Haradinaj flet pas takimit me Thaçin e Kosnettin: Këtë javë mund të ndodhin zhvillime dramatike

Aktuale

Haradinaj flet pas takimit me Thaçin e Kosnettin: Këtë javë mund të ndodhin zhvillime dramatike

Më: 31 janar 2019 Në ora: 09:04
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk ka përjashtuar mundësinë e prishjes së koalicionit nëse partnerët vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta sa i përket vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.

Shefi i ekzekutivit kur është pyetur nga gazetarët se a ka rrezik të prishjes së koalicionit, ka thënë se nëse mospajtimet politike vazhdojnë, mund të “rezultojnë edhe me të arritura të tjera”.

Në këto ditë kur presionet për heqje të taksës, ndaj kryeministrit po rriten, Ramush Haradinaj, i cili duket se ka mbetur i vetëm në këtë qëndrim, është treguar i palëkundur edhe një herë me vendimin e marrë në fund të vitit që shkoi.

“Aq sa është”, kështu është përgjigjur Haradinaj kur është pyetur a është koalicioni stabil.

Haradinaj: Nëse mospajtimet politike vazhdojnë, mund të rezultojnë edhe me të arritura të tjera

“Ne jemi në proceset reale politike, të gjitha janë të mundshme në javët që vijnë, dëshira jem është e para që këtë të shtunë me i kry disa detyra që janë me interes për vendit, me buxhet, mos i me i lënë arsimtarët e të tjerët pa paga. Nëse mospajtimet politike vazhdojnë mund të rezultojnë edhe me të arritura të tjera, cilat do qofshin ato. Ajo që është me rëndësi është që vendosja e taksës është vendim sovran i Kosovës, nuk është kundër dialogut, por është bërë me i kërkuar Serbisë një qasje të re me Kosovën”, tha ai

Mbrëmë për më shumë se dy orë, partnerët e koalicionit me dyer të mbyllura kanë zhvilluar një takim në objektin e Qeverisë së Kosovës, pas së cilit asnjeri nuk ka folur para gazetarëve.

Gjithashtu sot, kanë mbajtur një takim, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan,Philip Kosnett.

Sot Haradinaj deklaroi se kanë biseduar për të gjitha sfidat që i kanë para vetës.

Ai tha se po kërkohet heqja e taksës si mundësi për vazhdim të dialogut Kosovë-Serbi, por sipas tij, nuk ka logjikë për t’i kërkuar Kosovës një vendim të tillë.

Haradinaj: Kemi sfida dhe vështirësi të mëdha

“Biseda ka qenë për të gjitha sfidat që na presin që i kemi para vetës, nuk jemi pa sfida, kemi vështirësi të mëdha. Është krijuar një bindje që taksa është pengesë për dialogun, ekziston kjo bindje, na kërkohet që me ia jep shansin dialogut, na kërkohet edhe prej ambasadorit amerikan, na kërkohet prej të gjithëve me ia jep shansin dialogut, i dëgjojmë me kujdes këto mendime, dëshira ime është me pa dialogun duke vazhduar por e thash edhe një njëherë pse ndërlidhet vazhdimi i dialogut me një temë që është e Kosovës. Tavolina e heq taksën, por jo taksa para tavolinës, nuk ka logjikë me i kërkuar Kosovës një vendim të tillë”, tha ai.

Shefi i ekzekutivit tha se do ta jap ndihmën e tij maksimale për një marrëveshje me gjithëpërfshirëse me Serbinë, por pa çmim të territorit dhe “Zajednciës”.

Haradinaj: Jam i interesuar për marrëveshje me Serbinë, por pa çmimin e territorit dhe Zajednicës

“Unë jam i interesuar për me u arrit një marrëveshje finale me Serbinë, për njohje reciproke, obligative, ligjore, kuptohet pa çmimin e territorit edhe pa çmimin e Zajednicës. Nuk jam kudër dialogut, jam për dialog, jam për marrëveshje por nuk mundemi me u kthy para 17 shkurtit 2008. Do ta jap edhe unë ndihmën time maksimale që të arrihet një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, sepse mendojmë që është në interesin tonë po ashtu... Jam për me u kthy dialogu, me u kthy tavolina, me u arrit një marrëveshje, por vendimet tona janë tonat, e kam thënë disa herë, janë vendime sovrane të Kosovës”, tha ai

Sipas Haradinajt, një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi mund t’i zgjidhë të gjitha çështjet.

Ai tha se nuk ka arsye të përzihen temat, duke kujtuar që Kosova asnjëherë nuk e ka kushtëzuar dialogun me ndonjë vendim të Qeverisë së Serbisë, apo në rastin kur Kosova dështoi të anëtarësohet në INTERPOL.

Haradianaj tha se ka respekt për ambasadorin amerikan, dhe se Amerika është familja e tij edhe atëherë kur nuk ndajnë të njëjtat qëndrime.

Këto deklarata, kryeministri i tha pas homazheve që i bëri sot para shtatores së heroit “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

***

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk ka përjashtuar mundësinë e prishjes së koalicionit dhe rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, nëse vazhdojnë mospajtimet politike, derisa ka ripërsëritur se taksa nuk do të hiqet para marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë

Haradinaj këto komente i bëri, pas homazheve te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, ku theksoi se është i interesuar për marrëveshje me Serbinë por pa shkëmbim territoresh dhe asociacion.

“Ne nuk e kushtëzojmë dialogun me vendime të qeverisë. Jam për rikthim të dialogut por vendimet janë tonat. Dje kemi pasur takime me partnerët, kemi folur për sfidat, nuk jemi pa sfida. Kemi kërkesa për t’i dhënë shancë dialogut. Jam për dialogun por se kuptoj pse ndërlidhet taksa me dialogun. Është një kërkesë e vazhdueshme për tërheqje të taksës. Një marrëveshje mes dy vendeve mund t’i zgjidh të gjitha çështjet, dhe ekonominë e lirë. Ne i vazhdojmë konsultat me partnerët e koalicionit. Duhet të vazhdohet dialogu dhe aty të flitet për taksën e të gjitha”, ka thënë ai.

Ndërsa, kur është pyetur për mundësinë e prishjes së koalicionit, Haradinaj ka thënë se nëse mospajtimet politike vazhdojnë, atëherë mund të rezultojë me gjëra tjera.

***

Pas takimit të mbajtur me ambasadorin amerikan, presidentin e vendit e liderët e koalicionit qeverisës, ka folur i pari i ekzekutivit. Ramush Haradinaj është deklaruar se ambasadori amerikan u ka kërkuar që taksa të hiqet, por kryeministri tha se ky është vendim sovran i vendit dhe është e rëndësishme që Kosova të qëndrojë në këmbë, duke shtuar se këtë javë mund të ndodhin zhvillime dramatike.

“Na kërkohet që t'ia japim shansin dialogut, na kërkohet edhe prej ambasadorit amerikan, i dëgjojmë me kujdes këto mendime. Dëshira ime është me pa dialogun t'u vazhdu, po nuk e kuptoj pse ndërlidhet dialogu me një temë që është e Kosovës”, deklaroi ai.

I pari i Qeverisë ka shtuar se taksa nuk lidhet me fazën e fundit të dialogut Kosovë - Serbi.

“Vendosja e taksës ndaj Serbisë është vendim sovran i Qeverisë. Unë them kështu: tavolina e hjek taksën po nuk po du me i ndërlidh temat”, shtoi ai.

Haradinaj gjithashtu ka shtuar se taksa nuk duhet të kushtëzohet duke thënë se këtë javë mund të ndodhin zhvillime dramatike, çfarëdo qofshin ato.

“Është kërku edhe nga ambasadori amerikan për me u heq taksa, por ky është vendim sovran i vendit. Nuk është me rëndësi kush ka me u rrëzu, e rëndësishme është që Kosova të qëndrojë në këmbë”, përfundoi Haradinaj.

Këto komente i pari i Qeverisë i ka bërë gjatë homazheve te shtatorja e Zahir Pajazitit, pas takimit që ka mbajtur me ambasadorin amerikan Filip Kosnet, presidentin e vendit, Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, të parin e AKR-së, Behgjet Pacolli, dhe liderin e Nismës, Fatmir Limaj. 

***

Ka përfunduar takimi në mes tre liderëve institucional, kryeministrit Ramush Haradinaj, presidentit Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli me ambasadorin amerikan Philip Kosnett, asnjëri nga ta nuk është prononcuar për media dhe nuk është bërë e ditur se cila ka qenë tema e këtij takimi.

Aty ishin edhe liderët e tjerë të koalicionit qeverisës, Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacolli.

Image

Takimi ka filluar në orën 9 të mëngjesit, ku vetëm një orë më vonë nga takimi ka dal ambasadori amerikan Philip Kosnett. Por, takimin e kanë vazhduar partnerët e koalicionit qeverisës me presidentin Thaçi.

Takimi mes tyre ka përfunduar në orën 11 e 15 minuta, por askush nuk ka dhënë deklarata për media.

Gjatë kohës sa është mbajtur takimi mediat nuk janë lejuar të futen as edhe në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Kujtojmë se ditën e djeshme ka pasur një takim ndërmjet koalicionit qeveritar, takim ky pas së cilit Qeveria përmes një kumtese ka pohuar se koalicioni është stabil dhe funksional, pavarësisht deklaratave kundërthënëse të partnerëve lidhur me taksën 100% ndaj Serbisë.

SHBA ka kërkuar disa herë heqjen e taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës, kurse kryeministri Haradinaj ka vazhduar të mbrojë nevojën për taksë. Mospajtimet brenda koalicionit se si duhet vepruar në këtë rast, dyshohet se kanë shkaktuar krizë në koalicionin qeverisës.

***

Ka përfunduar takimi në mes tre liderëve institucional, kryeministrin Ramush Haradinaj, presidentin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli me ambasadorin amerikan Philip Kosnett.

I pari që ka dal nga takimi ishte ambasadori amerikan, ndërsa, posa kanë dal nga ndërtesa e Kuvendit, Haradinaj, Pacolli dhe Limaj.

Deri tash askush nga liderët nuk ka dhënë deklarata për media.

Image

 

***

Ambasadori amerikan Philip Kosnett ka dalur nga takimi që ka pasur mëngjesin e sotëm me tre liderët institucional, kryeministrin Ramush Haradinaj, presidentin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Në takim tani kanë mbetur partnerët e koalicionit, duke përfshirë këtu të parin e AKR-së, Behgjet Pacollin dhe kreun e Nismës, Fatmir Limajn.

Ky takim vjen pas takimit të djeshëm ndërmjet koalicionit qeveritar, pas së cilit Qeveria përmes një kumtese ka pohuar se koalicioni është stabil dhe funksional, pavarësisht deklaratave kundërthënëse të partnerëve lidhur me taksën 100% ndaj Serbisë.

***

 

Ka përfunduar takimi mes ambasadorit amerikan Philip Kosnett dhe Presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarit, Kadri Veseli.

Kosnett është larguar menjëherë nga presidenca ndërsa ende nuk dihet se cili ka qenë mesazhi i tij i ri drejtuar liderëve. 

Nis takimi i krerëve të shtetit me ambasadorin amerikan

Tre krerët institucional, kryeministri Ramush Haradinaj, Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli mëngjesin e sotëm kanë hyrë në takim me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett.

Në takim po marrin pjesë edhe dy partnerët e tjerë të koalicionit, i pari i AKR-së Behgjet Pacolli, si dhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj.

Ky takim vjen pas takimit të djeshëm ndërmjet koalicionit qeveritar, takim ky pas së cilit Qeveria përmes një kumtese ka pohuar se koalicioni është stabil dhe funksional, pavarësisht deklaratave kundërthënese të partnerëve lidhur me taksën 100% ndaj Serbisë.

SHBA ka kërkuar disa herë heqjen e taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës, kurse kryeministri Haradinaj ka vazhduar të mbrojë nevojën për taksë. Mospajtimet brenda koalicionit se si duhet vepruar në këtë rast, dyshohet se ka shkaktuar krizë në koalicionin qeverisës.

Image
Image
Image
Image

***

Zhvillimet e fundit politike rreth dialogut dhe taksës ndaj Serbisë pritet të jenë tema më e rëndë edhe e ditës së sotme për institucionet e Kosovës.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe Kryeministri Ramush Haradinaj, kanë filluar para pak çastesh takimin me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

Takimi po mbahet në Zyrën e Presidentit.

Kjo është hera e parë, pas një kohe të gjatë që takohen Thaçi dhe Haradinaj.

Edhe dje kishte takim mes krerëve të koalicionit, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje rreth taksës, pasi SHBA-të kërkojnë pezullimin e saj, Haradinaj refuzon, ndërkaq Veseli mbështetë kërkesën amerikane.

***

Ambasadori amerikan Philip Kosnett ka filluar takimet me krerët e shtetit.

Ai tashmë ka shkuar në Presidencë.

Kosnett pritet të takohet me krerët e shtetit, kryeministrin Ramush Haradinaj, kryeparlamentarin Kadri Veseli e presidentin Hashim Thaçi.

SHBA po insiston në heqjen e taksës 100%, kërkesë kjo e kundërshtuar nga Haradinaj.

Madje, kjo kërkesë po e lëkundë edhe koalicionin pasi që pas kërkesës së Amerikës, PDK po insiston në pezullim të taksës. 

***

Pas takimit treorësh të mbrëmshëm që e patën krerët e koalicionit qeverisës, sot në orën 09:00, kryeministri, presidenti dhe kryeparlamentari do të takohen me ambasadorin amerikan, Kosnett.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, do të takohen sot, në orën 09:00, me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett. 

Kërkesa e SHBA-së për heqjen e tarifës doganore ndaj Serbisë ka shkaktuar probleme të mëdha në ekzekutiv, madje krerët e koalicionit nuk kanë arritur pajtueshmëri për këtë çështje as pas një takimi treorësh të mbajtur pasditen e së mërkurës.

Dimë se kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina ka shkaktuar krizë në koalicionin qeverisës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat