prill 2014 i hyrë në fuqi më 12 maj 2014 dhe të dy (2) udhëzimeve të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, nr. C-V-14-4099 dhe nr. C-V-14-4332, dt. 13 qershor 2014,

29.     Debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetit Korab Sejdiu, lidhur me nevojën urgjente për vendosje të sanksioneve ekonomike (përfshirë embargon) dhe sanksioneve politike kundër Serbisë, si masë reciprociteti,

30.     Raporti i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat