Kërkohet bashkëpunim më i madh për implementimin e prioriteteve të ERA 2

Aktuale

Kërkohet bashkëpunim më i madh për implementimin e prioriteteve të ERA 2

Më: 7 shkurt 2019 Në ora: 12:18
Sot është mbajtur takimi i Këshillit Ministror për Integrim Evropian

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që të ketë më shumë bashkëpunim ndërinstitucional për implementimin dhe evidentimin e të gjitha 19 prioriteteve të Agjendës së Reformave Evropiane (ERA2).

I pari i qeverisë në Këshillin Ministror për Integrim Evropian, foli dhe për sukseset e arritura në zbatimin e prioriteteve të ERA 1, ku tha se pakot e ligjeve për sundim të ligjit dhe reformës së administratës publike, të cilat kanë  kaluar ditë më parë në Kuvend,  dëshmojnë për seriozitetin që ka qeveria për implementimin e ligjeve në harmoni me standardet evropiane.

Haradinaj tha se primare për këtë këshill është t’i evidentojnë mangësitë e së kaluarës dhe të mos vonohen në implementimin e tyre.

Haradinaj: T’i evidentojmë gjitha mangësitë e së kaluarës

“Ajo çka na mbetet në periudhën që kemi para vetes, sa i përket prioriteteve të ERA 2, pra t’i evidentojmë ato mangësitë e kaluarës në raste të caktuara pasaktësia në identifikim të veprimit, cili veprim është ai. Kujt i dedikohet dhe procedurat e parapara, aspektet kohore që të mos ndodhë më dhe të vazhdojmë me to. Njëkohësisht po e them ashtu të jemi ndërveprues. Pra, kur veprimi i caktuar parasheh më shumë akterë të jemi ndërveprues të kemi një bashkëpunim më të mirë ndërinstitucional”, tha ai.

Ndërsa, ministrja e Integrimeve Dhurata Hoxha, tha se janë gjithsesi 19 prioritete të ERA 2, të cilat duhet të zbatohen deri në vitin 2020. Sipas saj, gjitha këto prioritete kanë të bëjnë me qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, klimën e investimeve, arsimimin dhe punësimin.

Hoxha: ERA 2 i ka 19 prioritete

“ERA 2 i ka gjithsej 19 prioritete të ndara si në vijim: shtylla 1 qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit i ka 5 prioritete, shtylla dy konkurrueshmëria, klima e investimeve dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë 6  prioritete, ndërsa shtylla tre punësimi dhe arsimi janë 8 prioritete... Një afat kohor për këto prioritete, pra ERA 1 ka pasur një afat kohor 1-vjeçar, ndërsa ERA 2 ka një afat kohor deri në vitin 2020”, u shpreh ministrja Hoxha.

Ajo foli dhe për zbatimin e platformës së ERA 1, ku tha se 8 nga 22 prioritetet dhe 62 për qind e veprimeve janë plotësuar në tërësi, derisa ato që janë në zbatim do të barten në pjesën e procesit ERA 2.

Hoxha: Kemi bërë një punë të madhe

“Ne kemi bërë një punë të madhe. Në tërësi janë zbatuar 8 prioritete nga 22 dhe 62 për qind e veprimeve janë plotësuar në tërësi. Ndërsa pjesa tjetër e veprimeve janë në zbatim e sipër, përgjegjësitë tani do të jenë pjesë e procesit ERA 2”, tha ministrja Hoxha.

E para e Ministrisë së Integrimeve shtoi se miratimi i pakove të ligjeve së fundi në Kuvend ka arritur një progres të jashtëzakonshëm në implementimin e ERA 1.

Sundimi i ligjit dhe arsimi, prioritetet e Ministrisë së Integrimit Evropian

Sot është mbajtur takimi i Këshillit Ministror për Integrim Evropian më qëllim të evidentimit dhe implementimit të kritereve të BE-së në platformën e ERA 2.

Më këtë rast u tha se ka pasur avancim në realizimin e pakove të ligjit sa i përket ERA 1, ndërsa u theksua se ERA 2 gjithsej do të ketë 18 prioritete në një afat 1 vjeçar.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh se takimet e tilla dëshmojnë për seriozitetin që ka qeveria për implementimin e ligjeve në harmoni me standardet Evropiane.

Ai kërkoi që të jenë më bashkëpunues ndërmjet këshillit ministror dhe t’i evidentojnë gjitha mangësitë e së kaluarës.

Ndërsa, ministrja e Integrimeve Dhurata Hoxha, foli më shumë për prioritetet e ERA 2, ku tha se ka një agjendë të qartë se çfarë duhet të zbatohet deri në vitin 2020.

Sipas saj, ERA 2 ka 19 prioritete që më shumë kanë të bëjnë me sundimi e ligjit dhe arsimin, ndërsa tha se nga BE i janë shtuar dhe disa prioritete.

“Pritjet tona janë që në këtë takim të marrim një vendim formal që të zbatohen të gjitha këto prioritete sa më shpejtë”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat