PSD synon të financohet nga shteti, dy partitë e tjera opozitare po e kundërshtojnë

Aktuale

PSD synon të financohet nga shteti, dy partitë e tjera opozitare po e kundërshtojnë

Më: 30 janar 2019 Në ora: 11:40
PSD

Aderimi i ish deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje tek Partia Socialdemokrate i ka lënë këta të fundit pa marr fonde nga buxheti i shtetit. PSD edhe pse tashmë parti parlamentare nuk merr asnjë ‘monedhë’, nga fondi i demokratizimit që vjen nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Lëvizja Vetëvendosje edhe pse në Parlamentin e Kosovës qysh në fillim të vitit të kaluar i ka pasur 19 deputetë, ka marr mbi 1.1 milion euro në vit duke u llogaritur për 32 sosh.

Kjo për organizatën joqeveritare, “Çohu” është e palogjikshme dhe pa paarsyeshme. 

Drejtori i kësaj organizate, Arton Demahsaj thotë se Partisë Socialdemokrate duhet t’i jepet e drejta që të kompensohen dhe të kenë të mundësi që përmes fondit të demokratizimit të zhvillojnë dhe të qojnë tutje partinë e tyre që kanë krijuar.

Demahasaj: PSD-së duhet t’iu jepet e drejta për fonde

“Më duket e pa logjikshme dhe e pa arsyeshme që Lëvizja Vetëvendosje me marr fond të hyra nga fondi për demokratizim për 32 deputetë. Ndërsa, tash i ka vetëm 19 deputetë, në bazë të kësaj logjike ky është vullnet politik i partive politike që janë në kuvend që do të votojnë dhe përkrahin këtë ligj. Është e logjikshme që për ata deputetë që nuk i ka Lëvizja Vetëvendosje të mos marr fond, sepse fondi ndahet në bazë të fuqisë parlamentare që partia politike ka në kuvend. Nëse fuqia aktuale politike është 19 deputetë duhet të kompensohesh për 19 deputetë, ndërsa për pjesën tjetër që ka krijuar një subjekt politik që tash në këtë rast është PSD. Unë mendoj që duhet t’iu jepet e drejta që atyre të ju kompensohen dhe të kenë mundësi që përmes fondit për demokratizim të zhvillojnë dhe të qojnë tutje partinë e tyre që e kanë krijuar”, thotë ai.

Mirëpo, këtë e kundërshton Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo parti vlerëson se kjo është një precedent që mund të ndikojë negativisht në shpërfaqjen e vullnetit të qytetarëve. 

Deputetja nga radhët e kësaj partie, Arbërie Nagavci thotë se PSD ka qenë një subjekt i cili ka kandiduar në kuadër të koalicionit PAN dhe nuk i ka fituar zgjedhjet.

Siç thotë ajo, në rast të financimit të kësaj partie nga buxheti i shtetit, do të ishte një shembull jo i mirë për të ardhmen që e vë në mëdyshje vullnetin e qytetarëve.

Nagavci: Një shembull i tillë e vë në mëdyshje vullnetin e qytetarëve

“Kjo nuk duhet të shqyrtohet në aspekt të dëmit ose favorit që i kushton Lëvizjes Vetëvendosje në këtë rast. Por , duhet të shikohet si një precedent që mund të ndikoj negativisht në shpërfaqjen e vullnetit të qytetarëve sepse në rastin konkret kemi deputetë të cilët janë zgjedhur duke qenë pjesë e një subjekti të caktuar politik....nëse e shohim në aspektin e zgjedhjeve, PSD ka qenë një subjekt i cila ka kandiduar në kuadër të koalicionit PAN dhe nuk i kanë fituar zgjedhjet, tashmë situata në rastin konkret është dhe më e komplikuar që duket, andaj një shembull i tillë do të ishte jo i mirë dhe për të ardhmen  sepse e vë në mëdyshje vullnetin e qytetarëve”, deklaron deputetja Nagavci.

Ndërsa, për shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, kërkesa e PSD-së për financim nga buxheti i shtetit është më shumë një problem konceptual sesa buxhetor.

Për këtë arsye, Hoti i doli në mbështetje VV-së, duke theksuar se kur e fiton mandatin brenda një partie politike, duhet respektuar qëndrimet e asaj partie.

Mes tjerash, i  pari i deputetëve të LDK-së, tha se duhet pasur një ligj të mirë që e rregullon gjithë mënyrën qysh financohen partitë politike.

Sipas tij, duke mos i bërë transparente mënyrën si financohen, po krijohet një situatë e një gare të pabarabartë mes partive politike.

Hoti: Është problem më shumë konceptual i funksionimit të partive politike

“Fondet që marrin partitë politike nga të hyrat publike nga buxheti i shtetit bazohen në rezultatin zgjedhor në bazë të partive politike dhe koalicioneve që kanë marr pjesë në zgjedhjet e fundit. Kështu thotë ligji, Kosova është sistem parlamentar me parti politike që përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve. Unë mendoj që ky është një problem krejt tjetër, nuk është fare problem buxhetor është problem më shumë konceptual i funksionimit të partive politike. Kur e fiton mandatin duke qenë anëtar i një partie politike është e natyrshme që krijohen disa obligime për të respektuar qëndrimet e asaj partie politike”, thotë shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti.

Pavarësisht insistimit të Kp, zyrtarët e Partisë Socialdemokrate kanë qenë të pa qasshëm për t’u deklaruar ndaj kësaj çështje. 

Përndryshe, edhe në të kaluarën ka pasur raste kur çështja e ndarjes së mjeteve financiare, ka qenë problematike.

Rasti i parë ka ndodhur kur Nexhat Daci me deputetët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë nuk kanë mundur të marrin hise nga buxheti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Të njëjtin fat e kanë pasur edhe deputetët e Lëvizjes për Bashkim, kur janë ndarë nga Lëvizja Vetëvendosje, sikundër edhe ata të Nismës kur janë ndarë nga PDK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat