Qeveria: Do fillojmë dialogun me sindikatën e Shërbimit Civil

Aktuale

Qeveria: Do fillojmë dialogun me sindikatën e Shërbimit Civil

Më: 30 janar 2019 Në ora: 17:39
Pamje nga takimi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, me të cilët kanë biseduar për zhvillimet e fundit, veçanërisht rreth projektligjit për Pagat për sektorin publik.

Me këtë rast, siq thuhet në njoftimin e Qeverisë, kryeministri Haradinaj pasi i dëgjoi  kërkesat e tyre, tha se së bashku me kabinetin qeveritar dhe personat kompetent në këtë fushë, janë angazhuar që maksimalisht t’iu përgjigjen kërkesave të tyre.

“Në këtë aspekt kemi vendosur që të trajtohen çështjet që lidhen me stazhin e punës të viteve të ‘90-ta duke krijuar një komision qeveritar që do të trajtojë këtë temë. Po ashtu do të diskutohet për kushtet e punës në shërbim civil, aspekti i inspektorateve dhe avancimin e shërbyesve civil të komunës së Prishtinës sipas Ligjit për Kryeqytetin”, tha kryeministri gjatë këtij takimim sipas njoftimit.

Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj është shprehur i kënaqur që ngritja prej 0.20 %, që është e barabartë me sektorët tjerë u kuptua si një përkushtim i Qeverisë për të përmirësuar sado pak gjendjen e shërbyesve civilë dhe se vazhdimi i dialogut institucional ndërmjet Sindikatës dhe Qeverisë do të jetë përkushtimi i tij personal. 

“Administrata e shtetit e përfaqësuar nga shërbimi civil është motori i shtetit tonë dhe se trajtimi i tyre do të jetë i kujdesshëm përmes një dialogu të vazhdueshëm”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj dhe përfaqësuesit e Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës u dakorduan që të fillojnë dialogun institucional të drejtpërdrejt në mes të Qeverisë dhe Sindikatave të Shërbimit Civil.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës falënderuan kryeministrin për pritjen e sotme dhe t’i dëgjojë nga afër shqetësimet e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat