Limaj: Do ketë marrëveshje finale me Serbinë, rrugës do të hiqen edhe taksat

Aktuale

Limaj: Do ketë marrëveshje finale me Serbinë, rrugës do të hiqen edhe taksat

Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 16:35
Fatmir Limaj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, që është edhe bashkë-kryesues i ekipit negociator shtetëror, Fatmir Limaj ka deklaruar se Serbia dhe Kosova do të arrijnë një marrëveshje finale, e që rrugës do të hiqen taksat, sipas tij, e edhe do të vijë njohja. Ndërkohë, e përsërit se nuk do të ketë shkëmbim territoresh.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e interesuar që të arrijë marrëveshje me Serbinë, e po ashtu të ndërtojë raporte fqinjësore e ekonomike. Sipas Limajt, marrëveshja me Serbinë do të jetë gjithëpërfshirëse, ku do qartësohet edhe çështja e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë.

Po ashtu, Limaj ka thënë se gjatë këtij procesi, Kosova do të ruajë raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Limaj: Do të hiqen taksat, do të vijë edhe njohja

“Edhe do të ruajmë parteneritetin, edhe do të shkojmë drejt marrëveshjes, edhe do të forcojmë vendin tonë, edhe Serbia edhe Kosova besoj do të vinë deri te marrëveshja e tyre finale. Rrugës do të hiqen edhe taksat, do të vijë edhe njohja, natyrisht në atë kahje po shkojmë, ne jemi të interesuar të ndërtojmë marrëdhënie fqinjësore me Serbinë, të ndërtojmë paketa të ndryshme ekonomike, po shkojmë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”, ka thënë Limaj.

Limaj ka thënë se ky proces do të konfirmojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së dhe ka premtuar se do të gjejnë rrugën e drejtë.

Limaj: Do të gjejmë rrugën e drejtë

“Unë ju siguroj se ne do të gjejmë rrugën e drejtë dhe do të dalim unik, dhe jo që nuk diskutohen marrëdhëniet Kosovë-ShBA, po edhe ky rrugëtim, kjo etapë drejt një marrëveshjeje finale, do të fuqizojë, do të konfirmojë edhe një herë partneritetin e fuqishëm të këtij shteti të ri me një shtet i cili ka qenë pjesë e lirisë sonë, pjesë e ndërtimit tonë institucional, pjesë e ndërtimit tonë si shtet dhe bashkë me ta do të vazhdojmë pastaj në një etapë tjetër të konsolidimit dhe fuqizimit të shtetit tonë”, ka thënë Limaj.

I pyetur se a do ta humbë Kosova veriun në këmbim të njohjes nga Serbia, Limaj ka mohuar një gjë të tillë, teksa ka thënë se ata po shkojnë në Bruksel për ta fuqizuar Kosovën.

Limaj: Në Bruksel shkojmë për ta fuqizuar vendin tonë

“Në tavolinën e Brukselit po shkojmë që ta fuqizojmë vendin tonë, kurrë mos e hiqni prej mendjes, nuk shkojnë përfaqësuesit e Kosovës për ta ligështuar vendin e vet e as nuk na detyron askush që ta dëmtojmë vendin tonë, as nuk mund të na detyrojë askush”, ka thënë Limaj.

Po ashtu, gjatë kësaj konference, Limaj tha se taksa ndaj Serbisë nuk e rrezikon koalicionin, sepse, sipas tij, vetë koalicioni ka vendosur për takësn.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat