Kirurgët vazhdojnë grevën, nuk i pranojnë 1200 euro rrogë, i duan rreth 4 mijë

Aktuale

Kirurgët vazhdojnë grevën, nuk i pranojnë 1200 euro rrogë, i duan rreth 4 mijë

Më: 4 shkurt 2019 Në ora: 12:04
Foto ilustrim

Të shtunën që shkoi, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin e ri për Paga. E, një nga kategoritë që ka përfituar më së shumti janë profesionistët shëndetësorë. Sipas Ligjit të Ri për pagat, mjekët specialistë do të paguhen tani plot 1,200 euro në muaj pagë standarde bruto nga afro 600 sa ishte gjerë tani. Por pavarësisht kësaj, kjo shifër nuk është e mjaftueshme për kirurgët e QKUK’së, të cilët ka një muaj që janë futur në grevë. Ata thonë se grevën do ta vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, rrjedhimisht ngritjen e koeficientit,.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, e quajti historike ditën e shtunë kur Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin e Ri për paga në bazë të së cilit mjekëve do t’iu rriten të hyrat mujore nga 600 në 1 mijë e 200 euro. 

Por siç duket mjekët e QKUK’së, saktësisht kirurgët po e shohin ndryshe nga Ismaili vendimin për paga.

Ata nuk e kanë ndërmend ta ndalin grevën të cilën e kanë nisur tash e shtatë javë deri në realizimin e kërkesës së tyre, rritjen e pagës në koeficientin 10. 

Kështu ka deklaruar gjatë ditës së hënë, Arbër Morina, kirurg, njëherësh përfaqësues i Kolegjiumit të Kirurgëve në QKUK.

“Meqë Parlamenti i Kosovës, në votimin për Projektligjin për Paga, nuk ka marrë parasysh kërkesën tonë për rritje të koeficientit në nivel të gjykatave dhe prokurorëve e që konsiderojmë është një kërkesë e jona modeste dhe e bazuar në kriteret në bazë të të cilave indeksohen”, deklarojnë kolegjiumi i kirurgëve

Tutje ata thonë se nuk do të ndërpritet greva deri në realizimin e kërkesave siç thonë ata që të rregullohet koeficienti dhe si krahasim ata kanë marrë kryeprokurorët e shtetit, të cilët janë ranguar në koeficientin 10.

“Ne e vazhdojmë grevën me kërkesën e njëjtën dhe nuk do ta ndërpresim atë deri në realizimin e saj”, thuhet në deklaratën e Kolegjiumit Profesional të Kirurgëve dhe Specialistëve tjera të ShSKUK’së.

E me grevën e kirurgëve nuk po pajtohet Federata Sindikale e Shëndetësisë. Blerim Syla, kryetar i kësaj sindikate tha të hënën se nuk ka koment për grevën të cilën pavarësisht rritjes së pagave po e vazhdojnë kirurgët e QKUK’së. 

Syla kohë më parë kishte thënë se koeficienti 10, nënkupton pagën deri në rreth 4 mijë euro, nuk i përket standardeve të Kosovës, pasi paga mesatare në Kosovë para miratimit të buxhetit të viit 2019 ishte është rreth 170 euro.

Megjithatë, greva në shëndetësi fillimisht ishte organizuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë më 26 dhjetor të vitit të kaluar dhe kishte zgjatur vetëm 72 orë. Më pas kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla pas takimit me zyrtarë qeveritarë kishte hapur rrugën për dialog social, duke urdhëruar që greva të ndërpritet. Por, kësaj kërkesë nuk i janë bashkuar mjekët kirurgë, të cilët grevën e nisën më 17 dhjetor dhe pavarësisht thirrjeve për ndërprerje të grevës, ata ende po vazhdojnë.

Ndërkohë, në bazë të koeficientit të ri, mjekët specialistë tani do të paguhen nga 1,200 euro pagë bazë bruto në muaj, nga afro 600 sa ishte gjerë tani.

Por, derisa të vijë koha e kësaj page, mjekët dhe të gjithë shërbyesit e tjerë të cilëve iu ngritën pagat do të duhet të presin disa muaj. Një nga amendamentet e miratuara dje, thotë se vendimet hynë në fuqi plot nëntë muaj pas publikimit të vendimeve në gazetën zyrtare të Kuvendit të Kosovës. Kësisoj, pagat me ngritje do të vijnë vetëm në fillimin e tremujorit të fundit të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat