Policia e Kosovës nuk u solidarizua me protestuesit, nuk lëvizën dy hapa mbrapa

Aktuale

Policia e Kosovës nuk u solidarizua me protestuesit, nuk lëvizën dy hapa mbrapa

Më: 7 shkurt 2019 Në ora: 11:59
Protesta

(E plotësuar) -Nën thirrjet “Përdhunuesit në burg” ka nisur protesta para Policisë së Kosovës, përmes së cilës qindra qytetarë e aktivistë të shoqërisë civile, kanë kërkuar drejtësi për të miturën nga Drenasi, e cila u abuzua nga profesori Shkelzen Xhekaj dhe hetuesi policor Vesel Veseli.

Protestuesit kërkuan që të dyshuarit të burgosen, ndërkaq policëve që ishin të pranishëm iu kërkua që të lëvizin ‘dy hapa mbrapa’ për t’u distancuar nga kolegu i tyre.

Pavarësisht thirrjeve të shumta të protestuesve, policët nuk lëvizën nga vendi, as atëherë kur në drejtim të tyre u hodhën shishe të plastikës.

Policët nuk u solidarizuan me protestuesit, pavarësisht thirrjeve të tyre “Dilni prej zyrës”, “Dy hapa mbrapa” dhe “Mos u tutni prej eprorit”.

Ndërsa disa qytetarë kërkuan edhe varjen e policit Vesel Veseli.

"Silleni këtu kriminelin, me var para të gjithëve. Pastaj le të përsëritet. Jo suspendim. Silleni këtu", ka thënë njëra nga protestueset.

Kërkesën e saj e kanë mbështetur edhe qytetarë të tjerë.

"Varje, varje, kush është për varje (të policit)",  kanë thirrur disa nga protestuesit.  

Mirishahe Syla nga Iniciativa e të Rinjve për Të Drejtat e Njeriut (YIHR), ka thënë për KosovaPress se ata po kërkojnë që të burgosen të dyshuarit lidhur me rastin në Drenas.

Syla ka paralajmëruar protesta të tjera nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre. Po ashtu, ajo ka njoftuar se do të kërkojnë nga Ministria e Arsimit që të ndërmerren masa ndaj profesorëve që abuzojnë me nxënës.

Syla: Kërkojmë që të burgosen përdhunuesit

“Mesazhi kryesor (i protestës) ka qenë që të burgosen përdhunuesit. Ne po e shohim që përdhunuesit janë pjesë të çdo institucioni shtetëror në Kosovë edhe shteti edhe institucionet nuk po bëjnë asgjë për ta parandaluar krimin, por po e sponzorizojnë dhe po ushtrojnë dhunë, kështu që arrestimi i përdhunuesve çon mesazh të mirë edhe te përdhunuesit e tjerë, çon një mesazh që të parandalohet krimi edhe kërkesa jonë është që policia të jetë sa ma transparente, të ketë llogaridhënie për çdo rast të krimit që raportohet për gratë edhe vajzat dhe të trajtohen me dinjitet”, ka thënë Syla.

Aktivistja për të drejtat e njeriut, Adelina Tërshani, gjendjen e krijuar e quajti kolaps shtetëror, teksa tha se aktivistët nuk do të ndalen derisa të arrihet drejtësi.  Ajo kritikoi edhe policët që nuk lëvizën në shenjë solidarizimi me protestuesit.

Tërshani: Policët dalin nga uniforma kur vjen puna që të na përdhunojnë

“Ju thashë edhe vetë atyre para fytyrës. Këta prej uniformës po mund të dalin kur është puna të na përdhunojnë, ndërsa nuk mundën që dy hapa mbrapa t’i bëjnë pa e marrë urdhrin e rreshterit të tyre apo të eprorit, që nuk po më intereson kush është, edhe që të solidarizohen me gratë e vajzat që po i dhunojnë vetë nëpër zyrat e tyre”, ka thënë Tërshani për KosovaPress.

Protestuesit u shpërndanë nga protesta me thirrjet “Marre” dhe  iu thanë qytetarëve se më nuk e kanë një vend të sigurt për të raportuar. Organizatorët po ashtu iu bënë thirrje protestuesve të mos eskalojnë protestën, duke thënë se “Ne nuk jemi në nivelin e tyre (policëve)”.

Kjo protestë është organizuar nga YIHR, por ka marrë mbështetje edhe nga OJQ të tjera dhe qytetarë, aktivistë e deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Protesta e radhës do të mbahet nesër në Drenas, në ora 12.00, pranë shkollës ku ndiqte mësimet e mitura. Rrjeti i Grave të Kosovës ka siguruar transport falas për të interesuarit nga Prishtina që duan të shkojnë në protestën në Drenas.

Protestë kundër përdhunimeve ndaj grave e vajzave 

 Në mbështetje të së miturës nga Drenasi, e cila po raportohet se u abuzua seksualisht nga mësuesi i saj, më pas dhe nga polici hetues.

Me pankarta në duar “Bac, na nxijtën ftyrën”, “Rrezik, zonë e pedofilisë”, “Përdhunuesit në burg”,  “Kush me na mbrojt prej policisë”, “Viktima e rradhës???”, “Shtet përdhunues”, “Duhesh me m’msu, jo me m’abuzu”, “Orari mësimor, ora e parë fizikë, e dyta përdhunim”, protestuesit kërkuan drejtësi për të miturën.

Protestuesit kërkuan nga policët që të bashkohen në protestë, e cila po mbahet pikërisht duke kërkuar drejtësi për të miturën, e cila dyshohet se u përdhunua nga një polic i Kosovës.

"Na ka mbetë veç m'i marrë kallashat", ka thënë një protestues, duke thirrur "marre".

"Hashimi është fajtor. Duhet të japë dorëheqje"

Image

 

Image

Disa nga pjesëmarrësit e kësaj proteste ka kërkuar vrasjen e personit që dyshohet se ka përdhunuar të miturën.

 "Silleni këtu kriminelin, me var para krejtëve. Pastaj le të përsëritet. Jo suspendim. Silleni këtu", ka thënë njëra nga protestuesit.

"Varje, varje, kush është për varje (të policit)",  kanë thirrur disa nga protestuesit.  

“A duhet me ul kry e me pranu me jetu kështu? Ne duhet të bashkohemi kundër të keqes dhe ti tregojmë të gjitha grave e femrave se jemi me to, edhe kur shteti është kundër tyre duke u dhënë poste e dekorata kriminelëve”, ka thënë njëra nga protestueset.

Njëri nga të moshuarit që mori pjesë në protestë tha se Serbia ka dhunu femrat shqiptare gjatë luftës, e sot po dhunojnë policët, turp, e që ia kanë nxirë fytyrën vendit.

Image
Image

Një protestues tjetër tha se në këtë rast nuk është përdhunues vetëm mjeku, por të gjithë të përfshirët.

“Nuk është përdhunues vetëm mjeku, por të gjithë. me polic, mësues, mjek, me shtet. Ku guxon mjeku me e bo atë punë, me ia hek fëmijën, polici i vet e ka përdhunu, e ka përdhunu mësuesi i vet, nuk ka kërkund në botë kështu. Krim”, ka thënë njëri prej protestuesve të tjerë.

***

Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë do të protestojë para Policisë së Kosovës pas raportimeve për përdhunime ndaj grave e vajzave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat