Haradinaj: Tensionet Kosovë-Serbi janë si rezultat i luftës - Bota Sot
Haradinaj: Tensionet Kosovë-Serbi janë si rezultat i luftës

Aktuale

Haradinaj: Tensionet Kosovë-Serbi janë si rezultat i luftës

Më: 6 shkurt 2019 Në ora: 15:40
Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë edhe një herë se në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë nuk do të preket territori i Kosovës.

I pyetur nëse taksa ka ngritur tensionet mes këtyre dy vendeve, Haradinaj ka thënë se tensionet Kosovë-Serbi janë si rezultat i luftës së fundit.

Këto deklarata Haradinaj i bëri gjatë vizitës në fabrikën e çipsave “Vipa”, me ç’rast u takua me pronarin e kësaj fabrike, Bedri Kasumi.

Haradinaj: Tensionet Kosovë-Serbi i ka krijuar lufta

“Ne si Kosovë i kemi shkëputur komunikimin me UNMIK-un, nuk po komunikojmë më me ta, ata i shkruajnë këto letra, pra njerëzit e UNMIK-ut në Kosovë, i çojnë atje, nuk mendoj se është reflektimi i së vërtetës. Tensionet Kosovë-Serbi i ka krijuar lufta, dëmet e shkaktuara, dhimbjet e mëdha të këtij vendi edhe mos zgjidhja e marrëdhënieve, mos vendosja e një kontrate mes Kosovës dhe Serbisë për njohje”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se Kosova është e gatshme për dialog me Serbinë, por pa u prekur territori i Kosovës.

Haradinaj po ashtu tha se vendosja e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë ka ndikuar edhe në rritjen e shitjeve të produkteve të ‘Vipa’ çips, si dhe ka rritur numrin e të punësuarve, ndërkohë që ka potencuar problemin me energjinë elektrike me të cilën përballet kjo fabrikë.

Haradinaj: Sipërmarrësit kanë probleme me furnizimin me energji

“Është çështja e kyçjes në energji, furnizimi me energji, rregullativa jo shumë e lehtë për sipërmarrësit, pra këta duhet ta ndërtojnë trafostacionin e tyre, rrjetin, e pastaj t’ia bartin KEDS-it, pak e habitshme kjo marrëdhënie, po kjo buron nga kontrata që është bërë në atë kohë me KEDS-in. Shpresoj që edhe këtu do të mund t’iu japim përkrahje”, ka thënë Haradinaj.

Ai e vlerësoi të rëndësishëm faktin që kjo kompani ka të punësuar mbi 200 punëtorë, ndërsa produktet e VIPA-s i cilësoi si të besueshme për tregun.

Haradinaj: Janë të punësuar 212 punëtorë

“Ajo që është me rëndësi ta dimë është se ka mbi 212 të punësuar, në sezon ka edhe 35 të tjerë, varësisht prej sezoneve, pra janë 212 familje që marrin pagë këtu. Ajo çka është me rëndësi po ashtu, është se produktet e VIPA-s janë shumë të besueshme në Kosovë, pra tregu i Kosovës vërtetë i beson, i blen, i ka”, ka thënë Haradinaj.

Pronari i kompanisë ‘Pestova’, Bedri Kasumi, ka thënë se vendosja e taksës ndaj produkteve të Serbisë i ka ndihmuar prodhuesit në Kosovë, teksa ka kërkuar që në vendet e tjera të njihet barkodi i produkteve kosovare.

Kasumi: Taksa është vendim i qëlluar për prodhuesit vendor

“Çështja e taksës edhe ajo u diskutua, do të thotë për prodhuesit vendor është vendim shumë i qëlluar dhe ne si prodhues nuk po kërkojmë asgjë tjetër vetëm sa barkodi i dikujt njihet dhe është prezent në Kosovë, në ato vende të jetë i pranuar edhe barkodi jonë, sepse edhe ne jemi ata që mund të shesim aq sa mundemi në ato vende, mirëpo, për shkaqe politike, se nuk njihet barkodi, nuk njihet shtetësia e Kosovës. Edhe unë jam për atë që kjo taksë të mbetet në fuqi, derisa të jemi të barabartë në lojë”, ka thënë Kasumi.

Ndryshe, kompania Pestova, në kuadër të së cilës prodhohen produktet ‘Vipa’ çips, funksionon që nga viti 1999. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...