Kush qëndroi prapa grevave?

Aktuale

Kush qëndroi prapa grevave?

Më: 3 shkurt 2019 Në ora: 15:26
Foto ilustrim

Janari mund të konsiderohet si muaji i grevave, ku mësimdhënësit e punëtorët e sektorit publik në këtë mënyrë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për ligjin për pagat, por këto greva po konsiderohen të politizuara nga shoqëria civile dhe opozita.

Derisa më të zëshmit nga grevistët ishin mësimdhënësit, të cilët për tri javë nuk hoqën dorë nga kërkesat e tyre për ngritje të koeficientit, të premten, nga zyra e kryetarit të Kuvendit, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, dha lajmin se greva do të ndërprehet, ani pse kërkesat e tyre nuk janë realizuar 100 përqind.

Krejt kjo erdhi përkundër deklaratave të tij të mëhershme, se “këtë vit mund të mos ketë fare mësim”. Edhe pse tërheqja e SBAShK-ut, po vlerësohet të jetë rezultat ndikimit të politikës në sindikata, Jasharaj mohon një gjë të tillë.

“Të gjithë do të binden se nuk kemi pasur arsye të ndikohemi politikisht dhe nuk do të ndikohemi ngase në SBASHK janë mësimdhënësit dhe punëtorët tjerë arsimor, që nga çerdhet, dhe ne jemi të vetëdijshëm se disa nga ta votojnë për LDK-në, të tjerët për PDK-në, dhe kjo është e drejtë e tyre. Mirëpo në SBASHK nuk ka frymë partiake sepse do ta humbnim arsyen e sindikatës”, tha ai.

Ndërsa nga opozita thonë se përveç nga politika, greva e ka burimin nga pakënaqësitë që ka krijuar ligji për pagat te sektorët përkatës.

Lumir Abdixhiku nga LDK thotë se grevat në arsim, në shëndetësi dhe miniera, që kapluan vendin muajin që sapo lamë pas, kanë qenë të koordinuara dhe orkestruara nga PDK-ja, si pjesë e shantazhit të brendshëm të koalicionit qeverisës.

“Greva është përdorur si instrument politik nga Veseli në radhë të parë dhe meqenëse është instrument politik, e trajtojmë si të tillë. Pra, grevat janë nisur me urdhra politik, janë trajtuar me urdhra politik dhe janë mbyllur me urdhra politik. Në një rrethanë të tillë, mos të harrojmë, ka diskrepancë të madhe mes sektorit privat dhe sektorit publik… Ne konsiderojmë se greva ka qenë e koordinuar dhe orkestruar nga PDK si pjesë e shantazhit të brendshëm të koalicionit qeverisës”, u shpreh ai.

Ndërsa bashkëpartiaku i tij, Arban Abrashi, anëtar i kryesisë të LDK-së, thotë se ky është rezultat i hartimit jo të mirë të ligjit për paga.

“Më shumë këtë deklaratë të presidentit e kisha parë në vazhdën e ngacmimeve që po i bënë Qeverisë sepse po shihet tani marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit nuk janë aq të mira, por sa i përket grevës si grevë, unë mendoj se ka buru nga vet kërkesat e sindikalistëve të sektorëve përkatës. Unë i kam takuar një numër të madh të tyre dhe kam parë se qëndrimet dhe kërkesat e tyre anë burimore për shkak të pabarazisë të cilën e ka prodhu ky projektligj”, tha ai.

Gjatë janarit, me problemin që shkaktuan grevat u ballafaquan të gjitha komunat e vendit, edhe ato ku kryetarët ishin nga radhët e AAK-së, subjektit që e drejton kryeministri Ramush Haradinaj.

Kështu, kryetari i Obiliqit, njëherësh anëtarë i kryesisë së këtij subjekti, Xhafer Gashi thotë se përkundër sfidave me të cilat u ballafaquan, nuk do të ishte mirë që të politizohet kjo çështje.

Ai nuk ka dashur të komentojë nëse prapa këtyre grevave qëndruan njerëz të poltikës.

“Nuk kishte qenë mirë që të politizohet kjo çështje, por t’i drejtojmë të gjitha mesazhet drejt mësimdhënësve… Nuk muj me i komentu. Ju i shihni edhe zhvillimet e ndryshme që po ndodhin aktualisht”, tha ai.

Por është shoqëria civile që beson se pas grevave të minatorëve të Trepçës, mjekëve kirurgë dhe mësimdhënësve, qëndron politika.

Rasim Alija, njohës i aktualitetit thotë se sindikatat janë të politizuara.

“Ajo që mund të themi është se sindikatat edhe në mënyrën e zgjedhjes së tyre, por në veprimet e tyre sindikaliste, janë që ka ndikimet politike, brenda vet sindikatave. Edhe anëtarësia e tyre, edhe këshillet drejtuese të sindikatave, bordet, janë të politizuara, madje këtë e pranojnë vet sindikalistët që veprojnë nën ombrellën e BSPK-së. Në këtë rast, i bie që ka indicje të caktume që grevat kanë qenë të shtyra, në mos direkt prej subjekteve politike, ka pasur një dorë politika në gjithë këto greva të orkestrume, ciklet e grevave të sindikatave të njëpasnjëshme”, tha ai.

Për më tepër, ai thotë se këtë e vërteton ndryshimi i qëndrimeve të SBAShK-ut.

“Tërëheqja… nga greva, ose ndryshimi i qëndrimeve, shohim se a pasur një shtytje ose thjesht një dorë të politikës në këtë rast. Roli i SBASHK-ut në këtë rast ka qenë më shumë i reduktuar në pjesën e pagesës, në pjesën e ashtuquajtur të rritjes të koeficientit sesa në cilësinë ose në atë se çka ofron sistemi arsimor, e në këtë rast se çfarë ofrojnë arsimtarët që janë anëtarë të SBASHK-ut”, u shpreh Alija.

Kujtojmë se marrëveshja mes SBAShK-ut dhe Qeverisë u arrit një ditë para se Ligji për Pagat të hidhet në votim në seancën e Kuvendit të Kosovë.

Ndërsa gjatë kësaj jave ishte aktivizuar edhe Sindikata e Doganës të Kosovës, ku përmes një konference për media i kishte dhënë ultimatum Qeverisë: “Rikthena statusin tonë ose shkojmë në greva”./kp

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat