Mbyllja e programeve të akredituara, paralajmërohen protesta

Aktuale

Mbyllja e programeve të akredituara, paralajmërohen protesta

Më: 4 shkurt 2019 Në ora: 12:28
Ilustrim

Rektorët e gjashtë universiteteve publike në vend u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të ndërmarrin hapa konkretë në zgjidhjen e problemeve rreth mbylljes së programeve të akredituara, ndërsa paralajmërojnë protesta në forma të ndryshme deri në realizimin e kërkesave.

Pas takimeve me kryeparlamentarin Kadri Veselin, zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe Komisionin Parlamentar për Arsim, Konferenca e Rektorëve e vlerëson përkushtimin e tyre për gjetjen e zgjidhjes në lidhje me njoftimin e AJA-së për mbylljen e programeve të akredituara.

Njëherësh, Konferenca e Rektorëve beson se reagimi i saj ka rikthyer në opinion publik çështjen e autonomisë së universiteteve, e sulmuar viteve të fundit nga grupet e interesit politik, si dhe ka shtuar besimin e profesoratit e të studentëve për ruajtjen e sistemit të lartë publik arsimor nga degradimi.

Konferenca e Rektorëve pajtohet me idenë e diskutuar në takime me institucionet e Kosovës për rishqyrtimin e strategjisë për zhvillimin e arsimit të lartë publik në vendin tonë dhe beson se studentët nuk duhet të pësojnë në këtë angazhim për arsimin e lartë publik dhe autonominë universitare.

Për më tepër, Konferenca e Rektorëve kërkon që provimet e afatit të janarit dhe semestri i dytë do të fillojnë në secilin universitet publik sa më shpejt që të jetë e mundur dhe në kohën e duhur.

Deklarata është nënshkruar  nga rektori i UHZ në Pejë, Fadil Millaku, ai i UP-së, Marjan Dema, rektori i UIMB Mitrovicë Alush Musaj, ai i UKZ në Gjilan Bajram Kosumi, rektori Shaban Buza - UGJFA Gjakovë  dhe Agron Bajraktari, rektori i USHA në Ferizaj.

Ndryshe, Agjencia e Akreditimit të Kosovës (AKA) më datë 18.01.2019, i ka njoftuar në formë elektronike Universitetet Publike të Kosovës, për vendimet e marra nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

Në mbledhjen e mbajtur më 15 dhe 16 janar 2019, KShC-ja ka tërhequr akreditimin për shumë programe studimore të universiteteve publike, posaçërisht të universiteteve të reja publike - 40% të programeve që përfshijnë përafërsisht 70% të studentëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat