Lumezi: Nuk i nënshtrohemi ndikimit politik

Aktuale

Lumezi: Nuk i nënshtrohemi ndikimit politik

Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 13:13
Aleksandër Lumezi

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi ka mohuar të kenë ndikime nga jashtë dhe ka thënë se akuzat në drejtim të tyre gjatë vitit të kaluar u bënë me qëllim të dobësimit të sistemit prokurorial të Kosovës.

Këto deklarata Lumezi i bëri gjatë hapjes së Konferencës vjetore të prokurorëve, teksa tha se sistemi prokurorial në Kosovë ka shënuar progres.

Lumezi tha se gjatë vitit 2018, Prokuroria e shtetit ka shënjestëruar 48 raste të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, teksa mohoi të kenë ndikime nga jashtë.

Lumezi: Prokuroria e shtetit nuk i nënshtrohet asnjë ndikimi

“Prokuroria e shtetit nuk i nënshtrohet asnjë ndikimi, pavarësisht që gjëra të tilla dëshirojnë të na mveshin. Nga kush dhe se çka na mëveshët, besoj e keni të qartë. Nga ju kolegë të nderuar pres që edhe këtë vit të dëshmoni që institucioni i prokurorisë së shtetit nuk i nënshtrohet asnjë ndikimi dhe se nuk do të kthejmë kokën prapa deri sa kushtetuta dhe ligji janë udhërrëfyesi jonë kryesor”, ka thënë Lumezi.

Gjatë vitit 2018, ish-prokurori Elez Blakaj akuzoi kryeprokurorin Lumezi për ndërhyrje në punën e tij. Lumezi tha se një pjesë e kritikave që u bënë ndaj tyre kishin për qëllim dobësimin e sistemit prokurorial.

Lumezi: Kritikat kishin qëllim dobësimin e sistemit prokurorial

“Kritikat e justifikuara të cilat kanë ardhur në adresën tonë, i kemi marrë me seriozitet, ndërsa për kritikat e pajustifikuara asnjëherë nuk kemi humbur kohë dhe energji, pasi që qëllimi i tyre ka qenë dobësimi i sistemit prokurorial në ushtrimin e funksioneve kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë Lumezi.

Sa i përket luftës kundër korrupsionit, Lumezi tha se gjatë vitit 2018 kanë ngritur 588 akuza për korrupsion dhe krime ekonomike. Ndërsa lidhur me luftën kundër terrorizmit, Lumezi tha se si bashkëpunim i institucioneve të sigurisë, gjatë vitit të kaluar asnjë shtetas i Kosovës nuk i është bashkangjitur vatrave të luftës jashtë vendit.

Po ashtu, Lumezi tregoi se gjatë vitit të kaluar, kanë sekuestruar pasuri të paligjshme në vlerë prej 27 milionë eurosh.

Ndërkaq, kryesuesi i ri i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, pati bëri disa zotime për vitin 2019, ku ndër të tjerash premtoi se KPK do të ofrojë më shumë siguri për prokurorët e Kosovës, por edhe do të monitorojë punën e tyre.

Hyseni: Do të ofrojmë mbrojtje më të madhe për prokurorët

“Do të ngrisim kapacitetet profesionale dhe shkathtësitë praktike të prokurorëve dhe personelit. Këshilli do të aktivizojë të gjithë mekanizmat e brendshëm për të rritur llogaridhënien dhe integritetin e sistemit prokurorial. Tashmë kemi në fuqi një ligj për përgjegjësinë disiplinore i cili kërkon ndërmarrjen e masave të reja, dhe ne do të jemi të pakopromis në funksion të zbatimit të këtij ligji. KPK do të angazhohet maksimalisht për ofrimin e sigurisë më të madhe për mbrojtjen e prokurorëve dhe stafit mbështetës”, ka premtuar Hyseni.

Teksa parafolësit folën për rezultate, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci përmendi disa sfida të sistemit prokurorial në Kosovë. Ai tha se kjo konferencë duhet të shërbejë si reflektim për zotime të përbashkëta për përmirësimin e sistemit të drejtësisë.

Peci tha se populli e ka humbur besimin te drejtësia, e sipas tij është koha e fundit për ta rikthyer besimin e popullit, duke u treguar të paanshëm.

Peci: Duhen vite për ta kthyer besimin e popullit në drejtësi

“Si gjyqësor dhe si prokurori përballemi ende me probleme që na shoqërojnë nga viti në vit, lënd të grumbulluara, qytetarë që presin me vite për t’u vendosur drejtësi për ta. Mjafton ky fakt për të rrënuar besimin e publikut në drejtësi e duhet angazhim i shumëfishtë e shumë vite për ta ndryshuar këtë perceptim”, ka thënë Peci.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga zyra e BE-së dhe zyra ligjore e OSCE-së në Kosovë.

Zëvendësshefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri bëri thirrje që të zbatohen ligjet në Kosovë, duke potencuar rëndësinë që kanë ato në procesin e liberalizimit të vizave.

Serri: Është e rëndësishme të zbatohen ligjet sepse ju hapin rrugën për vizat

“Të gjithë jemi të informuar lidhur me zhvillimet e rasteve të profilit të lartë, do të thotë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe kjo është një gjë e mirë, kemi disa zhvillime aty. Është e rëndësishme që këto zhvillime të vazhdojnë tutje, sepse lidhet me rrugën tuaj drejt liberalizimit të vizave”, ka thënë Serri.

Kurse shefi i zyrës ligjore të OSCE-së, Benjamin Reed, tha se OSCE ka punuar ngushtë me prokuroritë në Kosovë, ndër të tjerësh për të trajnuar prokurorët në luftën kundër korrupsionit dhe terrorizmit.

Sipas agjendës ishin paraparë të marrin pjesë edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, por ata nuk ishin të pranishëm.

Konferenca është mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat