Deputetët rritin koeficientin e mësimdhënësve universitar

Aktuale

Deputetët rritin koeficientin e mësimdhënësve universitar

Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 17:27
Ilustrim

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kaluar rritjen e koeficientit për 0.1 përqind për mësimdhënësit universitarë, ndërsa nuk ka kaluar propozimi për rritjen e pagës së shefit të Agjencisë Anti-Korrupsion.

Kjo erdhi pas propozimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili propozoi që mësimdhënësve të universiteteve publike t’iu rritet koeficienti për 0.1, dhe drejtorit të Agjencisë Anti-Korrupsion, Shaip Havollit të mos t’i zvogëlohet paga, por t’i bëhet sa ajo e deputetit.

Veseli tha se propozimi i parë vjen si rezultat i premtimeve që janë bërë ndaj mësimdhënësve, teksa për të dytin u shpreh se nuk është mesazh i mirë që shefit të një institucioni kaq të rëndësishëm t’i zvogëlohet paga.

Pas kësaj deputetët u sqaruan lidhur me propozimin e kryeparlamentarit Veseli, ku thanë se nuk bëhet fjalë për rritje për 0.1 si përqindje, por si koeficient.

Veseli: Të rritet koeficienti i deputetëve

“Propozoj shtim linear për 0.1 [përqind]. Do të thotë iu kemi premtu, dhe këtë 0.1 përqind, kjo është çështje e premtimit, në fund të fundit seanca e merr vendim. Punëtorët arsimor në universitete në pikën 133 deri në pikën 140, jam konsultuar edhe me ministrin e financave. Propozoj shtim linear 0.1 përqind, ka kaluar më herët më tepër dhe gabim.  Dhe 58 b, kryesuesin pastaj e kisha ftu me i vë dyjat, ka të bëjë me një institucion që për mua është shumë i rëndësishëm Agjencioni Anti-korrupsion. Drejtorit të Agjencionit iu ka ulë paga, nuk është mesazh i mirë. Unë besoj se është mirë që ky Kuvend t’ia bëjë pagën si të deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, tha Veseli.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se një gjë e tillë nuk është konform rregullores së Kuvendit.

Zemaj: Kjo nuk është konform rregullores së Kuvendit

“Kjo tash nuk është konform rregullores së Kuvendit paraqitja e amendamentit të ri nuk ka mbështetje procedurale e para, e dyta nëse ishte e sinqertë do të duhej të ishte intervenimi atje te tabelat kur ne debatuam një orë të tërë këtu, edhe për koeficientet për profesorët universitarë dhe për këtë arsye nuk i japim mbështetje. Sa i përket Agjencisë Kundër Korrupsion besoj që komisioni funksional e ka pas në pikëpyetje, ne po flasim që po vëmë rregull dhe nuk mundemi që të rikthehemi në çdo pozicion veç e veç, se ka X arsye. Nëse kthehemi për çdo pozicion veç e veç po fillojmë nga shefi i stafit të kryetarit të kuvendit, që i merr pagë 1852 euro sipas këtij ligji, zëvendësi i tij kur mungon ky 1610, këshilltarët nga 1434, zyrtari i lartë personal 979, zyrtari pak më i vogël jo personal 884 etj”, tha Zemaj.

Ndërsa me replikë iu kthye kryeparlamentari Veseli, i cili tha se ka pritur që deputetët të jenë më korrekt duke i ulur pagat e veta.

Veseli: Kam prit të jeni më korrekt, sektorin publik e gjeta qysh ma ka lënë LDK

“Kam prit se ju do të tregoheni më korrekt, me i ulë ende pagat tona. Unë timen e kam ul 2 koeficient. Edhe sektorin publik nuk e kam bë unë, e kam gjet qysh ma ka lënë Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat