Isa Mustafa akuzon Gjykatën Kushtetuese se i shërbeu Qeverisë për t'ia larë borxhin Shpend Ahmetit

Aktuale

Isa Mustafa akuzon Gjykatën Kushtetuese se i shërbeu Qeverisë për t'ia larë borxhin Shpend Ahmetit

Më: 4 shkurt 2019 Në ora: 20:33
Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të hedhur poshtë një kërkesë të ish-kandidatit të LDK'së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, nëpërmjet së cilës ai synonte rrëzimin e Shpend Ahmetit nga posti i kreut të Komunës.

Mustafa e ka sulmuar, nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Gjykatën Kushtetuese pas vendimit në favor të Ahmetit.

Udhëheqësi i LDK'së e ka cilësuar Kushtetuesen të afërt me pushtetin në vend.

"Të shtunën, Shpend Ahmeti e shpëtoi Qeverinë, të hënën Gjykata Kushtetuese e shpëtoi Shpend Ametin. E mira kthehet me të mire!", është shprehur ai, duke iu referuar mbështetjes që Partia Socialdemokrate e Ahmetit dha në Kuvendin e Kosovës për buxhetin e sivjetmë të shtetit.

"Gjykata Kushtetuese shkeli të gjitha afatet ligjore për të vendosur për kërkesën e Arban Abrashit. Në fund vendosi në interes të pushtetit", ka deklaruar Mustafa.

Ai e ka krahasuar rastin e Ahmetit, me një rast të një miku të tij, në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.

"Vendimi i sotëm i kësaj gjykate, më kujtoi një rast të viteve nëntëdhjeta të një mikut tim, profesor nga Tirana. Kishte shkuar në gjykim për të kërkuar lirimin e shtëpisë së tij, që ia kishte uzurpuar një palë", ka shkruar Mustafa.

"Kur gjykata vendosi në llogari të palës uzurpuese, profesori mbeti ulur në gjykatë, i habitur. Gjykatësi kërkoi të largohet, pasi kishte përfunduar gjykimi. Profesori e pyeti, po si u bë prona ime pronë e tij?! Gjykatësi iu përgjigj, kësaj radhe ky e bëri punën, bëre ti punën radhën tjetër!", ka treguar Mustafa.

"Një shtet që e humb besimin në Gjykatën Kushtetuese nuk i ka punët mirë! As shteti e as Gjykata", përfundon shkrimi i kreut të LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat